Vdes me pranga në këmbë nga sëmundja e pashërueshme derisa po vuante 5 vjet burg për armëmbajtje pa leje

0

“Ishte në grahmat e fundit. U thashë policëve, po pse s’ma jepni ta çoj në shtëpi?, e ata më përgjigjeshin;  s’dimë gjë ne, nuk është puna jonë. Iu thoja: po atëherë pse rrini këtu ta ruani, se ky nuk lëviz, s’ka nga të shkojë? E ata më përgjigjeshin: kjo është puna jonë!” Ky është dialogu që një nënë, e cila priste djalin e saj të ndërronte jetë në spital, bënte me policinë që i ruante të birin të mos arratisej! Ai ishte i sëmurë, sëmundje që i ishte shfaqur prej më shumë se 8 muajsh. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ndërkohë që historia e tij u bë e njohur shumë shpejt në të gjithë vendin, ndërsa banorët e Mbrostarit në Fier dolën në protestë për të liruar Artur Meçen, 22-vjeçarin, që iu dha edhe lamtumira e fundit, dy ditë më parë.

Ai ndërroi jetë në spital, me pranga në këmbë dhe me punonjës policie pas dere, ndërsa ishte dënuar me 5 vjet burg për armëmbajtje pa leje! Nëna e tij, Mimoza, pasi Arturi nuk e kishte të atin, iu drejtua Presidentit të Republikës, Kryeministrisë, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Avokatit të Popullit, por nuk ia doli ta çonte të gjallë për herë të fundit të birin e saj në shtëpi, që ta shikonte të gjallë e ëma e saj e moshuar dhe motra e vogël e Arturit, që ka dyshime që vuan të njëjtën sëmundje si edhe ai. Të gjithë i kanë kthyer përgjigje, por askush nuk e ka ndjekur rastin e Arturit dhe aq më pak shqyrtuar, derisa ndërroi jetë! Ngjarja e rëndë është shënuar në Tiranë, ndërsa Arturi ka qenë i burgosur në Fier.

Rrëfimi i nënës

“Djali ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje. Kishte bërë dy vjet dhe kishte për të bërë edhe 3 të tjera.  Fillimisht më thanë si kishte kancer në mushkëri. Pastaj më thanë; vuan nga zemra. E morën dhe e kuruan. Në fakt nuk kam asnjë ankesë për spitalin, por më mbeti peng vetëm burgu nga ku nuk e nxorra dot. Nuk kisha me çfarë ta nxirrja. Shikojeni shtëpinë, po bie brenda”. Kështu rrëfen me pak fjalë gjendjen e saj, gruaja që ka mbuluar me dhe të birin 22 vjeç, vetëm dy vite pasi ka ndërruar jetë edhe bashkëshorti.

Ajo mban familjen duke mbledhur kanaçe dhe i shet për të siguruar bukën për familjen, ndërsa ka qëndruar për dy muaj pranë djalit, për të cilin e dinte se do të vdiste. Madje, nga rrëfimi i saj, mësohet se edhe djali ka qenë në dijeni të fundit të tij. “Po pse nuk e shet tokën, moj ma, të më nxjerrësh nga burgu?!” Kështu, thotë Mimoza, që i ka thënë i biri, ditë-netëve të fundit të jetës së tij. Gruaja e shpjegon situatën e saj me një dhimbje që duket se nuk është e saj: Po s’kisha çfarë të shisja, s’kisha ku të merrja lekë t`i jepja prokurorit, avokatit apo gjyqtarit, se do ma nxirrnin. Ata, për lekë, ma mbajtën brenda”!

Pas vdekjes

“Kam fjetur dy muaj në pllaka. Jam munduar t`ia plotësoj të gjitha, me aq mundësi sa kisha. Kam edhe dy fëmijë. Tashmë në familje bëhemi 4 veta. Marr vetëm një pension 18 mijë lekë të vjetra. 10 mijë lekë i merr vajza e vogël 7 vjeçe dhe 8 mijë lekë i merr djali 14 vjeç. Me ato ushqehemi dhe mbledh edhe kanaçe që të shtyjmë muajin. Tokën e kam dhënë me qira, aq kam, 2 dynym e 700 metër. Shtëpitë i kam siç i shikoni. Dritat i kam pa paguar, vetë jam anemike. Dua 200 mijë lekë në muaj vetëm ilaçe. Kam vajtur te të gjithë dhe ua kam treguar hallin. Ata më kanë dërguar letra kot. Ku të vete? Unë vetëm t’i jap fund jetës, se nuk ja dal dot!

Im bir vdiq me pranga në këmbë që të mos ikte në drejtim të paditur dhe ruhej edhe me polici. Askush nuk ma la që ditët e fundit të jetës së tij t’i kalonte në shtëpi. Më kërkonte t`i sillja motrën dhe vëllanë t’i përqafonte për herë të fundit, po nuk i kisha mundësitë. Ai ndërroi jetë, por mjekët më kanë thënë se edhe vajza vuan nga i njëjti problem. Më thonë se është e trashëguar, por unë e kam të pamundur ta kuroj dhe ta ndjek nëpër spitale sëmundjen e vajzës”. Kështu ka treguar publikisht gruaja, të cilës i kanë ikur dy njerëzit më të rëndësishëm të jetës së saj, ndërsa apelon për ndihmë, që të paktën të shpëtojë vajzën e vogël. Familja Meçe, në Mbrostar, jeton në kushte skajshmërisht të varfra, ndërsa historia e tyre u bë publike prej më shumë se tre muajsh!

Protesta e harruar e Mbrostarit

Në shtator, një protestë në burgun e Fierit u mbështet edhe nga banorë të fshatit Mbrostar, në Fier. Shtatori ishte muaji i ngjarjeve të mëdha, por zëri i të burgosurve të Fierit dhe të banorëve të fshatit, nuk mbërritën deri në Tiranë, edhe pse emri i Artur Meçes dhe gjithë historia e tij u bënë publike. Të dënuarit, që e dinin se Arturi i kishte ditët e numëruara refuzuan edhe ushqimin për të qenë pranë hallit të tij, ndërsa banorët e Mbrostarit u ngritën në mbështetje të familjes së tij, më saktë vetëm të nënës së tij, Mimozës, pasi askush tjetër nuk ishte në krah të gruas që ta mbështeste, pasi bashkëshorti, Gëzimi, kishte vdekur dhe dy fëmijët e tjerë ishin të vegjël. Asnjë reagim nuk pati sukses. Arturi nuk u lirua, por vdiq në spital i prangosur dhe me polici te dera!/Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here