Vazhdon kompenzimi i ish të dënuarve politik:354 të kompenzuar deri më tash

0

354 ish të dënuarve dhe të përndjekurve politik u janë kompensuar me mjete financiare sipas ligjit për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politik nga viti 1913 e këndej. Vetëm vitin e kaluar janë kompensuar 219 persona nga 5 milionë eurot që kishte ndarë Qeveria e kaluar, derisa për tre muajt e parë të këtij viti janë kompensuar 135 persona.

Në një intervistë për KosovaPress, sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të përndjekurve politik, Shefik Sadiku, thotë se ligji është duke u zbatuar plotësisht dhe se janë duke punuar intensivisht për kompensimin e kësaj kategorie.

Sadiku thotë se janë duke i ndarë mjetet për të gjithë ata që i kanë kompletuar dokumentet dhe sipas mjeteve që ndanë Qeveria e Kosovës.

Ai thotë se për këtë vit janë paraparë mbi dhjetë milionë euro për të kompensuar ish të dënuarit politik.

Ligji njeh tri kategori, kategorinë e ish të dënuarve politike të cilëve iu njihet statusi i të përndjekurve politik dhe e drejta në kompensim, të burgosurit deri në 60 ditë përkatësisht 2 muaj dhe kategoria e ish të përndjekurve politik. Dy kategoritë e fundit nuk përfitojnë në kompensim, pos kategorisë së parë. Ndërsa, të drejtë në kompensim kanë 4 mijë e 197 ish të dënuar për të cilët qeveria i ka ndare 55 milionë euro për t’i kompensuar.

Sadiku shton se sipas rregullores së Komisionit, kompensimi është bërë ekskluzivisht për ata ish të dënuar nga viti 1945 e deri në vitin 1979 të cilët janë gjallë, ose kanë bashkëshorten gjallë.

Ligji parasheh që të drejtën e kompensimit e posedon vetëm njeriu që ka qenë ish i dënuar dhe bashkëshortja e tij dhe ata të cilët i kanë fëmijët studentë deri në moshën 27 vjeçare ashtu siç e parasheh ligji

Po ashtu komisioni ka paraparë kompensimin edhe ish të dënuarave femra të cilat posedojnë dokumentacionin dhe e vërtetojnë se kanë qenë të dënuara nga ish sistemi.

Sekretari i Komisionit Shefik Sadiku thotë se ky është një kontribut që Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri që t’ua njoh kësaj kategorie, që është një lloj satisfaksioni, por nuk është dëmshpërblim.

Ndryshe ligji i miratuar nga Qeveria e kaluar, parasheh që për secilin person që ka vuajtur dënim politik me shumë se dy muaj, do t’i kompensohet me 16.70 euro për 24 orë qëndrim në burg.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here