Vazhdojnë “gjuajtjet” në Prokurorinë e Shtetit

0

Akuzat e anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha po vazhdojnë edhe sot. Ky i fundit dje është shfryer ndaj tre anëtarëve të këtij këshilli, Sevdije Morinës, Jetish Malokut, Bajram Ukajt dhe nënkryetarit, Idain Smaili, të cilët sipas tij kanë akuzuar rëndë personalitetin e tij me akuza të pabaza. Në anën tjetër, Idain Smaili ka thënë sot se ushtruesi i detyrës në mënyrë të kundërligjshëm ka lëshuar takimin.

Madje, Smaili i ka ftuar mediat nesër në takimin e radhës të Këshillit Prokurorial. Sipas tij, ushtruesi i detyrës kundërligjshëm ka pezulluar takimet e KPK-së edhe pse as me ligjin mbi KPK-në, e as me rregulloren mbi funksionimin e KPK-së, kryetari i KPK-së, nuk e ka të drejtën që të pezulloj takimet e Këshillit Prokurorial, aq më pak, kinse, deri sa të bëhet dekretimi i kryeprokurorit të Shtetit nga Presidentja e Republikës, apo derisa të bëhet sqarimi, kinse, i mandateve të anëtarëve të KPK-së.

“Si nënkryetar i KPK-së ftoj takimin e radhës së KPK-së, ashtu siç shkruan edhe në kërkesën e pesë anëtarëve të KPK-së, të nënshkruar nga anëtarët: Idain Smailji, Sevdije Morina, Teki Bokshi, Bajram Uka dhe Jetish Maloku. Takimi do të mbahet ashtu siç ka qenë i paraparë, më 17.03.2015, në ora 14:00, në sallën në katin IV, në ndërtesën e Këshillit Prokurorial i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurse, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i ka quajtur këto akuza të ngjashme me ato të kohës së Rrahman Morinës në vitin 1989, e që tani po zbatohen nga kunata e Rrahman Morinës, Sevdije Morina.

Kurse, për të vlerësuar mandatin e tre prokurorëve anëtarë të KPK-së, Sevdije Morina, Jetish Maloku dhe Bajram Ukaj, Hoxha i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Hoxha ka njoftuar se ka pezulluar mbledhjet e Këshillit Prokurorial deri në dekretimin e Kryeprokurorit të ri nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga./kp/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here