VAN i propozon qeverisë një paketë masash për dalje nga kriza

0

PRISHTINË, 8 SHKURT – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, në një konferencë të përbashkët, sot kanë kërkuar implementimin e menjëhershëm të rezolutës së votuar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me eksodin e qytetarëve të Kosovës, që ata iu kanë referuar si shpërngulje. “Qeveria duhet menjëherë që: t’i ndajë 30-40 milionë euro me të cilën mund të hapen 10-15 mijë vende të punës; të krijojë fonde për punësim dhe për asistencë sociale; t’i zvogëlojë pagat e atyre që marrin mbi 1.000 euro; t’i ndërprejë honorarët dhe mëditjet në sektorin publik; t’i zbusë kriteret për asistencë sociale; t’i rritë subvencionet për bujqit; t’i ulë pagat e anëtarëve të bordeve nëpër ndërmarrje; ta zvogëlojë buxhetin për mallra dhe shërbime, dhe të mos blejë vetura e mobile së paku tri vjetët e ardhshme; ta imponojë respektimin e ligjit të punës në sektorin privat; e të ngjashme”, ka sugjeruar VAN. “Konsiderojmë se gjendja e rëndë ekonomike në vend, shkalla e lartë e papunësisë dhe shkalla e lartë e varfërisë në periudhën e pasluftës në Kosovë, janë pasojë e qeverisjes së keqe të vendit, keqmenaxhimit të parasë publike, dështimit të procesit të privatizimit, komprometimit të këtij procesi, korrupsionit, krimit të organizuar në ekonomi të lidhur me qeveritarët, mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, konkurrencës jolojale ose mungesës së lirisë së tregut për subjektet ekonomike që nuk flirtojnë me pushtetin”, kanë numëruar këto subjekte, akronimit të të cilave u kishte rënë shkronja “L” nga e kaluara. VAN ka tërhequr vërejtjen se PDK dhe LDK, kishin bërë premtime marramendëse për rritje pagash për vende të reja pune(120,000 vende pune nga LDK dhe 200,000 nga PDK)e që sipas partive opozitare “po rezultojnë me shpërngulje”. Shpërnguljet sipas tyre “nuk mund të pengohen me polici, me masa administrative, e as me falje të borxheve paraprake”. Mosliberalizimi i vizave ka qenë një shkaktar tjetër i largimit të qytetarëve që e kanë potencuar treshja e bashkuar opozitare. “U bëjmë thirrje qeveritarëve që sa më shpejtë të ndërmarrin masat e parapara në këtë Rezolutë të votuar në Kuvend, të cilat kanë karakter të masave të politikave ekonomike dhe të masave tjera sistemore në kompetencë të Qeverisë”, ka sugjeruar VAN duke tërhequr vërejtjen se qeveria është ende pa program qeverisës e pa ndonjë strategji dalëse nga kjo situatë. “Qytetarët e Kosovës nuk duhet të shpërngulen. Ata duhet të bashkohen rreth një programi kombëtar, për ndryshimin e këtij vendi dhe për kthimin e shpresës në këtë vend”, kanë bërë thirrje opozitarët kosovarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here