Uron nga burgu ish-komandanti i UÇK-së dhe i FSK-së, Sylejman Selimi

0

Ish-komandanti i UÇK-së dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sylejman Selimi, në një letër nga burgu dërguar në redaksinë e Gazetës Express, ka uruar për themelimin e ushtrisë. Shprehet se është shumë i lumtur për kontributin e dhënë në transformimin e FSK-së në ushtri.

Ja letra e tij e plotë:

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së,

Sot, në këtë ditë historike, ju uroj për mandatin e ri ushtarak të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës, apo thënë më drejt, ushtria jonë është krijuar e mbajtur deri në ditët e sotme në saje të kontributit të punës suaj dhe të kontributit të paraardhësve tuaj.

Unë jam i lumtur që bashkë me ju, si Komandanti i Parë i FSK-së, kam dhënë kontributin që Kosova ta kishte një FSK të përgatitur dhe që sot kjo forcë të marrë mandat të ri ushtarak.

Me këtë rast, dua t’i shpreh edhe falënderimin e mirënjohjen për shumë ushtarakë, personalitete, miq të nderuar që na ndihmuan të arrijmë deri këtu. Në veçanti, dua t’ia shpreh mirënjohjen për mbështetjen që i dhanë Kosovës, posaçërisht Komandantit të NATO-s, Gjeneralit Klark, të cilin kam pasur rastin ta takoj, Komandantit të KFOR-it Xhekson, me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtë, dhe gjithë komandantëve pasues të KFOR-it. Posaçërisht dua ta shpreh mirënjohjen time për Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovas Gjeneralin Orr, me të cilin e kemi nënshkruar Marrëveshjen e Partneritetit në mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovas të SHBA-së, si dhe gjithë miqve që na kanë ndihmuar që FSK-ja të zhvillohet dhe të arrijë deri këtu ku është sot.

Dua ta vlerësoj shumë lart edhe bashkëpunimin që kemi pasur si FSK me KFOR-in, në veçanti me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë etj., ku pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre nuk do të mundë të arrinim deri këtu, për çka populli i Kosovës do t’u jetë mirënjohës përgjithmonë.

Dita kur Kosova po bëhet me FSK-në si forcë ushtarake, përkon edhe me 20-vjetorin e rënies dëshmor të heroit Mujë Krasniqi dhe 40 luftëtarëve që ranë më 14 dhjetor, 1998.

Ngritja e forcës sonë ushtarake në këtë ditë është një simbolikë me kuptim të lartë historik.

Prandaj në këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë, popullit të Kosovës dhe gjithë ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së jua uroj këtë ditë shumë të rëndësishme.

Urime!

Sylejman Selimi, 14 dhjetor 2018

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/ekskluzivisht-per-express-diten-kur-kosova-e-formon-ushtrine-shkruan-nga-burgu-ish-komandani-i-uck-se-dhe-fsk-se-sylejmam-selimi-605388/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here