Ura e Ibrit mes legjendash, ja çfarë është parashikuar të ndodhë me të!

0

Ura mbi lumin Ibër është shndërruar ndër urat më të njohura në Evropë, jo për arsyet që ajo duhet të bashkojë brigjet por për atë se tani ajo ndan një qytet për gjysmë me një barrikadë në mes.

Ura e ridizajnuar n-- vitin 2000

Thuhet se gjendjen e sotme të Mitrovicës dhe realitetin e urës në këtë qytet, e kishte parashikuar para shumë vitesh një banorë i fshatit Vinarc, Beshir Vinarci, i cili për 20 vite kishte shërbyer në oborrin mbretëror të Sulltanit.

Sipas transmetuesve të Vinarcit, ai kishte parashikuar se në një kohë të caktuar, në të dy skajet e kësaj ure do të ketë ushtri. Realiteti i sotëm është fotografi e asaj që kishte parashikuar, mitrovicasi pra, shërbëtor në oborrin mbretëror të Stambollit.

Në skajin verior të urës qëndrojnë rojet serbe të barrikadës, në mes një patrullë e policisë së Kosovës dhe në cepin jugor forcat e KFOR-it apo EULEX-it. Të gjitha këto forca së bashku ruajnë një barrikadë që ka mbyllur urën për qarkullim.

Fundi i rrëfimit për urën e Ibrit, sipas asaj që kishte parashikuar ky oborrtar kosovar, do të shënohet me një trazirë dhe ura më nuk do ta ketë simbolikën që ka sot, atë të ndarjes.

Ura e drunit e nd--rtuar n-- shekullin XVIII

Sipas gojëdhënave dhe të afërmve të Vinarcit që jetojnë edhe sot në fshatin Vinarc të Mitrovicës, ai, të gjitha këto detaje ia ka transmetuar një mendimtar-arkitekt i oborrit të Sulltanit.

“Arkitekti  në atë kohë ishte marrë me studimin e kësaj pjese të Ballkanit duke parashikuar edhe magjistralen e Ibrit, ndarjen e kërshit të ‘Dudës’ në dysh si dhe magjistralen e Adriatikut e tunelin në lagjen ‘Bari’ të Mitrovicës”, thonë familjar të Vinarcit.

Mbetet që e ardhmja të konfirmojë saktësinë e pjesës së fundit të parashikimit të ish-oborrtarit të Sulltanit për urën që ka ndan Mitrovicën në veri dhe jug.

Ndryshe, historianët tregojnë se kjo urë asnjëherë më parë deri pas vitit 1999, nuk e kishte këtë simbolikë dhe këtë kuptim që ka sot.

Historiani Bektesh Vidishiqi, thotë se ura e Ibrit gjithnjë ka shërbyer për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në të dyja anët e lumit të një qyteti. Sipas tij, “një lloj ure në këtë vend mendohet të ketë ekzistuar qysh prej themelimit të këtij vendbanimi nga Gazi Isa Beu në shekullin XV”.

“Në vitin 1499 ky vendbanim që sot njihet si Mitrovicë nga udhëpërshkruesi gjerman, Von Harf, përmendet me emrin Metrix. Në hartat e asaj kohe gjendet edhe hidronimi Ibar që mund të merret edhe si vendbanim, por ka raste kur specifikohet Ibar-river dhe Ibar si vendbanim”.

Ndërsa sa i përket urës, Vidishiqi sqaron se ajo së pari përmendet nga udhëpërshkruesit e shekullit XVI dhe nga Pjetër Bogdani në shekullin e XVII.

“Në këtë kohë ura mbi Ibër përshkruhet si një lloj vigu në gjendje shumë të keqe”, thotë Vidishiqi. Sipas tij, gjendja e saj është përmirësuar dhe forcuar në shek. XVIII, atëherë kur qyteti që kishte zënë fill të formohej ndërmjet lumenjve të ‘Lushtës’ e ‘Ibrit’, e do të zgjerohej edhe në pjesën tjetër të lumit Sitnicë.

Sipas tij, në këtë kohë Mitrovica zgjerohet edhe në brigjet e majta të Ibrit, ku të ikurit nga Bosnja pas pushtimit nga Perandoria Osmane krijojnë Saraj Mahallën apo Lagjën e Boshnjakëve, siç njohim ne sot.

Historiani mitrovicas, thotë se në këtë kohë është ndërtuar edhe Xhamia e Ibrit, s’kaj cepit verior të urës, e cila është shkatërruar tersishte nga serbët në luftën e fundit.

“Në shek. XVIII, pas fillimit të zgjerimit të qytetit të Mitrovicës, ushtarët turq, që ishin të vendosur në Kalanë e Zveçanit, dislokohen në kazermat e ndërtuara në lagjen Bair, në jug të qytetit”, thotë Vidishiqi.

Ura e hekurit e nd--rtuar n-- vitin 1933

“Ura e Drurit, që ka ekzistuar deri në vitin 1933, është ndërtuar në këtë kohë dhe bazamenti i saj është bërë me gurët e Kalasë së Zveçanit, të cilin e kishin braktisur turqit”. Vidishiqi tregon se kjo urë kishte pësuar transformime të kohëpaskohëshme, kurse në vitin 1933 pranë saj, u ndërtua Ura e Hekurit.

Një kohë, të dyja këto ura do të bashkëjetojnë, kurse pas disa vitesh Ura e Drurit rrënohet, ndërsa Ura e Hekurit mbijeton deri në vitet 70’, kur zëvendësohet me një urë të re prej betoni.

Gani Beshiri, ndërtimtar mitrovicas flet për historikun e urës prej betoni, që sipas tij, ajo ka filluar të ndërtohet në vitin 1974 dhe ka përfunduar në vitin 1975. “Ndërtimi i urës prej betoni në këtë vend që është sot ka qenë projekt i Kuvendit të atëhershëm të Komunës së Mitrovicës”.

“Ura ka qenë 24 metra e gjerë dhe 110 e gjatë, por tani pasi që është rindërtuar nga francezët nuk di nëse në gjatësi dhe gjerësia ka lëvizur gjë”, ka thënë Beshiri.

Ura e betonit e nd--rtuar n-- vitin 1974

Bashiri ka shtuar se “pasi  ura është lëshuar në përdorim, në vitet e para ka pasur probleme teknike, mandej janë paraqitur çarje në mbajtësit kryesorë, për këto arsye ura është rinovuar dhe ato probleme janë sanuar në vitin 1998”.

Megjithatë ura e rinovuar, pas përfundimit të luftës u kthye në një arenë trazirash ndërmjet shqiptarëve e serbëve, ndërsa që mori pamje tjetër në vitin 2000.

Ajo u ridizajnua me një donacion të KFOR-it francez, në vlerë prej 1.7 milion markash Gjermane. KFOR-i francez kësaj ure i ka dhënë edhe emrin që përdoret nga ushtarët e KFOR-it dhe ndërkombëtareët si ura e “Austerlitz” (Austerlic v.j ).

Austerlitz është një vend 8 km në jug-perëndim të qytetit Brno në Sllovaki ku më 2 dhjetor 1805 është zhvilluar një betejë në mes të francezëve dhe austro-rusëve.

Beteja është komanduar dhe fituar nga Napoleon Bonaparti dhe forcat e tij.

Për hir të kësaj beteje, shumë urave ushtria franceze iu ka dhënë emri Austerlitz në kujtim të rënëve.

Ura mbi lumin Ibër ka një motër të saj në Paris me këtë emër në afërsi të Kullës së Ejfelit mbi lumin ‘Sena’.

Disa dalje në formë zgjerimesh, që ka marrë ura nga rinovimi i fundit, ngjajnë me hapësira që shërbejnë për vizitorë, ka sqaruar ndërtimtari mitrovicas.

SAM_0267 (1)

“Fotografia e sotme e urës së Ibrit dhe vetë ambientit përreth, dallon shumë prej asaj që ka qenë para dhjetë apo më tepër vitesh”, ka pohuar Beshiri.

Ura tani më ka mbetur pa simbolikat e saj si xhamia dhe mulliri në veri ndërsa në jug është pa ndërtesën e konsullatës Austro-Hungareze. /tesheshi.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here