UP: S’prekët pozita e profesorëve, por xhepi i tyre

0

Profesorët e Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani, Hajredin Kuçi, Haki Demolli e Arsim Bajrami, të cilët mbajnë edhe pozita tjera nëpër institucionet e vendit, i kanë kërkuar Këshillit Drejtues të UP-së të shfuqizojë vendimin e Ramadan Zejnullahut për ndryshimin e statusit të profesorëve që janë të emëruar apo zgjedhur në institucione tjera.
Ata kanë thënë se janë të gatshëm të punojnë pa para në UP, por jo të pranojnë ndryshimin e statusit të profesorit të rregullt.

Telegrafi mëson se vendimi i fundit i Rektoratit të UP-së, nuk do ta prekë pozitën e tyre si profesorë të rregulltë në këtë institucion, por do vetëm “xhepat” e tyre.

“Profesorët të cilët përveç punës në UP janë të angazhuar edhe nëpër institucione tjera, nuk do ta marrin rrogën e plotë, por do të jenë me honorarë (do të paguhen vetëm për orët të cilat ata i realizojnë)”, kanë thënë për Telegrafin burime të afërta me rektorin Zejnullahu.

Ndryshe, në hulumtimin që e kishte bërë Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës me studentët e UP-së, në një formë pyetësori, në vitin 2012, kishte rezultuar se profesorët politikanë janë më të papërgjegjshmit në raport me obligimet e tyre në Universitetin publik.

Në mesin e 83 profesorëve që nuk i respektojnë studentët hiç apo që mungojnë më së shumti në ligjërata, sipas këtij hulumtimi ishin: Besim Beqaj, Enver Hasani, Ibrahim Gashi, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Isa Mustafa, Bardh Rugova, Mazllum Baraliu, Edi Shukriu etj.

Drejtuesit e Parlamentit Studentor kishin deklaruar aso kohe se tre ditë para publikimit të këtij pyetësori kanë pasur presion nga profesorë politikanë e deputetë që ky hulumtim mos të publikohet.

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Mentor Hasani, kishte deklaruar se kanë pasur presione të vazhdueshme që të mos e publikojnë këtë hulumtim, megjithatë, sipas tij, përmes pyetësorëve të shpërndarë kanë evidencuar shumë parregullsi dhe defekte tjera në stafin akademik dhe administrativë.

“Nëse këta profesorë mungojnë prapë, ne do të shikojmë format e mënyrës së organizimit të studentëve për t’i ndaluar këto të këqija, sepse përveç që ndikojnë në cilësinë në universitet, i dëmtojnë studentët, njëkohësisht e dëmtojnë edhe Buxhetin e Kosovës”, kishte shtuar Hasani. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here