Udhëpërshkrim: Të gjithë atyre që nuk kanë qenë në Shqipëri ju them: sa më shpejt që të shkoni, aq më mirë

0

 

Shqipëria si vend udhëtimi ofron më shumë se vetëm plazhe të bukura. Në rrugën e tyre për në Evropë, shqiptarëve ju duhet t’i mundin ende mbetjet e komunizmit. Sot vendi është i sigurt, autentik dhe para se gjithash i nduarnduarshëm.

Situata gjeopolitike mund edhe t’i pështirë gëzimet e udhëtimit. Dy të njohur të mi janë të goditur në mënyrë akute nga kjo. Njëri prej tyre e ka shënjuar Greqinë, por brenga e mungesës së parave të gatshme ka bërë që organizatori i udhëtimeve puashale ta heqë atë hë për hë nga programi. Tjetri ka planifikuar një udhëtim ac hoc në Tunizi – dhe ndërkohë po mendon për një ndërrim të destinacionit. Kur në pyetjen e tyre për ndonjë propozim alternativ ua preferova Shqipërinë, mora si përgjigje habinë e madhe. Një përgjigje që shpesh e kam marrë edhe nga të tjerët e edhe nga vetë bashkëshortja ime, e cila pas terminit tonë të bërë aty për aty u shndërrua nga Saul në Shën Pal të Shqipërisë*.Vendi është i sigurt për turistët, veç kësaj edhe autentik dhe në aspektin kulturor dhe gjeografik jashtëzakonisht i nduarnduarshëm. Brenda një sipërfaqeje, që i përgjigjet sipërfaqes së Landit të Brandenburgut, has në peizazhe malesh që të lënë pa frymë, det, rrënoja kështjellash, qytete historike, vende të paprekura dhe mbetje të një komunizmi ekstrem paranoik. Kush e ka ndërmend ta njohë Shqipërinë me automobil, rrugët e saj nuk i përgjigjen të shpeshtën standardeve të Evropës së Mesme.

Nga eksponati kurioz komunist në “vatrën e varfërisë së Evropës”

Emri i keq i vendit buzë Adriatikut duhet të jetë pasojë e rrëfimeve të tmerrshme të Karl May-it “Mbi vendin e shqiptarëve”, të ngulitura thellë në vetëdijën kolektive gjermane. Apo të mos harrojmë edhe atë se Shqipëria deri më 1990 ishte një eksponat unikat në Evropë. Vendi ishte cepi i errët i komunizmit, nga i cili s’dilte kush dhe në të cilin s’donte të shkonte askush. Për shkak të deviacionizmit, diktatori Enver Hoxha i shfaqi shoqëri socialiste së pari Bashkimit Sovjetik e pastaj Kinës. I izoluar, ngjashëm si Korea e Veriut, Stalini shqiptar marshonte drejt shoqërisë joklasore. Rezultati: rënia e tërësishme e vendit ballkanik, i cili konsiderohej për një kohë të gjatë si “vatra e varfërisë së Evropës”. Shqipëria u deklarua si vendi i parë ateist në botë: xhamitë dhe kishat u shndërruan në salla sporti apo në depo. Pamja e jashtme diktohej sipas një kodi unik. Flokët e meshkujve duhej të ishin ekstremisht të shkurta; nga rrobat ishin në përdorim vetëm prodhimet e këqia vendore.

Të njohura janë anekdotat e futbollistëve gjermanë, të cilët me rastin e udhëtimeve për lojërat për Kupën e Botës apo të Kupave të Evropës detyroheshin t’i shkurtonin flokët dhe magazinat për meshkuj të marra me vete ju konfiskoheshin nga doganierët dhe përfundonin në koshërat e mbeturinave socialiste.

Doktrina e lajthitjes komuniste është “tempo passato” ( e kaluar)

Me të gjitha këto që u përmendën Shqipëria moderne s’ka më asgjë të përbashkët. Vendi është i larmishëm, i gëzuar dhe ndonjëherë në kuptimin pozitiv kaotik. Derisa menyja në kohën e socializmit ishte e varfër, ofertat në restorante dhe në kafene tashmë janë të shumta dhe të mira. Gjithnjë e më shumë befasohesh nga kualiteti i ushqimeve dhe i espresove. Edhe në vetë tavernat e fshatrave të largëta lëngu i kaftë është më i mirë sesa në shumë shopingje gjermane kafesh. Gjellët e freskëta si mishi i pjekur i qengjit, peshku apo kosi me mjaltë të bëjnë të harrosh çdo plan për dietë.

Me çdo kilometër të udhëtuar nëpër vend të bëhet e qartë: doktrina e lajthitjes komuniste është tempo passato. Që nga viti i kaluar Shqipëria është edhe vend kandidat për hyrje në BE. Në vend të satujave të Hoxhës kudo has në reklama perëndimore dhe në pllakata të tashmë shenjtorës nacionale Nënë Tereza.

Si vendi me gjasë i vetëm në botë, Shqipëria ka rrugë që e mbajnë emrin e Georg Ë. Bush (sepse ai ishte presidenti i parë amerikan që i vizitoi shqiptarët). Bile edhe Franz Josef Strauss, që vizitoi Shqipërinë në “dasmën” e Luftës së Ftohtë, është emërdhënësi i një sheshi të kryeqytetit. Rrugët me emrin Marks apo Lenin nuk më ranë në sy. Kush e ka shijuar socializmin në tërë spektrin e tij ka arsye të jetë i dëshpëruar thellë. Lavjerrësi duket se po bie më shumë në kahun tjetër. Kështu, kryeministri aktual socialist, Edi Rama, një piktor, e thekson “ mungesën e plotë të sindikatave”, të cilat, sipas mendimit të tij, po i mbrojnë të privilegjuarit dhe jo të dobëtit e shoqërisë.

Shqipëria çmendet pas automobilave gjermanë

Shqiptarët janë “ të çmendur” pas Perëndimit – dhe në veçanti ndaj Gjermanisë dhe mercedesit. Thuhet se vendi ka gjoja dendësinë më të madhe të mercedesëve në botë – që para së gjithash janë fabrikate të forta që iu përshtaten pistave të mbushura me gropa e që shqiptarët i quajnë rrugë.

Bëhen ndërtime të larta. Ndërtesat e larta në Tiranë tash ua kalojnë pirgjeve të kishave dhe minareve të xhamive. Në vitin 2012, kur udhëtova në vend, ishin universitet private ndërtesat me më së shumti shkëlqim. Biznesi me arsimin duket të jetë diç dobiprurëse. Rinia shqiptare po ngarend drejt dijes, nga e cila synon të përfitojë diku jashtë vendit, sepse edhe përkundër një ngarendjeje ekonomike nga mesi i viteve të 90-ta të ardhurat në vend kanë mbatur të ulëta. Kështu, ciceroni i udhëtimit, Martini, fiton me turizëm shumë më tepër sesa në Universitetin e Tiranës, ku ai si docent merr vetëm 250 euro në muaj. Falë njohurive të tij akademike ai është në gjendje të bëjë shpjegime të hollësishme mbi qytetet mesjetare, mbi traditat arkaike, por edhe mbi absurditetet e kohës së gurtë të komunizmit, siç janë bunkerët e betonuar, e të cilët Hoxha paranoik i ndërtoi kudo në vend. Numri i tyre sillet nga 2500’000 deri në 700’000. Shumica prej tyre sot shërbejnë si imbise, disa si diskoteka e disa të tjerë u janë shitur për para të majme koleksionistëve amerikanë dhe japonezë me pasione të çuditshme.

Sa më shumë festa, aq më mirë

Shqiptarët janë disi edhe pragmatikë. Këtu ka vend edhe një anektodë e kohës osmane e prirjes së shqiptarëve për bashkëshortësi të përziere mes të krishterëve dhe myslimanëve. Kështu fundmja do të mund të shtohej edhe numri i ditëve festive. Një përcaktim që do ta bënte më të mirë dhe botën tonë – dhe i cili disi do të ishte edhe në kundërshtim me interpretimin dogmatik të socializimit të Hoxhës. Në mënyrë pragmatike shqiptarët shkojnë edhe me dy trashëgimi të diktatorit – shtëpinë e tij të lindjes në trashëgiminë kulturore botërore të UNESCOS në Gjirokastër, që tash është një muze i vendit, dhe me shtëpinë e tij të banimit në lagjen e qeveritarëve në Tiranë (“blloku”), e cila shërben si institut gjuhësor. Kudo përreth gjenden bare dhe birrari elegante. Aty ku dikur kishin rezidencën pashallarët e kuq, sot sillen vërdallë “Jeunesse dorée”(të rinjtë që bëjnë jetë begatë e të pabrenga).

Prirja e shqiptarëve për pragmatizëm ka edhe anën e vet negative – si në ndërtimin e papenguar të vendpushimit pitoresk të Sarandës. Një zbatim më rigoroz i ligjit mbi ndërtimin sigurisht se do t’i bënte mirë zhvillimit turistik në Shqipëri. Poaq grishës është edhe gadishulli i Ksamil-it – jo larg nga vendpushimi i Sarandës – me ndoshta plazhin më të bukur të vendit. Para gjirit ishujt që shtrihen në Detin Jon, të rrethuar gjithashtu me plazhe të bardha, grishin për larje. Nga këtu Ballkani duket sikur shtrihet në Karibik. Me keqardhje të madhe për gruan time u desh ta lëmë majtas Ksamilin dhe ta ndjekim pas Martinin për të parë pika të tjera kulminante kulturore – si vendin antik, Butrintin. Por, megjithatë, kjo është një shtytje për të ardhur sërish në Shqipëri dhe për të parë se si ka përparuar vendi në rrugën e tij drejt Evropës dhe në luftën e tij kundër trashëgimisë së komunizmit – si korrupsioni dhe tarafet kriminale.

Të gjithë atyre që nuk kanë qenë në Shqipëri ju them: Sa më shpejt që të shkoni, aq më mirë, sepse edhe përkundër asaj se shqiptarëve ju dëshirojmë rritje ekonomike dhe zhvillim evropian, me këtë do të humbasë një pjesë e sharmit dhe një pjesë e autenticitetit.

PS: Këtë shtyllë as nuk e ka sponzorizuar Lidhja Turistike Shqiptare, e as unë si autor nuk kam lidhje biznesi me vendin. I (pothuajse) vetmi qëllim imi është t’i heqë paragjykimet mbi Shqipërinë, e cila në aspektin e turizmit ka një emër ende shumë të keq.

Andreas Kern “The European”

Andreas Kern është ekonomist i diplomuar dhe punon aktualisht si referent në Ministrinë për Bujqësi dhe Ambient të Landit të Sachsen – Anhalt. Më herët Kern ishte referent personal i ministrit, drejtues zyre i presidentit të Parlamentit të Sachsen- Anhalt si dhe zëvendës i zëdhënësit të Parlamentit të Sachsen- Anhalt. Ai eshtë anëtar i CDU-së dhe është i pasionuar pas udhëtimeve private nëpër Amerkën Jugore dhe Evropën Juglindore.

/Albinfo.ch/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here