U përurua Pallati 30 milonësh i Drejtesisë, Hahn e Mustafa porosisin që puna aty t’i ngjajë pallatit

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë bërë përurimin zyrtar të objektit të ri të Pallatit të Drejtësisë sot në Prishtinë. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitete të tjera të larta vendore e ndërkombëtare, si dhe zyrtarë e punonjës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryeministri Mustafa e ka quajtur këtë ngjarje tepër të rëndësishme dhe të veçantë. “Gjendemi në një objekt i cili për nga pamja e tij na jep ndjenjën se jemi në një vend të Bashkimit Evropian. Jam shumë i lumtur që së bashku me ju sot marrim pjesë në inaugurimin e Pallatit të Drejtësisë, një projekt madhor i realizuar dhe i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me truallin që e ndau Komuna e Prishtinës”, ka theksuar ai. “Është evidente se Bashkimi Evropian ka kontribuar shumë në krijimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë, ka kontribuar në forma të ndryshme, përmes asistencës në ngritjen e kapaciteteve, përmes Misionit të EULEX-it, përmes projekteve IPA-s dhe formave tjera”, ka shtuar kryeministri. Ai ka bërë me dije se 4 ndërtesat në kuadër të Pallatit të Drejtësisë, do të shërbejnë për akomodimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme të Kosovës, si dhe për Prokuroritë respektive, duke përfshirë edhe stafin e EULEX-it.
“Si Qeveri ne jemi shumë të përkushtuar që sistemi i drejtësisë në vend të ndërtohet me standarde evropiane. Unë mendoj se parakushtet themelore si infrastrukturë fizike i kemi siguruar”, ka tërhequr vëmendjen Mustafa duke u zotuar se për qeverinë që e drejton “shteti i së drejtës do të bëhet prioritet mbi prioritetete”.
“Jemi të përkushtuar që sundimi i ligjit të mos ketë asnjë kompromis. Prandaj, le të jetë ky një rast i ri për sistemin e drejtësisë në Kosovë, le të jenë këto kushte edhe një kusht që të gjithë ata që punojnë në forcimin e mëtutjeshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës të japin kontributin e tyre”, ka bërë thirrje kryeministri i Kosovës.
Komisionerit Johannes Hahn, ka shprehur kënaqësine e tij që gjindej “në këtë vend madhështor jashtë Prishtinës” për të cilin ka dëgjuar shumë dhe po e shihte me sytë e tij.
“Në të vërtetë, ky Pallat i Drejtësisë nuk duket fare sikur ai që kam paramenduar për një pallat të drejtësisë, ose sikur fotografitë të cilat mund t’i gjeni në internet. Në fakt, ai duket shumë më mirë. Planet për këtë projekt datojnë që nga viti 2008. Ne jemi pajtuar së bashku se ka mungesë të infrastrukturës së duhur gjyqësore në Kosovë. Bashkimi Evropian ka mbështetur Kosovën në këtë projekt të madh si një pjesë integrale të përpjekjeve të saj për të ndihmuar në fuqizimin e sundimit të ligjit”, është shprehur ai duke bërë me dije se 5 objektet që po hapeshin do të sistemojnë Gjykatën Themelore të Prishtinës, Zyrat e Prokurorisë Themelore dhe të Apelit të Prishtinës, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht gjykatësit, prokurorët dhe stafin e EULEX-it.
Hahn ka treguar se kjo ndërtesë paraqet një investim prej shumë milionë eurosh, në të cilin BE ka kontribuuar me më shumë se 25 milionë dhe Kosova me 5 milionë euro. Puna në këtë ndërtesë sipas tij ka filluar në vitin 2011 dhe ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Kjo periudhë megjithatë Komisionerit Hahn nuk i është dukur shumë.
“Jam i mahnitur me punën e madhe që është bërë në bërjen e këtij lokacioni në masë të madhe operacional brenda një kohe aq të shkurtër. E kam marrë vesh se një pjesë e madhe e stafit të gjykatave dhe prokurorisë tashmë janë zhvendosur në këtë ndërtesë dhe gjykimet dhe seancat po mbahen në salla të mobiluara në mënyrë adekuate. Prandaj, dikush mund të thotë që “gjykata është në seancë”! Ju përgëzoj për këtë arritje të mrekullueshme”, ka theksuar komisioneri Hahn.
“Por, ta zhvendosim këtë bisedim për ndërtesën në punën e vërtetë që duhet bërë në të. Sundimi i ligjit është themeli mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Ata që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian duhet të promovojnë funksionimin e duhur të institucioneve themelore që sigurojnë sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është vlerë qenësore demokratike por njësoj e rëndësishme për një mjedis afarist stabil, duke siguruar siguri ligjore për operatorët ekonomikë, duke mbështetur konsumatorët dhe duke stimuluar investimet, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin. Një gjyqësor funksional, i paanshëm dhe i pavarur është një pasuri pa të cilën nuk mund të funksionojë një vend stabil dhe i suksesshëm”, ka theksuar ai.
“Kushtetuta e Kosovës mbron pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Është e rëndësishme që këto parime të zbatohen edhe në praktikë. Kjo kërkon pavarësinë e këshilleve gjyqësore dhe prokuroriale, arsim të mirë ligjor, procedura të duhura emërimi dhe shkarkimi, kritere për vlerësim dhe performancë, procedura disiplinore. Dhe ajo kërkon llogaridhënie, efikasitete dhe cilësi në ndarjen e drejtësisë”, u ka mbajtur leksion komisioneri Hahn kosovarëve duke premtuar vazhdim të mbështetjes nga BE për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here