U nënshkrua kontrata e përhershme dhe unike për mësimdhënësit

0

PRISHTINË, 11 SHKURT – Ministri i Ministrisë së Arsimit, Arsim Bajrami, duke marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës së Punës për Mësimdhënës, e cila do të jetë unike për të gjithë mësimdhnësit e nivelit parauniversitar në Republikën e Kosovës ka thënë se “promovimi i Kontratës së Përhershme është hap i rëndësishëm i përkushtimit të Qeverisë së Kosovës, për të rikthyer rolin e mësimdhënësve në edukimin e brezave të rinj”. Ministri Bajrami ka thënë për kontratën e cila do të fillojë së zbatuari shpejt, se ajo krijon standarde të reja, “që iu mundëson mësimdhënësve të ndërtojnë karrierën, duke pasur siguri për vendin e punës dhe duke mos lejuar që punësimi i tyre të bëhet në baza politike”. “Po e mbrojmë arsimin parauniversitar nga tendencat e politizimit, që shpeshherë në shoqëritë e tranzicionit janë shumë të vrazhda, ku fatkeqësisht ky politizim prek mësuesit kur qeveritë ndërrohen. Si Ministri do të punojmë që drejtorët dhe mësimdhënësit të mos punësohen asnjëherë në bazë të politikës, por në bazë të arritjeve dhe shkathtësive të tyre.”, ka thënë Bajrami duke kujtuar se po përmbushet një nga kërkesat e Sindikatës së Arsimit në kuadër të Kontratës Kolektive. Mësimdhënësja e Shkollës së Mesme të Lartë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, Eldita Mullahasani ka theksuar se fakti që ajo është njëra nga nënshkrueset e para të Kontratës për Mësimdhënësit e bënë atë edhe më përgjegjëse ndaj punës së saj. “Pata fatin dhe privilegjin që të jem njëra nga nënshkrueset e para të kësaj Kontrate, me shpresë se do të punojmë edhe më shumë, të avancojmë procesin edukativo-arsimor. Kjo Kontratë na bënë të ndihemi sa të privilegjuar, aq edhe të detyruar ndaj obligimeve tona, duke shpresuar se do ta zbatojmë ashtu siç duhet dhe siç e kërkon detyra e mësimdhënësit”, është shprehur ajo. Kontrata e Punës për Mësimdhënës është përgatitur nga MAShT në bashkëpunim me DKA-të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here