U miratuan projektligjet që i liberalizojnë vizat, serbët ankohen për përkthim të përqudshëm

0

Në seancën e sotme plenare, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët shqyrtuan për herë të dytë dhe miratuan nëntë projektligje që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Raportin me rekomandime, në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur (si komision funksional) lidhur me Projektligjin për Avokatin e Popullit e ka prezantuar deputetja Lirie Kajtazi, e cila ka kërkuar që projektligji të miratohet bashkë me amendamentet e propozuara.

Për Projektligjin kundër Diskriminimit, Raportin me rekomandime e ka paraqitur deputetja Teuta Haxhiu, kurse atë për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatat, e ka paraqitur nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj.
Sasha Millosovleviq ka paralajmëruar që deputetët nga radhët e Listës Serbe do të votojnë kundër këtyre ligjeve për shkak të përkthimit shumë të keq të tyre në gjuhen serbe. Ai ka thënë se deputetët serbë nuk janë kundër këtyre ligjeve dhe kundër procesit të liberalizimit të vizave, por thjesht nuk do t’i votojnë për shkak të gjuhës së përçudnuar serbe të përdorur gjatë përkthimit të tyre.

Raportin me rekomandime në emër të Komisionit për Lgjislacion, lidhur me Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e ka prezantuar Donika Kadaj-Bujupi. Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ndërkaq ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i i VV-së nuk do ta votojnë amendamentin nr. 7, lidhur me Këshillin Gjyqësor.

Albulena Haxhiu e ka paraqitur raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, siç e ka paraqitur raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka kërkuar që kryeprokurori i shtetit të jetë anëtari i KPK (me të drejtë vote), dhe ka polemizuar me deputetë nëse të drejtë përfaqësimi me votë ka edhe ndonjë i deleguar tjetër i prokurorit të shtetit.
Projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve, raportin me rekomandime për të cilin e ka paraqitur kryetarja e Komisionit për Integrimeve Evropiane, Teuta Sahatqija, ndërkaq, ka nxitur debat të nxehtë në Kuvend. Kanë diskutuar shumë deputetë për çështjen e ndjeshme të përgjimeve dhe në kontekstin e nevojës së sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ka pasur vërejtje , ndërkaq, për faktin që si komision funksional është caktuar komisioni për integrime Evropiane në vend të atij për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit, e ka paraqitur deputeti Armend Zemaj.

Të gjitha këto nëntë projektligje që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave janë miratuar me shumicë votash të deputetëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here