U LINDA NË KËTË KOHË, PËR TË MOS QENË KURRË I LIRË

0

FITIM SALIHU

“Mandingo” është roman i Kajll Onstotit i shkruar në vitin 1957 që paraqet një histori raciale të qëmotshme në jugun e ShBA-së. Në atë roman u bazua filmi amerikan me po atë titull i regjisorit Riçard Flleshër, i prodhuar më 1975. Regjisori Kuentin Tarantino vite më pas do e cilësonte – krahpërkrah filmit “Showgirls” të regjisorit holandez Paul Verhoven – si njërin nga dy shembujt e vetëm të dy dekadave të fundit të shekullit që një studio e madhe filmike bën një “exploitation film” me buxhet të lartë. Tarantino, sekuencën e filmit të tij “Django Unchained” nga dy luftimi i dy mandingove, e bazoi mu tek filmi i Flleshërit. Kurse, kritiku me nam i filmit, Robin Vud, e quajti “Mandingon” si filmin më të mirë për problemin racial që ka prodhuar ndonjëherë Hollivudi.

Uverturë e filmit nis me këngën blues “Born in this time”, kënduar nga Madi Uatërs ku teksti i saj mallëngjyes thotë: “U linda në këtë kohë, për të mos qenë kurrë i lirë.” Mjaftojnë vargjet e para të këngës që shenjon siparin e filmit për ta kuptuar se kemi të bëjmë me një film që merr parasysh jetën e zymtë dhe çnjerëzore të shumë njerëzve që iu mohua e drejta për të qenë njerëz.

Që në skenat e para të filmit shquajmë realitetin shtypës të Amerikës së shekullit XIX, ku skllevërit shiteshin e bliheshin prej pronarëve të bardhë si mall në pazar. Për ta vërtetuar kapacitetin e tyre fizik, blerësit potencial iu bënin prova absurde e bizare skllevërve, si p.sh. duke ua gjuajtur larg një gur për ta parë sesa shpejt mund të shkonin për ta marrë e për ta kthyer tek skllavopronari. Skena të ulta njerëzore shohim edhe kur blerësit potencial i kontrollojnë gjer në detaje zezakët në shitje, duke ua kontrulluar imtësisht deri edhe prapanicën (pos shëndetit të gojës,  dhëmbëve, shpatullave, etj.) se mos kishin hemoroide. Kur njëri nga skllevërit e vegjël sëmurej, për të nuk thirrej doktori i njerëzve, por veterinari. Skllevërve s’iu lejohej as e drejta e besimit dhe u thuhej se nuk kishin as shpirt pas vdekjes. Zotëria duhej t’ia merrte virgjërinë secilës skllave si shenjë e omniprezencës dhe hegjemonisë fizike dhe psikike mbi ta. Skllevërve s’iu lejohej as shkrim-leximi dhe në rast se ziheshin duke shkruar apo lexuar, pasonin dënime të rënda për ta. Zotëria i plantacionit, Xhejms Mejsën në rolin e Uarrën Meksuellit, i sëmurë nga reumatizma, shkel me dy këmbët mbi trupat e njomë të fëmijëve skllevër, sepse kështu mendohej se reumatizma kalon nga trupi i plakut fodull tek trupi i fëmijëve zezakë. Ishin po ata fëmijë që e kishin për detyrë t’i freskonin zotërinjtë me një flladitëse të madhe prej pendlash, pa guxuar t’i shihni asnjëherë drejt në sy, gjersa këta të fundit drekonin. Por ishin po ata fëmijë për të cilët zotërinjtë pretendonin se nuk kishin gjak njerëzor, në dallim prej fëmijëve të bardhë.

Filmi “Mandingo” zhvillohet në një plantacion skllevërish me emrin “Falconhurst”, dikund në Jugun e Thellë të ShBA-së, apo siç njihej si “Shtetet e pambukut”, pak para Luftës Civile. Por në disa skena regjisori i njohur Flleshër (regjisor edhe i filmit të njohur të vitit 1954 “Njëzetmijë lega nën det”) bart ngjarjen edhe jashtë atij plantacioni famkeq, duke na dhënë një pamje më të gjerë të shtypjes raciale në Luizianën dhe tërë Amerikën e viteve ’40 të shekullit XIX. Psh, përmes filmit kuptojmë se atëbotë ekzistonin pazare të njëjta, ku në një vend shitbleheshin edhe skllevërit edhe kafshët, duke mos e dalluar zezakun prej mushkave.

Gjersa paterfamilias Uarrën Meksuell është i rryer në bindjet e tij konservatore raciste, i biri i tij Hemondi (Perri Kingu) ka një qëndrim pakëz më liberal, por prapseprap qasja e tij ndaj skllevërve nuk i përngjan qasjes së njeriut ndaj njeriut. Janë prototipet më të spikatura të konservatorit e liberalit amerikan, që sado të dallojnë në nuanca, sërish janë pjesë e së njëjtës kupolë. Hemi (pseudonimi i zotërisë Hemond) në këto pazare blen një ‘mandingo’, një mashkull të fuqishëm zezak, mitin për forcën fizike e seksuale të të cilëve e kishte dëgjuar secili. Skena malicioze na dalin para sysh teksa shohim Hemondin me mandingon  tij, Midin (i luajtur prej bokserit profesionist amerikan Ken Norton), të cilin e fut të rrihet me skllavin e një zotërieje tjetër në qytet, teksa të bardhët anash flakëroheshin nga kënaqësia dhe vinin bast mbi fituesin e atij dueli dhëmbadhëmb të gladiatorëve të shekullit XIX. Midi dhe skllavi tjetër detyrohen jo vetëm të luftojnë mes vete gjer në vdekje, por edhe të përdorin dhëmbët për ta kafshuar njëri-tjetrin gjatë dyluftimit, sikur të ishin qen. Lart në ballkon, zotërinjtë e bardhë, zonjat aristokrate dhe tërë nomenklatura e një sistemi shtypës ekzaltohen duke parë dy njerëz që hahen mes vete gjer në vdekje.

Personazhi me emrin Agammenon, i luajtur nga Riçard Uardi paraqitet prej regjisorit si “zëri i arsyes”, i cili herë pas here ia përkujton mandingos Mid se po e luan shumë mirë rolin e kafshës luftarake të zotërisë, gjersa po lufton me zezakët e tjerë skllevër. Në një nga ato skena, Agamemnoni e provokon Midin duke ia parashtruar pyetjen “Kur do ta mësosh ngjyrën e lëkurës sate, Mid?!” Kjo fjali është sa domethënëse aq edhe subversive në rendin e logjikën e kohës. Tentativat emancipuese të Agamemnonit janë aluzione të parakohshme të Fanonit apo Malkolm X-it, të thëna ex ante dekada para, më thjesht dhe në mënyrë më lakonike.

Por jo secilit skllav në film i mungon vetëdija politike dhe disa prej tyre shquajnë prangat e veta se zënë të lëvizin, siç do të thoshte Roza Luksemburgu. Një pjesë e tyre vendosin të rebelohen kundër zotërinjve të plantacioneve. Të prirë nga skllavi Cicero, një Spartak amerikan i shekullit XIX, disa prej skllevërve kapin pushkën dhe kërkojnë lirinë e vetes. Vazhdojnë luftën fytafyt por nuk i përkrahin skllevërit e plantacioneve tjera. “Skllëver, bij skllevërish, lirinë s’e meritoni, se liri s’doni” – kish për t’i nëmur tërë pezëm ndonjë Nol i zhgënjyer i kohës. Por, ajo që është interesant është skena e dialogut mes Midit dhe Cicerosë. Midi i ndërsyer prej pronarit Hemond e kap diku në mal Ciceronë e plagosur, por ajo që pason në bashkëbisedimin e tyre të lë përshtypje. “Ti mund të më kapësh dhe të më dërgosh në litar, por tërë jetën në ndërgjegjie do e kesh që ti e vare një vëlla zezak.” Mandingoja Mid e lëshon Ciceronë që të ik, edhepse më pas ai do kapej prej ushtarëve të bardhë dhe do varej. Edhe teksa e varnin, Ciceroja vulos fatin e tij si peronazhi më radikal i filmit, duke thënë: “Unë së paku s’po vdes si skllav. Pasi që të vdes, puthmani bythën”.  Midi teksa e shikonte të luhatej në litar, i bien ndërmend fjalët e tij. Nuk di ç’po mendon, nuk di çfarë i tha ai. E di që dëgjoi diç ndryshe dhe në mendje po i silleshin gjëra të reja si elikzir. “Nëse s’më pyesin e di përgjigjen, nëse më pyesin nuk e di”, thoshte dikur filozofi Shën Agustini kur e pyesnin për konceptin e kohës. Aq dinte edhe Midi. Po e hante veten për fjalët që ia kishte mëkuar “black brother”-i Cicero. Sikur ai personazhi i “Pashallëqeve të Mëdha” të Kadaresë, bujku i Guvernës së Gjashtë i cili u gjet i rënë përmbys mbi baltë, me rroba të grisura, flokë të shkulur  e me fytyrën tërë gjak prej thonjve të vet. Pse ashtu? Në ato vise te “krra-krrasë” (siç i quan Kadareja zonat fiktive ku sipas tij ishin zbatuar politikat e asimilimit dhe shkombëtarizimit) këtij bujku i kishin ardhur si vegime fjalë të gjuhës së harruar dhe ai kishte qenë gati të bënte atë që s’e kishte bërë njeri para tij: të formonte mendim, të krijonte ide. Kështu ai kishte luftuar thonj më thonj me fytyrën e vet dhe me ato fjalë që s’po e linin rehat. Njëjtë, në vetvete Midi po bënte luftë me idetë e reja që ia trazuan shpirtin pas fjalëve që ia tha rebeli Cicero.

Pos Cicerosë në skenë kthehet prap Agamemnoni. Midi ka vazhduar të përdorej nga pronari Hemord në dyluftimet shtazarake me skllevër te tjerë, ku humbësi duhet të vdes. Pasiqë kthehet në “Falconhurst” pas një prej atyre ndeshjeve çnjerëzore, sërish është aty Agamemnoni për ta kritikuar. “Të lumtë, Mid! Jo secili zezak e ka mundësinë ta vras një zezak tjetër. Po vazhdove kështu, ka për t’u zbardhur lëkura”, i thotë me ironi Agamemnoni.

Ndërkohë në plantacion vijon jeta e tulatur e atyre skllevërve. Skena melankolike ku nënës i mirret foshnja nga krahët apo babait vajza flasin për kushtet e jetesës së këtyre njërzve të çnjerëzuar. Tërë kjo ndodh sepse zotërinjtë e kanë për interes të përshkardhin skllevër, qoftë edhe me çmimin e ndarjes së familjeve të tëra nga njëri-tjetri. Me po këtë logjikë edhe shumonin zezakët mandingo me skllave të reja, vetëm që të vegjlit pastaj t’ua shisnin në treg më shtrenjtë. Njëjtë siç ndodh edhe shumimi e tregtia e kafshëve. Anaprapthi, ajo që bie në sy tek familjet e bardha të kamura është imoraliteti, dekadenca, shthurrja, incesti, korrupsioni moral e material, tradhëtia, intriga e interesi. Këso familje aristokrate prodhon vetë kapitalizmi.

E xhindosur dhe e ndërkryer se si burri i saj Hemond e kishte bërë skllaven Ellen po sikur grua të dytë, zonja Bllençi (Suzanë Xhorxhi) e detyron që të bën seks me të mandingon Mid, të frikësuar nga ajo që mund ta gjente sikur ta kuptonte pronari Hemond. Zonja Bllençi mbetë shtatzënë me Midin, por gjatë tërë kohës e gënjen Hemondin se fëmija është i tyri. Bllençi na del një personazh i ngjashëm me Përll Çavezin e filmit western “Duel in the Sun” (1946), një rebele ndaj patriarkalizmit që kritika akademike e filmit do e quante “një feministe që pretendonte në të drejtën për ta përjetuar epshin po sikurse burri…” Në anën tjetër, Hemondi e posaçërisht babai i tij konservator, Uarrëni, janë tejet të gëzuar që më në fund familja dhe plantacioni “Falconhurst” po fiton një trashëgimtar. Ajo që ndodh kur Bllençi lind bebën është e papërfytyrueshme dhe shfytyruese. Fëmija del i zi. Mjeku ia mbyt fëmijën Bllençit, pos për ta larë turpin e fëmijës jashtëmartesor, para së gjithash, për ta zhbërë të pamundurën – që një nënë e bardhë të lind një fëmijë të zi (!). Në fakt i tërë strumbullari i filmit “Mandingo” është ky:  pronarët e bardhë i shohin si pronë dhe i shtypin jo vetëm zezakët por edhe gratë e bardha. Këtu del karakteri i vërtetë i “liberalit” amerikan. Ky rast nxjerr në shesh karakterin e ndrydhur të një patriarku e racisti konservator. Hemi, që dikur i thoshte skllaves Ellen se “asnjë grua e bardhë a zezake s’do ia zinte vendin asaj” përfundon duke iu hakërryer se “edhepse ishte vajza e shtratit të tij, s’duhet të harronte se në fund të fundit mbetej vetëm një nigger”. Kur e merr vesh Hemond ç’ka ngjarë atë natë mes Midit dhe Bllençit, e helmon këtë të fundit dhe ajo vdes. Radhën e ka mandingoja Mid. E fut në një kazan me ujë që vlon për ta lënë aty të përvlohet e të vdes dalë-ngadalë. Në ndihmë Midit i del sërish Agamemnoni, por kësaj radhe jo për t’i thënë sesi ishtë shndërruar në një kafshë luftarake, por për ta shpëtuar. Ai vret patriarkun Uarrën dhe sakaq ikin së bashku me Midin.

Ky është fundi i filmit por jo edhe i skllavërisë në Amerikë. Do duheshin vite të tëra që Amerika të ndryshonte. Që prej abolacionistëve të epokës së Luftës Civile e gjer tek lufta e armatosur e radikalëve të “Black Panther Party”, breza të tërë amerikanësh, të bardhë e të zi, luftuan për emancipim shoqëror dhe dhënie fund të skllavërisë dhe segregacionit racist. Edhe në ditët e sotme, zezakët vazhdojnë luftën për barazi të plotë, dhe që prej teksteve të këngëve të “2 Pac”-ut e gjer tek ngjarjet e fundit në Ferguson shohim se si shoqëria amerikane akoma nuk e ka lënë krejtësisht pas vetes dallimin racist.

Filmi “Mandingo” ka shumë vend për kritika. Që prej realizimit jo të kënaqshëm skenik, imazhit skopik të dobët e gjer tek shtjellimi i cekët i tematikës së skllavërisë. Ajo që regjisori Flleshër ka bërë me pak fjalë është reduktimi i skllavërisë në raporte personale/seksuale. Shumë pak shohim skena të zezakëve që skllavërohen në procesin e punës së tyre çdominutëshe në plantacion, e shumë më shumë kemi paraqitje të raporteve seksuale, thuase skllavërimi ka ndodhur vetëm për arsye të tilla. Në fakt, skllavëria është rend kryekëput ekonomik. Sistemi i vlerave të kohës ka qenë pastaj produkt i atij bazamenti. Skllavëria në instancë të fundit ishte marrëdhënie prodhimi me shumë pak shpenzime dhe shumë të ardhura të pamata që bëhej në kurriz të skllevërve.

Bashkë me avanpostin e tij, klasikun “Gone With the Wind” (1939) të regjisorit Viktor Flleming, “Mandingo” e Flleshërit është një cytje për ta zhbiruar temën e skllavërisë, por akoma shumë larg thelbit të vet. “Mandingo” u prit keq prej pothujse tërë kritikës së ShBA-së dhe në dy-dre dekadat pasuese është shfaqur tejet pak nëpër kinematë amerikane. Një pjesë e fajit për këtë lirisht mund t’i lihet edhe mendësisë së tillë që rend ta harrojë apo shfaros çdo kujtim nga e kaluara e skllavërisë, një prej shpikjeve më të krupshme dhe çnjerëzore të mendjes së njeriut (madje në “New York Times”, kritiku që e quante filmin “të pamoralshëm” e arsyetonte këtë vetëm me fjalët “filmat që s’më pëlqejnë mua janë të pamoralshëm”). Por skllavëria është një plagë që vëngon shungullueshëm edhe sot në veshët tonë dhe s’mund e s’duhet të injorohet assesi. E, filmi “Mandingo” është “syri që nuk mund ta mbyllim kurrë”, shkruante në reçencën e tij kritiku Xhon Berger.

Edhepse nuk ia del ta vendos në thelb paradigmën ideologjike, “Mandingo” është film që e kap atë përciptazi dhe e shtjellon problemin e racës, klasave dhe gjinisë. Prandaj, “Mandingo” e Flleshërit nuk është film polisemik dhe s’ka se si të intepretohet ndryshe. Është diatribë e shumë gjeneratave që u lindën, u rritën dhe vdiçën si skllevër pa e ditur kurrë se ç’është liria. Sikur personazhet e Tuejnit tek “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur”, ku shkrimtari thotë se: “në qoftë se keni lindur dhe jeni rritur në pushtetin e mbretit  dhe aristokracisë, ju s’mund ta kuptoni se jeni në një gjendje poshtëruese dhe nuk do të besoni në qoftë se dikush do t’iu flasë për këtë gjë” dhe kështu rronin jetën e tyre prej skllavi “vetëm që t’i puthnin pëqinë zotërisë, klerit dhe aristokracisë, t’i shërbenin si skllav, që ta derdhnin gjakun për ta; që duke vdekur urie t’i ushqenin ata; që, duke punuar t’iu jepnin mundësi atyre të dëfrenin; që, duke duruar skamjen dhe mjerimin, t’i bënin ata më të lumtur; që, duke ndenjur lakuriq, t’u jepnin atyre mundësi të visheshin në mëndafsh dhe të stoliseshin me xhevahirë… që, duke u bërë zotërinjve lajka, të dëgjonin nga goja e tyre vetëm sharje për tërë jetën…”

Ndonëse “Mandingon” shumë kritikë filmi e kanë aplauduar si një grusht ndaj racizmit, ata lajthitin kur thonë se “nëjtë sikurse Hemondi që bën seks me një zezake edhe Midi bën seks me një grua të bardhë”. Në fakt, kemi të bëjmë me një burrë të bardhë që e detyron të bëjë seks një skllave zezake dhe kemi një grua të bardhë që e detyron të bëjë seks një skllav zezak. Në dy rastet i bardhi detyron zezakun Përkundër skenave të seksit dhe dhunës sadiste, “Mandingo” nuk ia del ta tejkalojë sinorin propagandistik të Hollivudit dhe zë në thua në përshkrimin dhe përshkimin e thukët dhe didaskalik të temës së skllavërisë. Por, siç shkruante filozofi i shquar i së majtës, Zhak Ransier, “historia e kinemasë është histori e pushtetit për të krijuar histori.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here