Turbelencat e frikës

0

SALAJDIN SALIHU

Ditët bëhen më të trazuara e më kërcënuese. Shoqëria bëhet më e polarizuar dhe më kontradiktore. Kontradiktat, në rastin më të keq, prodhojnë konfrontime të ndryshme dhe të paparashikueshme. Varet se çfarë agjende ka djalli.

Qytetarët vazhdojnë ta vuajnë diktaturën e asnjanësisë e frikës, por e ndjejnë se nuk mund të jenë përgjithmonë asnjanës.

Beteja e trishtë ka filluar, por nuk mund të paramendohen pasojat që mund t’i sjellë përplasja më shumë se sa politike.

Tronditjet e këtilla mund të sjellin marrëzi që cenojnë fate njerëzore, veçanërisht kur politika e humb fytyrën humane dhe kur karrierat politike ndërtohen mbi bazamentin e egërsisë.

Lufta për pushtet nuk është lojë fjalësh e komentimesh në rrjetet sociale dhe as nuk është spektakël. Aty ku janë interesat e mëdha, aty janë edhe tronditjet e mëdha.

Maqedonia e kohëve të fundit i ngjan një avioni që përballet me turbulenca të fuqishme ajrore, me pilotë të paparashikueshëm dhe pasagjerë të habitur e të frikësuar për të ardhmen e tyre. Por frika e ushqen djallin.

Regjimi tenton që turbulencat të duken sa më të frikshme, sepse kur njeriu frikësohet për jetën e tij, gjithçka tjetër e nxjerr në plan të dytë. Aty ku ngjallet frika, humbet mençuria.

Pikërisht për qëllime të këtilla strukturat shtetërore duan të ruajnë shoqërinë e frikës që vetë e kanë sajuar. Nëpërmjet frikës tentohet mobilizimi dhe homogjenizimi i njerëzve përballë një “rreziku të jashtëm”.

Konfliktet mund të jenë me leverdi për ata që e parandiejnë humbjen. Regjimeve të korruptuara u duhen konfliktet, përveç kur janë kundër tyre.

Ekuipazhi qeveritar deri tani e ka homogjenizuar pjesën dërmuese të maqedonasve, duke krijuar perceptimin e shpëtimtarit, rilindësit, të autoritetit moral.

Elitat politike shqiptare kanë qenë të pafuqishme për të ndalur hovin e dalldive nacionaliste të regjimit.

Afera e fundit e rrënon pikërisht këtë bazament mbi të cilin është ngritur kështjella e këtij pushteti. Qytetarët do të binden gjithnjë e më shumë se idealet e mëdha ishin streha e mashtruesve, por kjo do të ndodhë kur do ta fitojnë betejën me frikën e tyre të brendshme. Për këtë shkak, regjimi nuk do që të evitohen turbulencat frikënxitëse.

Nuk e dimë edhe sa kohë do të rrotullohet orteku i tij, as çfarë dëmesh do të shkaktojë. E dimë se shqiptarët nuk mund të jenë gjithmonë asnjanës ndaj trazimeve në shoqëri, për sa kohë janë pjesë e saj dhe për sa kohë asnjanësit i pret ferri. Por ata duhet të jenë të kujdesshëm që të mos bëhen pjesë kauzash të huaja dhe qëllimesh meskine politikanësh të djeshëm e të sotëm.

Dilema më e madhe është nëse kemi klasë të zgjuar politike që di të nxjerrë më të mirën e mundshme në kohë turbulencash të mëdha apo ajo e ka humbur çdo kontakt me realitetin.

Ka politikanë shqiptarë që nuk e besojnë rrokullisjen e ortekut, sepse përfitimi ua ka errësuar vetëdijen. Ata përkundër përfitimeve të çastit sërish nuk do të jenë fituesit.

Si qytetarë me vetëdije kritike dhe me esëllti qytetare nuk duhet të lejojmë të bëhemi pjesë ekzibicionesh të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e kombit. Nuk kemi qenë përherë në rrjedhën e duhur të historisë. Kemi punuar dendur në dëmin tonë, të bindur se bëjmë punë të dobishme. Djalli gjithnjë ka qenë i fshehur brenda qenies sonë.

Në këtë kohë turbulencash emocionet janë të dëmshme, ashtu sikurse gjakftohtësia e pakuptimtë, veçmas kur pilotët qëllimisht nuk i evitojnë turbulencat vetëm për t’i frikësuar pasagjerët, me qëllim që të mposhtin mençurinë e tyre.

Ditët e mira paskëtaj vijnë, me urti e jo me nguti, dhe jo me ata që e krijuan dhe e mbajnë gjallë gjithë këtë trishtim.

Portalb

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here