Trupi gjykues në rastin Ivanoviq nuk pranon dëshminë e Mahmut Halimit,ish- gjykatës

0

Trupi gjykues në rastin e liderit të SDP, Oliver Ivanoviq, dhe katër serbëve të tjerë, ka vendosur të mos e dëgjojë dëshminë e Mahmut Halimit, ish-gjykatës dhe tani avokat.

Dëshmitari i 17-të i Prokurorisë, Mahmut Halimi, ish-gjykatës, ka qenë në gjykatore vetëm rreth 15 minuta, është përgjigjur në disa pyetje të prokurorit Mihalçuk, pas të cilave trupi gjykues vendosi të mos e dëgjojë dëshminë e tij, pasi që në procesin gjyqësor ndaj Ivanoviqit, në vitin 2002, ishte gjykatës hetues.

Për ta marrë në pyetje Halimin hoqën dorë edhe prokurori, avokatët por edhe trupi gjykues.

Njëri prej avokatëve të Ivanoviqit, Lubomir Pantoviq, ka vlerësuar se prokurori në mënyrë të “pandërgjegjshme” është përpjekur të dëshmojë fajësinë e Oliver Ivanoviqit, duke sqaruar se ai e bëri këtë në atë mënyrë, që duke i shtruar pyetje, të nxjerrë nga Halimi përgjigje për çështjen që ka përfunduar në procesin e mëhershëm gjyqësor, në vitin 2002, që ishte udhëhequr ndaj Oliver Ivanoviqit.

“Dëshmitë nga procesi i parë nuk mund të shfrytëzohen në procesin e tashëm gjyqësor ndaj Ivanoviqit, por vetëm dëshmitë që trupi gjykues i merr drejtpërdrejt nga dëshmitari”, ka thënë Pantoviq, sipas të cilit, prokurori Mihalçuk pësoi debakël në seancën e së enjtes.

“Prokurori po përpiqet që nëpërmes të shumë dëshmitarëve dhe duke u shtruar pyetje me orë të tëra të nxjerrë dëshmi që e bëjnë fajtor Ivanoviqin”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

Ndërkaq, në seancën e së enjtes, ka dëshmuar dëshmitari i parë i mbrojtjes, Liman Abazi, të cilit më 14 prill të vitit 1999, në “Rrugën e Kovaçëve” në Mitrovicë i ishin vrarë djali i xhaxhait dhe dhëndri.

Ai ka folur në detaje për ngjarjen kur ishin vrarë mbi 20 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe të afërmit e tij, por me asnjë fjalë nuk e përmendi Oliver Ivanoviqin.

Ai ka thënë se nuk e ka parë Oliver Ivanoviqin aty më 14 prill, të cilin siç tha ai, e njeh për më shumë se 30 vjet.

Sipas dëshmitarit Abazi, persona të uniformuar dhe të maskuar kishin urdhëruar të gjithë që të dalin nga shtëpitë e tyre, se pastaj kur kanë dalë jashtë i kanë ndarë burrat nga gratë dhe se disa kanë marrë drejtimin nga Stacioni i Autobusëve, ndërsa 4 prej tyre janë vrarë në vend.

Ai tha se personave të uniformuar dhe të armatosur u shiheshin vetëm sytë, andaj nuk ka mundur ta identifikojë asnjërin prej tyre.

Ndërkohë, prokurori Mihalçuk, nuk ia shtroi asnjë pyetje dëshmitarit të mbrojtjes.

Pas përfundimit të seancës së të enjtes, para gazetarëve kanë dalë avokatët e Ivanoviqit, Nebojsha Vallajiq dhe Lubomir Pantoviq, të cilët thanë se trupi gjykues ia ka tërhequr vërejtjen prokurorit Mihalçuk që të mos i shfrytëzojë dëshmitë anësore dhe të mos thirret në dëshmi nga dora e dytë dhe e tretë, përcjell “Zëri”.

“Në mëngjes, prokurori ka dashur ta marrë në pyetje dëshmitarin Mahmut Halimi, gjykatësin hetues të atëhershëm, tani avokat nga Mitrovica, për të cilin, si dhe për dëshmitarët tjerë, kemi thanë se janë irelevantë dhe në këtë mënyrë trupi gjykues ka refuzuar ta dëgjojë”, tha Vllajiq, duke shtuar se gjykatësja Komsha nuk deshi ta dëgjojë, me arsyetimin se Halimi nuk ka për çka të flasë pasi që nuk është dëshmitar okular i ngjarjes.

Mirëpo, avokatët e Ivanoviqit folën mirë për dëshmitarin e mbrojtjes (e tyre), Liman Abazi.

“E keni parë, ai ishte dëshmitar direkt dhe pjesë e ngjarjeve të 14 prillit 1999 dhe ai sot ka treguar shumë qartë se të gjithë personat e armatosur ishin të maskuar, se nuk ishte e mundur të njihej asnjëri prej tyre dhe absolutisht me asgjë nuk ka mundur të thotë se Oliver Ivanoviqi ishte aty atë ditë. Përkundrazi, ato që i tha ai (Abazi) demantojnë dëshmitarët e parë, të cilët e kanë përmendur Ivanoviqin si pjesëmarrës në ngjarjet e 14 prillit të vitit 1999 në lagjen e Kovaçëve”, tha Vllajiq.

Gjykimi ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, të cilët aktakuza i ngarkon për krime lufte, si dhe për vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës në shkurtin e vitit 2000, do të vazhdojë të premten, ku nëpërmes të video-linkut do të dëshmojë dëshmitarja Shebahaze Cernabregu.

Ndërkaq, të hënën, do të dëshmojë Halit Barani, kryetar i QR të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, i cili konsiderohet si dëshmitari kyç për ngjarjet në të cilat ishte përfshirë Oliver Ivanoviq, gjatë luftës dhe pas lufte në veri të Mitrovicës./Zëri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here