Trupi gjykues i Eulex-it nesër shpallë vendimin për grupin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”

0

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, nesër (të mërkurën) trupi gjykues i misionit EULEX pritet të shpallë verdiktin ndaj grupit të njohur “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, të pjesëtarëve të dikurshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pretendimet e Prokurorisë që janë përfshirë në aktakuzën e ngritur më 6 nëntor të vitit 2011 në vazhdimësi janë hedhur poshtë nga të pandehurit si dhe nga avokatët e tyre.

Këta të fundit këto mohime i kanë bërë edhe gjatë fjalëve të tyre përfundimtare të dhëna në përfundim të administrimit të provave në këtë proces.

Avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të dyshuarit Ismet Haxha, ka bërë të ditur për KosovaPress se beson në aktgjykim lirues jo vetëm për klientin e tij, por për të gjithë të pandehurit në këtë çështje penale.

Sipas tij, çdo vendim tjetër do të ishte i pajustifikueshëm dhe i paligjshëm.

“Duke pasur parasysh shqyrtimet gjyqësore maratonike, besoj në aktgjykim lirues jo vetëm për klientin tim, por për të gjithë të pandehurit në këtë çështje penale, për arsye se në asnjë rast dhe në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar teza e akuzës. Andaj, jam i bindur se as prokuroria nuk ka qenë në nivelin e mundësive të veta që të dëshmojë fajësinë e klientit tim, por edhe të zotërinjve tjerë. Përveç aktgjykimit lirues, çdo vendim tjetër do të ishte i pajustifikueshëm, i paligjshëm dhe do ta vente në pikëpyetje të madhe aspektin e garancive të të drejtave dhe lirive të njeriut para ligjit dhe barazisë së tij para atij ligji”, ka thënë mes tjerash Halimi.

Edhe avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të dyshuarit Sahit Jashari, ka shprehur mendim pothuajse të njëjtë.

I kontaktuar nga KosovaPress, ai u shpreh i bindur për një aktgjykim lirues që do të ndodhë për klientin e tij, por edhe të tjerët.

“Unë besoj për një aktgjykim lirues për Sahit Jasharin, por edhe për të tjerët, sepse gjatë gjithë atyre seancave gjyqësore të cilat kanë filluar para rreth një viti, nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Sahit Jashari ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar nga ana e prokurorit dhe unë shpresoj dhe besoj se trupi gjykues do të marr një aktgjykim lirues”, theksoi Rrecaj, duke shtuar se çdo vendim tjetër nuk do të ishte i drejtë.

Në grupin “Drenica 1” të pandehur janë Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Jahir Demaku dhe Avni Zabeli, ndërsa në grupin “Drenica 2” Sylejman Selimi, Agim, Bashkim, Driton e Selman Demaj, Fadil, Jahir, Nexhat dhe Zeqir Demaku, si dhe Isni Thaçi.

Të gjithë këta akuzohen se kanë kryer krime lufte ndaj popullatës në një qendër të ndalimit në Likovc të Drenicës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here