Trump: Qeveria nuk hapet pa u plotësuar kërkesa për murin me Meksikën

0

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, nuk dukej se ishte më pranë zgjidhjes, pasi Presidenti Donald Trump tha sot se do të vazhdojë deri kur të plotësohet kërkesa e tij për fonde për ndërtimin e murin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës,

“Nuk ju them dot se kur do të rifillojë punën qeveria. Mund t’ju them se nuk do të hapet deri kur te kemi një mur, një gardh, çfarëdo që të duan ta quajnë”, tha presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë

Trump tha se edhe qindra-mijëra punonjës federalë që janë pezulluar për shkak të mbylljes së qeverisë, janë dakord me ndërtimin e murit, pavarësisht se nuk ka prova që e mbështesin një pretendim të tillë.

“Asgjë e re për mbylljen e qeverisë. Asgjë e re, përveçse që na duhet siguria e kufirit”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Udhëheqësit demokratë në Kongres po fajësojnë Presidentin Trump për “zhytjen të vendit në kaos”.

“Administrata Trump as nuk ka shpenzuar dot fondet për sigurinë kufitare të vitit të kaluar. Pra, mbyllja e qeverisë prej tij nuk ka lidhje me sigurinë kufitare. Po ndodh pasi Presidenti Trump kërkon miliarda dollarë për një mur të kushtueshëm dhe joefikas që shumica e amerikanëve nuk e mbështesin”, deklaroi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer.

Presidenti kërkon 5 miliardë dollarë për ngritjen e një muri përgjatë kufirit SHBA–Meksikë. Demokratët kanë refuzuar kategorikisht dhe kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë me objektiv sigurinë kufitare.

Ndërsa vazhdojnë të jenë të hapura agjencitë qeveritare të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë publike, departamentet e tjera janë të mbyllura dhe rreth 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar nga puna.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here