Tronditet Tirana, vritet ish polici, më parë i ishin vrarë edhe dy vëllezër

0

Vrasje në pasditën e sotme në Tiranë. Mësohet se 50-vjeçari- Arben Bilali, ish punonjës i policisë, është qëlluar brenda automjetit tip “Hyundai” me targa, AA69864HI. Viktima ka qenë i ulur në sediljen e pasme dhe ndoshta automjeti ishte gati për tu nisur.

Personat që i bënë atentatin e llojit mafioz lëviznin me një automjet tip “Benz” dhe kanë qenë të maskuar.  


Vrasësit kanë qëlluar nga pjesa e pasme e makinës, duke e bërë atë shoshë.  Krimi ka ndodhur pranë vendit ku iu vra i vëllai rreth 9 vjet më parë.

Ndërkohë, policia ka bllokuar të gjitha rrugët kryesore me shpresën se do të mund të kapë vrasësit.

Gazeta Shqip ka zbuluar të shkuarën e familjes së ish-policit të vrarë, e cila mund të ketë çuar deri në atentatin e sotëm ndaj tij. Fillimisht ka ndodhur një atentat ndaj Arben Bilalit në maj të viti 2010 pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, por ish-polici i shpëtoi mrekullisht sulmit me armë.

Më pas seria e sulmeve ndaj familjes Bilali vazhdoi 10 gusht të 2010-ës, kur ish-policit i vranë të vëllain, ish-mundësin e ekipit të “Dinamos”, Leonard Bilali.

Vëllai i viktimës së ditës së sotme sapo ishte kthyer nga Italia, ku qëndronte si emigrant kur u qëllua me katër plumba pistolete, teksa ishte ulur në një nga tavolinat e lokalit “Shijaksburg” në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet.

Leonard Bilali u transportua asokohe me shpejtësi në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve që kishte në trup dhe në kokë. Policia i përqendroi atëherë hetimet në pistën e hakmarrjes ose një sherri të çastit në lokalin ku ai ndodhej. Vëllai i ish-efektivit të policisë, kishte pasur konflikt fizik me një person vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Italia në muajin korrik 2010.

Por policia asokohe hetoi edhe problemet e konfliktet e Arben Bilalit, i cili ka qenë ish-oficer i Forcave të Rendit. Policia kishte dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai 27-vjeçar i ish-oficerit.

Leonard Bilali afërsisht një muaj para ekzekutimit kishte qëndruar në vilën e familjes së tij në zonën e Selitës, ndërkohë që sipas fqinjëve shihej darkave nëpër lokalet që ndodhen në zonën e quajtur stacioni i parafundit i Tiranës së Re.

Ndërkohë në vitin 1998 Arben Bilalit i është vrarë vëllai tjetër, Bujar Bilali. Që prej vrasjes së dy vëllezërve, Arbeni ishte ngujuar. Ai bënte lëvizje të kontrolluara dhe dilte shumë pak nga banesa. Deri më tani për vrasjen e dy vëllezërve të tij, nuk ka asnjë të dënuar.

Vet Arben Bilali, ish-oficer i Forcave të Rendit, u qëllua me pistoletë në ditët e para të muajit maj të 2010, kur ndodhej në një bar tek ish-stadiumi “Dinamo”. Ai i shpëtoi atentatit pasi mori mjekim në spital pas dy plagëve të marra në lokal nga të shtënat me pistoletë. Ish-polici, në shënjestër të këtij atentati ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë edhe pse zyrtarisht nuk ishte pandehur asnjëherë për këtë krim. Policia ka dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai i ish-oficerit.  Uniformat blu, edhe pse fillimisht folën për një ngjarje me motive banale, nuk lanë pas dore dhe pistën e hakmarrjes.

Atë kohë, policia shoqëroi në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës mikun e Arbenit, me të cilin po pinte kafe në momentin e atentatit, si edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Emin Duraku”.

Ekspertët shqyrtuan provat e mbledhura nga këqyrja e vendit të ngjarjes, gjurmët, si edhe dy gëzhojat e pistoletës “Zastava”, pasi plumbat kishin mbetur në trupin e të plagosurit, mbi të cilin mjekët kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale për ta mbajtur në jetë.
Arben Bilali, atë kohë 41 vjeç, banues në Selitë, mbeti i plagosur rëndë, në rrugën “Emin Duraku” në krah të stadiumit “Selman Stërmasi”, nga persona të panjohur. Ai u qëllua nga afër, me pistoletë. Ish-polici u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Nga deklaratat e policisë mësohet se 41-vjeçari, kishte marrë dy plagë, një në bark dhe tjetrën në gjoks, nga të shtënat e personit të panjohur, që ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas realizimit të atentatit të paramenduar.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here