Treshja opozitare: Të largohet Qeveria që e shkeli Kushtetutën

0

Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, kanë vazhduar sot të kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Mustafa.

“Marrëveshja për themelimin e ‘Zajednicës’ duhet të bjerë në tërësi, kurse ata që e kanë shkelur Kushtetutën duhet të japin dorëheqje”, kanë thënë përfaqësuesit e tyre në një konferencë shtypi.

 

Më poshtë mund ta lexoni të plotë komunikatën e lëshuar pas konferencës, nga partitë opozitare:

 

“Të largohet Qeveria që e shkeli Kushtetutën

 

Subjektet opozitare mbajtën sot konferencë për media, ku u tha se marrëveshja për themelimin e “Zajednicës” duhet të bjerë në tërësi, kurse ata që e kanë shkelur Kushtetutën duhet të japin dorëheqje.

“Kur Gjykata thotë që shumica e kësaj marrëveshjeje është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë i bie që ajo në tërësi nuk mund të zbatohet. Për ne kjo marrëveshje është e vdekur. U vërtetua se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dhe qeveria e tyre e kanë shkelur kushtetutën dhe kështu ne kërkojmë sa më shpejt largimin e tyre ose dorëheqjen”, tha Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri.  Ai shtoi se nuk do të lejohet që kjo klikë antikushtetuese ta vazhdojë dhunimin e Kushtetutës, zaptimin e shtetit, rrënimin e Republikës e përdhosjen e lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi vendimin e Gjykatës e ka quajtur triumf të qytetarëve. “Dy marrëveshjet që kanë dëmtuar shumë interesin e Kosovës, imazhin e Kosovës, kanë treguar se këta liderë janë të shantazhuar dhe ka treguar që qytetarët nuk mund të durojnë një gjë të tillë dhe këtë e kanë dëshmuar qytetarët me protesta e peticion”, tha ndër të tjera Isufi .

Gjatë kësaj konferencë që është një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u insistua në dorëheqjen e Qeverisë. “Për të gjithë është e qartë se me vendimin e djeshëm të Gjykatës ka një moment të ri juridiko-politik në Kosovë dhe për këtë duhet të reflektojmë të gjithë. Hapi i parë i reflektimit është se Qeveria duhet të japë dorëheqje sepse u vërtetua se janë shkelës të Kushtetutës dhe është hap i parë për të dalë nga kriza e madhe që e ka kapluar Kosovën”, ka thënë kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ai ka përmendur edhe rastin e ish – presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu ku pas konstatimit të Kushtetueses kishte dhënë dorëheqje. “Ai nuk ka mundur që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit në LDK dhe të vazhdojë të jetë president pasi ishte evidentuar si shkelje kushtetuese”, tha më tej Limaj.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here