Treshja opozitare i thërret institucionet të mos e formojnë Gjykatën Speciale

0

Drejtuesit e tri partive opozitare, Lëvizjes VETEVETNDOSJE, AAK-së dhe Nismës për Kosovën u kanë bërë thirrje sot udhëheqësve të institucioneve, që t’i ndërpresin menjëherë të gjitha veprimet politike e institucionale për ngritjen e Gjykatës Speciale.
Në një letër të hapur drejtuar presidentes, kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe zëvendëskryeministrit të parë, udhëheqësit e partive opozitare shkruajnë se ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme kërkojnë “pezullimin e dispozitave kushtetuese lidhur me sovranitetin e pushtetit gjyqësor. Ky nuk është delegim i sovranitetit. Kjo është heqje dorë nga cilësia parësore e shtetit pra, funksionimi sovran”.
Në letër thuhet se udhëheqësit e institucioneve nuk kanë “as të drejtë kushtetuese juridike e as legjitimitet demokratik që të dorëzojnë sovranitetin i cili buron nga populli si e drejtë e patjetërsueshme e tij”.
Në letër kundërshtohet edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese, e cila më 15 prill të këtij viti tha se ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
“Ju, katër udhëheqësit institucionalë të Republikës së Kosovës nuk e keni as të drejtën as mandatin e as autorizimin ta suprimoni sovranitetin e vendit. Amendamenti kushtetues nuk duhet të sillet për votim në Kuvend. Prandaj kërkojmë nga Ju që menjëherë t’i ndërprisni të gjitha veprimet politike e institucionale në këtë drejtim”, thuhet veç tjerash në letrën e nënshkruar nga Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Të premten më 29 maj, parlamenti i Kosovës, shtyu për kohë të pacaktuar debatin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme. Vendimi për shtyrje që u votua nga shumica e deputetëve pasoi propozimin Partisë Demokratike, në pritje të projektligjit që është hartuar nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësues të opozitës thanë se arsyeja e vërtetë e shtyrjes ishte mungesa e votave të mjaftueshme të partive në pushtet, meqë edhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike ishin shprehur kundër gjykatës. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Gjykatën kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe mbështetjen e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.
Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i parlamentit mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjë që do të ishte e dëmshme për Kosovën.
Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, e cila do të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here