Topalli kundër Bashës: Nuk bëmë asnjë hap të madh përpara, harta është thuajse mavi

0

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, aktualisht deputete e Partisë Demokratike, në një status të bërë në ‘Facebook’ ka shprehur shqetësim për humbjen e thellë që ka pësuar kjo forcë politike. Sipas Topallit, zgjedhjet e 21 Qershorit 2015 nuk plotësuan standardet, por edhe kjo nuk është se nuk dihej. Pavarësisht rezultatit të dobët, ish-kryetarja e Kuvendit thotë se ASHE është ajo që ka humbur më shumë në këto zgjedhje.

“Mbrëmë pas mesnate, shumë të rinj më uronin pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar për Shkodrën. Ato kishin qenë edhe komisionere dhe me të drejtë ishin aq të lumtur që ia kishin dalë me një rezultat pozitiv për qytetin tonë të dashur.

I njoh personalisht këta të rinj e të reja, e di sa idealistë janë, sa u shkëlqen fytyra nga shpresa për jetën, edhe pse shumë janë të papunë, e di sa shumë kanë punuar, e mbi të gjitha e di sa borxh i kemi këtij brezi.

E kuptoj se duke qenë me ditë të tëra të përfshirë në procesin e numërimit, ndoshta nuk kanë ndjekur rezultatet në të gjithë Shqipërinë, ndoshta mbrëmë ishin aq të gëzuar sa nuk kujtoheshin për rezultatet në tërësi, ndoshta ndonjëri kishte lexuar me titra ose kishte dëgjuar se në shkallë republike, PD kishte bërë hap para apo se kjo ishte fitore.

Unë me shpirt i përgëzova të rinjtë dhe, po ashtu, falënderoj qytetarët e Shkodrës, demokratët, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe i uroj suksese e punë të mbarë Voltana Ademit. Por unë jam e trishtuar për rezultatin në shkallë republike.

Më mirë se kushdo tjetër e di sa e vështirë është të jesh në garë, kur vota blihet, kur bandat intimidojnë e frikësojnë. Por këtë e dinim, qe nga qershori i 2013-s dhe më pas në zgjedhjet e Korçës, kur u pa me zë dhe figurë si blihej vota.

Zgjedhjet e 21 Qershorit 2015 nuk plotësuan standardet, por edhe kjo nuk është se na zuri gafil. Ne nuk kemi fituar dhe as kemi bërë hap të madh përpara. Nëse diferenca është ulur tek kandidatët, ajo ka ardhur se vërtet kemi shtuar vota, por kryesisht se ASHE ka humbur më shumë se kemi shtuar ne.

Por edhe tek vota e kandidatëve ne jemi minus 11%, apo minus 199 mijë vota. Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta është pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi 20%, ndërkohë si koalicion jemi me minus 343 mijë vota. PD ka një betejë të vështirë përpara. Por PD duhet të shikojë më shumë nga vetja”, shkruan Topalli.

Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here