Tiranë, reagime të ashpra pas skenave në Jetimore, merren masa

0

Shteti por edhe shoqëria shqiptare e ka dënuar sjelljen e një edukatoreje në Shkodër, ku ajo dhunonte fëmijët, si shihej në një video.

Pas publikimit të videos skandaloze të Jetimores së Fëmijëve në Shkodër, ka reaguar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në njoftimin zyrtar thuhet se pas publikimit në disa portale online të një video ku tregohej se si një punonjëse e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër ushtronte dhunë pikërisht ndaj fëmijëve për të cilët kjo punonjëse paguhet për t’u kujdesur, Shërbimi Social Shtetëror mori vendimin për të shkarkuar menjëherë nga detyra punonjësit e përfshirë në këtë ngjarje të turpshme dhe për t’i kallëzuar ata penalisht me motivin e ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës dhe neglizhimit të detyrës. Ditën e sotme, është nisur drejt Shtëpisë së Fëmijës Shkodër një grup i specializuar ekspertësh psikologë dhe punonjësish socialë, të cilët do të bëjnë një vlerësim më të plotë të situatës, jo vetëm për fëmijët e dhunuar, por edhe tek fëmijët e tjerë të qendrës. Ministri i Mirëqenies Sociale ka urdhëruar ditën e sotme Shërbimin Social Shtetëror për të kontrolluar dhe vlerësuar menjëherë të gjithë stafin që përkujdeset për fëmijët në Shtëpitë e Fëmijës në rang Republike, pavarësisht asistencës sistematike që është dhënë në këtë drejtim nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj përgjatë dy viteve të fundit. Ministri Klosi i kërkon organeve hetimore zbardhjen e menjëhershme të këtij akti skandaloz dhe organeve gjyqësore dënimin më shembullor të përgjegjësve për këtë akt të neveritshëm.

Ndërkaq Eva Idrizllari gazetare dhe producente ka kërkuar të dijë se cilat janë kriteret që dikush të zgjedhet edukatore. “Mbi ç’kritere emerohen edukatoret e shtepive te femijeve jetime? Sepse pamjet nga jetimorja e Shkodres jane te tmerrshme. U shokova ndersa shihja trajtimin e pandjeshem ndaj femijeve te braktisur ne duart e krimineleve “te shtepise se tortures dhe ndeshkimit”. TURP. Kemi humbur ndjeshmerine dhe vlerat njerezore. Duhet te filloje me emergjence nje hetim ne rang kombetar per te gjitha jetimoret e Shqiperise. Dhe ti shkohet me drejtesi dhe pergjegjshmeri deri ne fund”, ka komentuar ajo.

Kurse gazetarja Freskida Miloti ka thënë se nuk është ndier mirë pasi e ka parë atë storie. “Më ka shoqëruar që mbrëmë si një refren dhimbjeje ajo pasthirrme lutjeje i një fëmije që ndiente në prehrin e tij peshën e një qenie monstruoze. Jam e tronditur si të gjithë ju, si nënë dhe si një nga shumë vizitorët që ia ka përkëdhelur kokën atij fëmije dhe të tjerëve rreth tij që dhunoheshin hapur. Lutem që të vihet drejtësi, të sensibilizohemi të gjithë për t’ju tërhequr vëmendjen strukturave përkatëse që të zhduken këto sjellje, mos të mbjellim më dhunë. Çdo fëmijë që rritet me dhunë, e të gjitha formave qoftë ajo, dhunë do të ushtrojë gjithë jetën. Diktatorët janë rritur me dhunë dhe të tjerëve jua kanë servirur gjithnjë. Padijenia e peshës së lotit të një fëmije, na bën të mos frymojmë më si qenie njerëzore”, ka shkruar ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here