The Guardian: Mafiozët shqiptarë janë mbretër të kokainës në tregun britanik

0

Ata janë të sofistikuar, të zgjuar dhe gjithmonë ia dalin ta shpërndajnë drogën. Nga portet e Evropës e deri në Londër, një rrjet kriminal i tyre tash ka arritur në krye të tregut me vlerë prej pesë miliardë funtesh.

Banda shqiptare e rrugëve është e njohur në Londrën lindore. Ata shpërndajnë drogë, janë të dhunshëm dhe dallohen me postimet e tyre në rrjete sociale. Përmes fotografive tregojnë se kanë vetura “Ferrari”, grumbuj bankënotash pesëdhjetëshe dhe ora të arit të llojit “Rolex”. Me anë të këtyre gjërave ata përpiqen ta rrisin reputacionin e tyre dhe të rekrutojnë anëtarë të rinj.

Ata njihen me emrin “Hellbanianz” dhe merren me shitjen me pakicë të kokainës. Sigurisht, i përkasin grupit të mafias shqiptare, e cila është organizatë kriminale për të cilën Agjencia Kombëtare e Krimeve thotë se janë duke u fuqizuar brenda nëntokës kriminale të Britanisë së madhe. Në këtë mënyrë, ata po e marrin kontrollin e tregut britanik të drogës, në të cilin besohet se qarkullojnë jo më pak se pesë miliardë funte.

Rruga e shqiptarëve drejt mbizotërimit në tregun britanik të kokainës është mësim për të gjithë kriminelët. Ata e dinë vlerën e krijimit të miqësisë me grupet më të rrezikshme në botë dhe kërcënimit absolut përmes dhunës. Shqiptarët kanë filluar të negociojnë drejtpërdrejt me trafikantët kolumbianë që e kontrollojnë prodhimin e bimës “koka”. Kështu, ata bëjnë porosi të drejtpërdrejta nga Amerika Jugore.

Shërbimet e inteligjencës kanë zbuluar se shqiptarët kanë marrë kokainë me çmim prej katër mijë deri pesë mijë e pesëqind funte për një kilogram, ndërsa të tjerët mendonin se e blejnë kokainën nga shitësit holandezë me çmim prej 22 mijë e pesëqind funte për kilogram. Ata e kanë ulur çmimin e kokainës dhe e kanë rritur pastërtinë e saj.

Pozitën e shqiptarëve e ka forcuar edhe reputacioni i tyre për dhunë. Lufta në Kosovë ua ka dhënë atyre një imazh të ngjashëm me atë të kriminelëve irlandezë. Ata e kryejnë atë që e premtojnë. Kjo lidhet me kodin shqiptar të besës, që nënkupton mbajtjen e premtimit. Përveç besës, ata dallohen edhe kodin e vjetër të kanunit, që ua jep të drejtën për hakmarrje. Sipas këtij kodi, gjaku shpaguhet vetëm me gjak.

Në rrugën “Longridge Road”, në të cilën ndodhen shumë restorante shqiptare, disa njerëz ngrysen kur përmenden emrat e mafiozëve shqiptarë. Disa të tjerë e mohojnë ekzistimin e tyre. Sidoqoftë, përderisa mafia shqiptare vazhdon të shpërndajë kokainë, rekrutimi i adoleshentëve në jetën e banditëve nuk ka qenë kurrë më i lehtë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here