Thaqi për “Kleine Zeitung” :Kosova s’ka alternativë tjetër përveç BE-së

0

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për të përditshmen austriake, “Kleine Zeitung”.

Intervista me zëvendëskryeministrin Thaçi u realizua me rastin e pjesëmarrjes së Thaçit në konferencën njëditore “Të luftojmë xhihadizmin bashkërisht” të mbajtur në Vjenë, me nikoqirë ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të Austrisë, Sebastian Kurz dhe Johanna Mikl-Leitner, dhe homologët nga Ballkani Perëndimor dhe Italia.

I pyetur rreth fenomenit të emigrimit ilegal të kosovarëve në vendet e BE-së, Thaçi tha se siç kishte ndodhur edhe në vendet e tjera të rajonit, Kosova është prekur nga një valë e emigrantëve në prag të liberalizimit të vizave. Ai theksoi se falë një fushate intensive të informimit dhe vetëdijesimit rreth problemit të emigrimit ilegal dhe rritjes së bashkëpunimit me Austrinë, Gjermaninë, Hungarinë dhe shtetet tjera, numri i azilkërkuesve kosovarë ka rënë dukshëm meqë ata kanë kuptuar se vendet e BE-së nuk do t’i pajisin me leje të punës.

Thaçi tha se trafikantë dhe grupe të krimit të organizuar kishin përhapur spekulime të ndryshme, të cilat kanë nxitur migrimin, duke nënvizuar se qytetarët e Kosovës kanë mbetur të izoluar, si të vetmit në Evropë që nuk gëzojnë drejtën e lirisë së lëvizjet në vendet e BE-së. Zëvendëskryeministri tha se Kosova ka shumë për të bërë, por se edhe që Evropa duhet t’ua mundësojë kosovarëve lirinë e lëvizjes.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë proevropianët më të mëdhenj në tërë Evropën Juglindore, në shkallë prej 95 për qind.

Lidhur me çështjen e liberalizimit, Thaçi shpreson që deri në fund të vitit Kosova do të marrë rekomandime pozitive nga BE për lëvizjen e kosovarëve pa viza. Ai theksoi se Kosova tashmë ka filluar të përshpejtojë hapat në përmbushjen e kushteve të fundit për jetësimin e këtij synimi. Ai theksoi se Kosova gjatë këtij viti do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropës. Duke vënë në pah vizionin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, ai tha se Kosova nuk ka alternativë.

Thaçi theksoi se Brukseli është vonuar në procesin e integrimit të të gjithë vendeve të rajonit, veçanërisht me Kosovën, dhe se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet t’i bashkohet familjes evropiane.

Ai nënvizoi kërcënimin nga nacionalistë radikalë dhe fundamentalistë në Ballkan e posaçërisht ata që mbështeten në predikime radikale të fesë dhe Rusia, të cilët po e keqpërdorin këtë situate për të shtyrë përpara agjendat e tyre në Ballkan.

Lidhur me problemin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Thaçi tha se këto dukuri janë importuar në Kosovë dhe në vendet e rajonit. Ai theksoi se në kohën kur e kishte udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk kishte lejuar që luftëtarë të huaj me agjenda fetare t’u bashkoheshin luftës së kosovarëve për liri dhe pavarësi.

Thaçi tha se Kosova është një shtet sekular, porse çdonjëri ka të drejtë të praktikojë fenë e vet. Ai nënvizoi se organizata nga Lindja e Mesme kanë tentuar të ushtrojnë ndikim në shoqërinë kosovare, përmes ndihmave humanitare pas luftës.

Sipas tij, Kosova mund të ketë sot më shumë objekte fetare, por ndjenjat e njerëzve kanë mbetur po të njëjtat. Pra, që Kosova ka mbetur një shoqëri sekulare, duke shtuar se bulevardi kryesor në kryeqytet mban emrin e shqiptares katolike, Nënë Tereza.

Zëvendëskryeministri rikujtoi që Policia e Kosovës ka arrestuar shumë persona që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, në Siri dhe Irak, dhe se në mesin e të arrestuarve ka pasur një numër të konsiderueshëm të imamëve të cilët kanë propaganduar për këto luftëra. Thaçi tha se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Ligji i cili parasheh dënimin prej 15 vite burg secilin person që përfshihet në këto luftëra.

Ai shtoi se është krenar me faktin që sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka pohuar se Kosova është lidere rajonale në luftën kundër radikalizmit dhe se Kosova do të merr pjesë në mënyrë aktive dhe dinamike në aleancën kundër islamit radikal pasi Kosova ka traditë shumëvjeçare të tolerancës fetare.

Ministri i Jashtëm tha se Kosova po përfiton nga përvojat austriake në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ai theksoi se në Kosovë është kultivuar islami evropian, e jo islami radikal. Thaçi tha se lufta e kosovarëve për liri, më 1999, nuk ka qenë fetare por një luftë për liri dhe pavarësi, e mbështetur mbi parime humaniste dhe në të drejtat e njeriut.

Për më tepër, Thaçi theksoi se Kosova ka future në kushtetutë edhe komunitetet LGBT dhe se Kosova është shteti i pare ballkanik me presidente grua.

Thaçi, tha se Kosova ka një diasporë të madhe në BE dhe se kjo ndikon në forcimin e lidhjeve në mes Kosovës dhe BE-së. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here