Thaqi flet për Al Jazeera:”Shqipëria e madhe ide e krijuar në Serbi”

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është keqinterpretuar dhe se dëshira e shqiptarëve është integrimi në Bashkim Evropian. Ai tha se ëndrra e Serbisë për ta ndarë Kosovën ka marr fund përgjithmonë dhe se çdo vend në rajon ka një “Mitrovicë” dhe se ky qytet është simbol i ndarjes në baza etnike.

“Ideja e Shqipërisë së Madhe është e krijuar në Serbi dhe s’ka asnjë lidhje me shqiptarët”, ka thënë të enjten për Al Jazeera, ministri jashtëm Thaçi gjatë vizitës në Slloveni.

Kjo deklaratë e Thaçit vjen pas deklaratave të Edi Ramës për bashkimin kombëtar si dhe reagimeve serbe dhe atyre të BE-së.

“Beogradi e akuzoi padrejtësisht Ramën… Anëtarësimi në BE është dëshira e popullit dhe udhëheqjës së Kosovës dhe Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve”, ka thënë zv/kryeministri i Kosovës.

Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhenieve më Serbisë dhe se si serbët lokal janë integruar në institucionet e vendit, duke përfshirë edhe policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në tërësi.

Thaçi tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të zbatohet, ndërsa është e nevojshme që serbët lokalë të Kosovës të integrohen në strukturat e policisë, gjyqësisë dhe drejtësisë lokale dhe se “ëndrra e Serbisë për ta ndarë Kosovën ka marr fund përgjithmonë”.

“Nuk do të ketë autonomi në atë pjesë të Kosovës, Republikë Serbe, apo ndarje të Kosovës. Përpjekjet e Serbisë për të ndarë Kosovën janë shumë të rrezikshme, sepse çdo vend në rajon ka një Mitrovicë, sikur ne”, tha Thaçi për mediat kroate, duke vënë në dukje se “ ky qytet është simbol i ndarjes në baza etnike”, transmeton Telegrafi.

Sipas diplomatit kosovar, Beogradi herët a vonë do të njohë pavarësinë e Kosovës “hap pas hapi” gjatë pranimit të Serbisë në BE apo “kur te dy shtetet, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen Bashkimit Evropian”.

“Nëse Serbia bëhet anëtare e BE-së para Kosovës, do të jetë një gabim i madh dhe me pasoja historike, strategjike për të gjithë rajonin”, tha Thaçi, i cili ka frikë se “Serbia si anëtare e BE-së, mund të ketë një qëndrim negativ ndaj Kosovës”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here