Thaçi dhe Lajçak përkujtuan ushtarakët sllovakë

0

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim pune Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak

Ata biseduan për të arriturat e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi mysafirin e vet se Kosova e mirëpret hyrjen në marrëveshje kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe po punon që sa më parë të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova është pjesëtare konstruktive e bashkësisë ndërkombëtare.

“Ne i dimë obligimet tona ndërkombëtare dhe do të qëndrojmë prapa tyre”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Në takim u fol edhe për të arriturat e Kosovës në dialog dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për hapat që po i bën rajoni drejt stabilizimit por edhe për sfidën e luftës kundër terrorizmit.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçak theksoi se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj dhe se ka mbështetjen e Sllovakisë në rrugën e integrimit në BE.

Delegacioni nga Sllovakia, i kryesuar nga ministri Lajçak, qëndroi në Kosovë për të marrë pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në nder të ushtarëve sllovakë që kishin humbur jetën në një aksident ajror duke u kthyer në shtëpi nga shërbimi në Kosovë, para dhjetë viteve. Ngritja e pllakës përkujtimore u bë me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Duke folur për këtë ngjarje, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova do të jetë përgjithmonë mirënjohëse për përkrahjen dhe angazhimin e Sllovakisë, që nga viti 1999, dhe me respekt përkujton ushtarakët që vdiqën në fund të misionit të tyre në Kosovë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here