Tetova e Gostivari kundër deputetëve shqiptarë: “Sahanlëpirësa të Gruevskit”

0

Heshtja e deputetëve shqiptarë para kryeministrit Nikolla Gruevski, në seancën e fundit të pyetjeve të deputetëve, ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Kjo nga shkaku se edhe pas skadimit të afatit për Jugohromin që të vendosë filtra, Qeveria sërish hesht dhe lejon të helmojë mbi 300 mijë banorët e këtij rajoni, prej ku vijnë një pjesë e madhe e deputetëve dhe ministrave shqiptarë, shkruan TetovaSot.

Arianit Xhaferi, kryetar i Lëvizjes EcoGuerilla, tha se është e papranueshme për organizatën që përfaqëson kjo heshtje e deputetëve ndërkohë që zona ku kanë marrë votat mbytet në helm.

“Deputetët që shqiptarët kanë zgjedhur në kuvend (qoftë BDI apo PDSH) nuk guxojnë të hapin gojën edhe kur ju helmohen votuesit. Nuk gjetën as interesimin më të vogël deputetët e Zonës 6 që flasin shqip për të pyetur se çfarë po bëhet dhe pse ju helmohen votuesit. Këtu janë përmendur vetëm personat që i ka zgjedhur Zona 6 e që janë nga Tetova ose jetojnë në Tetovë. Ne ju japim rrogat, ata na helmojnë. Dhe asnjë lajm deri sot s’kemi dëgjuar që ndonjë qytetar të ketë dalë dhe t’ju kërkojë përgjegjësi direkte”, tha Xhaferi.

Në rrjetet sociale qarkullojnë fotografi, ku bëhet ftesë pëë bojkotimin e këtyre figurave politike në zgjedhjet e ardhshme.

Analisti dhe njëri ndër themeluesit e EcoGuerillës, Xhelal Neziri tha për Tetovasot se imazhet nga Parlamenti, ku deputetët të painteresuar për seancën lexojnë gazeta apo mbajnë në dorë celularët e tyre, flet për nënçmimin që ju bëhet votuesëve të tyre.

“Është e pakuptimtë të mos kenë as edhe kujdesin më të vogël për votuesit e tyre që vazhdojnë të mbyten në helmin e Jugohromit. Kjo është e pakuptimtë sepse duhet të përfaqësojnë ato që kanë votuar, e jo shefat e tyre. Kësi deputetësh të përgjumur definitivisht nuk na duhen. Duhet që ne si votues, në zgjedhjet e ardhshme, të mendojmë mire para se ta hedhim votën”, tha Neziri.

Ndryshe, e vetmja deputete që pyeti qeverinë se pse vazhdon të tolerojë Jugohromin të helmojë një popullatë të tërë ishte Liljana Popovska, kryetare e DOM-it. (RN)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here