Terroristi xhihadist, gazetares shqiptare: “Do paguash”

0

Aurora Koromani, gazetare nga Shqipëria, është kërcënuar nëpërmjet një mesazhi në llogarinë e saj personale në “Facebook”, nga një person që nxiste dhe rekrutonte për terrorizëm. Përmbajtja e mesazhit ishte: “Do paguash”. Menjëherë gazetarja ka bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka marrë të gjithë mbështetjen, si nga drejtori i përgjithshëm Haki Çako, ashtu edhe nga ministri i Brendshëm Tahiri. Edhe Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Unioni i Gazetarëve janë solidarizuar me rastin në fjalë.

Për shkak të profesionit të saj, gazetarja ka marrë mesazhin, nga një person i shpallur në kërkim, e që sipas shoqatave të gazetarëve, duhet të vihet para drejtësisë. Me rastin është solidarizuar edhe Tritan Shehu, i cili e ka konsideruar këtë një lajm i rëndë në media. Ai u kërkon organeve përkatëse të marrin në mbrojtje gazetaren dhe të impenjohen tërësisht për dënimin e keqbërësit. Rastin e kërcënimit të gazetares Aurora Koromani e kanë pasqyruar edhe media të tjera ndërkombëtare, si “New York Time”, “AbcNews” dhe “Associated Press”.

Në artikullin e gazetës “New York Times” raportohet se zëdhënësi i policisë Gentian Mullai deklaroi të enjten se, autoritetet po e trajtonin këtë kërcënim si serioz ndaj Aurora Koromanit, ndërsa po ofronin mbrojtje për të. Koromani ka mbuluar gjerësisht rekrutimin e myslimanëve shqiptarë për të luftuar përkrah Shtetit Islamik në Siri. Sipas gazetës prestigjioze, rreth dy e treta e popullsisë shqiptare prej 3.2 milion banorësh janë të besimit mysliman. Dhjetëra njerëz besohet se i janë bashkuar luftimeve në Siri, pavarësisht thirrjeve të krerëve fetarë që të mos i bashkohen këtij grupi rebel.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here