Tërmkolli: Opozita dëshiron të vijë në pushtet, nuk u intereson çështja kombëtare

0
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli tha në emisionin Info Box të TV Dukagjinit se veprimet e fundit të opozitës vetëm sa janë duke i kontribuar ndarjes së Kosovës, pasi këtë do ta shfrytëzojë Serbia për ta përdor çështjen e sigurisë si rrezik për serbët e Kosovës.
Ajo tha se veprimet e opozitës shkojnë direkt në favor të Serbisë në Kosovë.

Tërmkolli po ashtu tha se marrëveshja për Zajednicën nuk është diçka për t’i mburrur, por sipas saj, kjo marrëveshje nuk është vetëm pasojë e kësaj klase politike, por pasojë e shumë faktorëve, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar dhe atë të opozitës.

Ajo tha se është e sigurt se edhe opozita do të vepronte njësoj nëse do të ishte në pushtet.

Tërmkolli ka folur edhe për mënyrën se si e ka udhëhequr seanca nga Kadri Veseli gjatë bllokimit nga opozita, transmeton lajmi.net.

Deputetja tha se kryetari Veseli i ka bërë disa deklarata të papërgjegjshme, sikur Kuvendi të jetë pronë e tij.

“Nuk arrij me i kuptu këto deklarata nga njeriu që është i obliguar të krijojë kushtet për funksionimin e Kuvendit”, tha Tërmkolli, duke shtuar se duhet të përdoren mjetet ligjore për zgjidhjen e problemit.

Ajo tha se si është e mundur që 30 deputetë ta uzurpojnë Kuvendin, ndërsa veprimet e opozitës nuk i quajti bllokadë të Kuvendit, por uzurpim .

Tërmkolli tha se në fakt këto veprime janë edhe si rrjedhojë që kryetari Veseli po ua krijon kushtet për sjellje të tillë. “Të flas një deputet nga mikrofoni i kryetarit të Kuvendit, kjo është e papranueshme”, tha Tërmkolli, duke shtuar se Kuvendi nuk vepron vetëm në gjendje të jashtëzakonshme ose në gjendje lufte.

Ajo tha se zgjidhjen e këtij problemi duhet ta bëjnë vendorët, dhe jo ndërkombëtarët.

Tërmkolli tha se me veprimet e fundit që po ndodhin në vend, po tregohet se nuk po e duam shtetin ashtu si flasim e shesim patriotizëm.

Ajo tha se opozita nuk është në pozicionin të vë kushte, sepse kushtet nuk shpijnë askund, por siç tha ajo, ka mënyra si mundet opozita ta kundërshtojë pozitën.

Tërmkolli tha se opozita nuk është serioze dhe se këtë e bën vetëm për të ardhur me çdo kusht në pushtet.

Sipas saj, veprimet e tilla të opozitës vetëm ndaj Mustafës dhe jo ndaj Thaçi, tregojnë sa të pamoralshme janë veprimet e opozitës.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here