Teqja e Madhe shpërndanë Ashuren e Pavarësisë

0

PRISHTINË, 16 SHKURT – Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike ka njoftuar sot përmes një komunikate se nesër më 17 Shkurt, në Gjakovë e Prizren, shpërndanë Ashuren Tradicionale të Pavarësisë. “Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, me selitë në Gjakovë e Prizren, duke ndarë gëzimin me ta dhe duke ua uruar shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, njofton se në këtë ditë bën shpërndarjen e ushqimit tradicional të festave, atë të Ashurës – në nderim të Festës së Pavarësisë së Kosovës”, është theksuar në njoftim. Ashurja e Pavarësisë sipas njoftimit është tashmë ceremoni tradicionale që praktikohet në secilin përvjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, tash e shtatë vjet, nga Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike – në selitë e saj, në Gjakovë (aty ku është Teqja e Madhe) dhe në Prizren (në Kompleksin e Marashit-Hisarit). Shpërndarja e Hashurës për qytetarët thuhet se është ceremoni festive e rregullt ndër shekuj e Tarikatit Sa’adi, që bëhet në shenjë feste e kremtimi në ditën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, të paqes mbi luftën, të lirisë mbi robërinë. “Në këtë rast, Hashurja e Pavarësisë (17 Shkurti) është ceremoni tradicionale e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, që bëhet në shenjë të ngadhënjimit të lirisë dhe idealeve të shqiptarëve dhe të popullit të Kosovës, me arritjen e lirisë dhe shpalljen e shtetit sovran e të pavarur të Kosovës”, është sqaruar në komunikatë. Në cermoni ftohen të marrin pjesë të gjithë besimtarët, qytetarët e vendit dhe personalitet të të gjitha kategorive dhe sferave të shoqërisë sonë. “Ndryshe Postmbajtësi i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, Shkëlqesia e Tij Sheh Musa Shehu, në kuadër të këtij përvjetori, përcjellë shqetësimin e tij dhe të komunitetit që përfaqëson, rreth fenomenit të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga Kosova”, është vequar në komunikatë ku u është bërë thirrje institucioneve të parandalojnë këtë shpërngulje masive, “e cila nuk është veç një zhvendosje e thjeshtë, por një shqetësim mbarënacional, që të kujton shpërnguljet e organizuara të shqiptarëve në të kaluarën e hershme dhe të vonshme të vendit dhe të kombit tonë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here