Tentim-grabitje e armatosur në një dyqan në Prishtinë, arrestohet 1 person, 3 ikin

0

Një dyqan është grabitur me armë nga katër persona në mbrëmjen e së enjtes, në lagjen “Dardania”, në kryeqytetin kosovar.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, në një prononcim për Gazetën Express. 

Zëdhënësi Daut Hoxha ka bërë të ditur se Policia ka arritur të arrestojë një person në lidhje me rastin.

Gazeta Express ka mësuar se grabitja me armë është kryer në një pikë të rrjetit të dyqaneve “Meridian Express”.

“Rreth orës 17:30, Policia ka marrë informacione për një rast të grabitjes, të ndodhur në një nga marketet në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Menjëherë pas kësaj informate, të gjitha njësitë e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar me marrjen e veprimeve të nevojshme policore”, ka deklaruar Hoxha për Gazetën Express.

Sipas Policisë, nga informatat e para dyshohet që katër persona të kenë kryer grabitjen.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe atyre hetimore që ka ndërmarrë Policia është bërë e mundur kapja e një të dyshuari, si dhe gjetja e një arme që dyshohet që i dyshuari ta ketë pasur me vete në kohën kur është kryer grabitja”, ka thënë Hoxha.

“Pas kontrollimit të një perimetri më të gjerë, Policia gjithashtu ka arritur të gjejë edhe armën e cila është grabitur nga marketi në fjalë”, ka treguar zëdhënësi i Policisë.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht po vazhdojnë operacionet hetimore, dhe se Policia është duke punuar me intensitet të shtuar për lokalizimin e vendndodhjes së personave të tjerë të dyshuar, të implikuar në këtë rast, në mënyrë që të realizohet kapja e tyre.





PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here