Të rinjtë në drejtimin e duhur

0

THËLLËZA MUHAMETI

Dihet se gjatë evoluimit të historisë botërore, të rinjtë janë shfaqur si një motor i shoqërisë i cili ka vënë në lëvizje dhe funksionim shoqërinë sepse te rinjtë janë me ide progresive dhe vizione të qarta për të ardhmen. Kanë qënë ata që kërkonin fillimin e një fryme të re, ndryshim sistemi apo ndryshim ideologjie. Rasti i protestave të të rinjve shqiptarë që daton në vitet e fundit të komunizmit në Shqipëri solli zëvendësimin e sistemit komunist me sistemin “liberal”, e thënë ndryshe dolëm nga izolimi për të kaluar në një etapë tjetër, që është DEMOKRACIA. Ndër ngjarjet ku lëvizjet e të rinjve kanë sjellë ndryshimin do theksoja protestat e të rinjve serb kundër regjimit të Miloshevicit, daljen e atij të riut kinez përballë tankut, akt ky që solli ndërprerjen e gjakderdhjes në vazhdimësi, të rinjtë francez që protestonin vazhdimisht kundër luftës së Francës në Indokinë. Mandej është e paharrueshme edhe kënga e grupit të ri “Scorpions” e njohur me emrin “Wind of change” e që kërkonte ndryshimin e rendit botëror, dëshirë dhe vokacion e cila do të realizohej shumë shpejtë ku të rinjtë përmes disidencës do të shkonin fillimisht si turistë në Hungari, me pas në Austri e në Gjermani ku do të ndikonin në prishjen e Murit të Berlinit dhe rënien e perdes së hekurt. Kësaj do ti asistonin po ashtu edhe protestat e të rinjve nëpër vendet e ndryshme të Evropës Lindore që do të kërkonin prishjen e sistemit komunist dhe vendosjen e rendit demokratik. Këto ishin disa prej shembujve në të cilën rinia na paraqitet si një motor i ndryshimeve dhe një faktor rilevant se si pa rininë nuk mund të imagjinohej rendi i atershëm, i sotshëm, por edhe i ardhshëm botëror. Pjesëmarrja e të rinjve në jetën politike është tejet e rëndësishme sepse i jep asaj një vitalitet senzibilizues dhe freskon elitën politike. Rinia sot nuk është e indoktrinuar vetëm për interesa ideologjike, sepse vitet ’90 e vërtetuan me shpërthimin e saj atëherë kur pa se kushtet ishin pjekur për ndryshimin e regjimit. Ato shpërthyen në momentin e duhur dhe rebelimi i tyre ishte rezultativ. Rinia sot duhet të besoj se nocioni “politikë” duhet të kuptohet si një proces për të favorizuar shoqërinë e jo për të gjetur një vend pune dhe për të pohuar duke u pajtuar me çdo vendim politik që merret nga lartë, qoftë ai pozitiv apo negativ. Të rinjtë nuk duhet të instrumentalizohen, apo të lejojnë te abuzohet me ta por të zgjedhin atë që është kulturore, edukuese duke u shndërruar kështu steriotip për gjeneratat pasardhëse. Nuk duhet të bëjnë kompromis me të ardhmen duke krijuar imazhe miqsore apo dëgjime sipërfaqsore por të bëjnë shkëmbim informacioni. Partneritet midis te rinjve dhe politikanëve, duke deleguar detyrat për të bërë më tej ndarjen e vendimeve. Mbi të rinjtë nuk duhet të mendohet rrethi vicioz, por vetë ata duhet ti ndërtojnë idetë si mbi struktura betoni, tek të cilat të bëjnë ecejaket e tyre e më pas të dalin në përfundimin se pas gjithë asaj rruge të lodhshme, mundimi ja ka vlejtur. Vetëm kështu filozofia dhe morali politik do të jenë në drejtimin e duhur. Në Shqipëri, tani është koha dhe drejtimi i duhur!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here