Të parashihet përsëritja e vitit shkollor për nxënësit e shkollës fillore

0

Posa të krijohen kapacitetet e nevojshme në shkolla, është mirë të mendohet për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ i cili parasheh përsëritjen e vitit shkollor për nxënësit të cilët nuk i arrijnë rezultatet e kërkuara gjatë një viti shkollor. Fjala është për arsimin fillor.

Për disa vite me radhë, me të drejtë (kushtimisht po them), nxënës të caktuar janë përcjellur nga viti në vit përkundër rezultateve të dobëta të treguara.

Nuk jemi në asnjë mënyrë që të kthehet në fuqi opsioni kur nxënësit kanë ‘ngelur’, kanë humbur vitin, në plot raste edhe për shkak të dënimeve, mosmarrëveshjeve me ndonjë arsimtar, kryeneçësisë së ndonjë arsimtari, metodave jo të duhura të vlerësimit, etj. Kjo ka qenë para Kurrikulës së Re.

Në këtë kuptim Kurrikula e Re u ka dhënë nxënësve mjaft të drejta dhe mundësi të mira të vlerësohen sa më korrekt dhe përmbajtësisht dhe e ka minimizuar mundësinë që ata ta humbin vitin për shkak të ndonjë note të dobët në ndonjë test ose eventualisht ‘hakmarrjes’ nga ndonjë arsimtar! Kurrikula fatmirësisht u jep mundësi nxënësve të shprehen dhe vlerësohen në mënyra të ndryshme.

Megjithatë e vërteta është se disa nxënës thjesht kalojnë nga klasa në klasë pa marrur as njohuritë elementare të lëndëve të caktuara. Kjo krijon barrë të panevojshme për ciklet e ndryshme të shkollimit sidomos për arsimin e mesëm. Pra, problemi vetëm përcjellet nga klasa në klasë, nga cikli në cikël. Dhe krejt në fund del një punëkërkues me mangësi të shumta, pa njohuritë e duhura të cilat është dashur t’i marrë gjatë arsimit fillor dhe të mesëm.
Pastaj të njëjtit, natyrisht, në pamundësi për të gjetur një vend në Universitetin Publik ia mësyejnë Kolegjeve Private dhe siç e dimë pajisja me diplomë aty nuk përbën problematikë. Krejt kjo pra sa vjen e komplikohet.

Propozimi
JO të ‘ngelet’ nxënësi vetëm për teket e një arsimtari ose për arsyet të cilat janë përmendur më lart. Por përsëritja e vitit të bëhet vetëm pasi të është bërë një vlerësim i vazhdueshëm i nxënësit, dhe konstatimi se nxënësi nuk i ka arritur rezultatet e kërkuara të vie nga një komision sa më profesional i krijuar me bazë në shkollë dhe gjithsesi me miratimin/njoftimin e prindit.

Sfida
Natyrisht se kjo krijon kokëqarje për menagjmentin dhe stafin e secilës shkollë por, për arsyet e përmendura sipër, shihet si masë e domosdoshme të cilës thjesht nuk mund t’i shmangemi më.

Kjo, ndër të tjera natyrshëm se do të ndikonte në ngritjen e cilësisë në nivel vendi.

A kanë shkollat kapacitete për ta përmbushur, hipotetikisht themi, këtë detyrim, kjo mbetet të shihet.
A mjafton mësimi plotësues për t’ju shmangur përsëritjes së vitit për nxënës të caktuar? Dhe a mbahet mësimi plotësues nëpër shkollat tona? Kjo sigurisht se lë për të dëshiruar. Jo për shkak të refuzimit ose neglizhencës së mësimdhënësve por për shkak të kushteve, orarit, hapësirës dhe mjeteve të nevojshme didaktike të cilat kërkohen për ta përmbushur këtë ‘detyrim’. Në shumicën e shkollave në vend mësimi mbahet në dy ndërrime.

Me këtë, prapë po them kërkohet një plan i qartë në sinkron me ngritjen e kapaciteteve shkollore dhe assesi që me ‘nxënës përsëritës’ të krijohen individ ose grupe të stigmatizuara në mes të nxënësve.
Por kur fëmia vlerësohet se nuk i ka arritur rezultatet dhe njohuritë e caktuara thjesht është e kotë dhe e palogjikshme të përcillet në vitin vijues. POR tërë kjo edhe mund të shmanget nëse për këta fëmijë angazhohet staf shtesë, mbështetës në shkolla të cilët do të punonin më këta nxënës në mësim të organizuar plotësues.

Në këtë kuptim është mirë të mendohet edhe për moshën e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë. Nëse investohet në arsimin e hershëm, 3-5 pastaj klasa parafillor, ateherë nxënësit do të ishin shumë më të përgatitur të fillonin klasën e parë në moshën 7 vjeqare.

Urojmë që këtë çështje bashkarisht ta trajtojmë me vëmendjen dhe seriozitetin e duhur.

Koordinator për Cilësi,
MA Fidan Hasani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here