Të pangrënë e të pangopur!

0

ADNAN RRUSTEMI

Një nga tiparet jo vetëm dalluese, por edhe si faktor përcaktues i shoqërive me qeverisje oligarkike dhe autoritare, është padyshim edhe pasurimi marramendës, i shpejtë dhe kryekëput nga fondet publike i zyrtarëve të qeverisë kundrejt varfërisë së skajshme të popullit. Kësisoj, lavjerrësi është gati i parashikuar dhe gjithnjë në drejtim të njëjtë; politikanët qeveritarë pasurohen, krijojnë kompani fantome me pronarë të rrejshëm dhe me aktivitete të pakufizuara që nga përpunimi i gurëve e prodhimi i asfaltit e deri tek tregtimi i veturave dhe çajit nga India, ku pronari i vërtetë që vjelë fitimet dhe siguron kontratat ndodhet diku në Qeveri. Zakonisht, periudha e veprimit të këtyre kompanive lidhet me praninë e një konjukture të caktuar politike, si në nivelin qendror e lokal, ku e përbashkëta kriminale gjendet lehtë edhe në mes partish politike të dallueshme në shikim të parë, por të cilat nxitojnë të bëhen bashkë brenda minutash, kur bëhet fjalë për rrezikimin apo më saktë mirëmbajtjen e sfondit të tyre kriminal. Përderisa qytetari përballët me pasiguri tmerrësisht të errët sociale, mosplotësim të nevojave bazike të jetesës nga mungesa e bukës diku, vështirësi në shkollimin e fëmijëve diku tjetër, e gjithkund pamundësia për trajtim të duhur shëndetësor të të sëmurëve. Andaj, të bindur për pamundësinë e përmirësimit të kushteve, atyre nuk ju mbetet tjetër veçse të zgjedhin në mes arratisjes a revoltimit.

Rëndom, kjo nuk paraqet befasi dhe nuk është çështje në Kosovë. Është botërisht e njohur se zyrtarët qeveritarë, dhe këtu nuk ka diferencë në mes të qeverisë së kaluar dhe aktuales, jo vetëm se për nga përbërja, qasja e orientimi është vijimësi e të mëparshmes, por edhe për faktin se të njëjtit, të shpërndarë në institucione të ndryshme përgjatë viteve kanë kultivuar të njëjtën gjendje kudo që kanë vepruar; komunë apo qeveri, agjenci apo universitet, duke krijuar pasuri mbi përfitime të paligjshme, posaqërisht nga të qenurit zyrtarë publikë.

Pikërisht këta zyrtyarë publikë, jo rastësisht u kujdesën që përmes ligjit për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, duke u nisur nga vetë emërtimi i tij që në mënyrë të sofistikuar i iku zgjerimit të domenit të veprimit të këtij ligji, me qëllim të amnistimit të përfitimeve të paligjshme, duke e ndërlidhur konfiskimin e pasurisë vetëm pas një procesi të gjykimit dhe dënimit për vepër penale. Padyshim që vendosja prapa grilave e politikanëve mafiozë si përfitues të paligjshëm do të ishte drejtësi meritore, por një kufizim i tillë veçse e vështirëson qëllimshëm mundësinë për të konfiskuar pasurinë e tyre dhe kështu bënë ata triumfues të dyfishtë,  të cilët jo vetëm që i shmangen burgut, por edhe mbajnë pasurinë e paligjshëme. Një fat të tillë do ta kishin zili edhe kapot e familjeve më të mëdha mafioze, të cilëve për dallim nga këtu, rrallë ju mundësohet që pasurinë e krijuar paligjshëm edhe të arrijnë ta jetojnë deri fund.

 

 

Nuk do mend që arratisja nuk është zgjidhje, në fakt është zgjidhje dhe objektiv i kësaj strukture qeverisëse, që përmes shpërnguljeve po mëton ta shpëtojë veten nga revolta popullore. Por, po kaq e vërtetë është se qëndrimi nën një qeverisje të tillë nuk garanton asgjë tjetër, përveçse vazhdimin e pasurimit të këtyre pushtetarëve në kurriz të mirëqenies së qytetarëve. Qëndrimi në Kosovë në këtë gjendje të rëndë ka kuptim vetëm si organizim dhe mobilizim i përgjithshëm për të bërë të mundur ndryshimin e domosdoshëm politik e institucional, që përmbyt mendësinë e pasurimit të pushtetarëve me xhipa të zinj, rroba me inicialet e tyre dhe fëmijë të shkolluar jashtë vendit.

Mirëqenia e munguar për qytetarët e vendit është blerë me kamjen marramendëse të zyrtarëve qeveritarë. Gjendja e trazuar sociale e popullit fle qetësisht në kontot e qeveritarëve të djeshëm e të sotëm. Prandaj, autobusët e përnatshëm, më tepër sesa destinimin, e kanë të qartë se nga çfarë po arratisen. Duke e ditur këtë, po janë të gatshëm të rrezikojnë çdo gjë. Këtu nuk bëhet fjalë për tokën apo perëndimin e premtuar, por për arratisje nga ferri të cilin e ndërtuam me duart tona.  Prandaj, gabimisht përpiqen t’ua bëjnë të qartë se nuk do të gjejnë mirëqenie atje ku janë vendosur tanimë, kur atyre duhet t’ju bëhet e qartë disi se këtu mund të jetohet ndryshe.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here