“Të ndihmojmë Diasporën që të jetë më prezente dhe më efektive në Kosovë”

0

Diaspora kosovare është një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Megjithatë, ky potencial ende mbetet jo sa duhet i shfrytëzuar në aktivitetet produktive që do të kishin efekte reale ekonomike në vend. Angazhimi i diasporës, ndonëse është një proces kompleks, është edhe një mundësi shumë e mirë si për zhvillimin e Kosovës, ashtu edhe për vendet pritëse ku është e vendosur ajo. Fillimet e migracionit shqiptar nisin para më shumë se 40 viteve, kur në tokën gjermane do të mbërrinin „gastarbeiter“-t e parë nga ish Jugosllavia. Ishte koha kur Gjermania kishte nevojë për punëtorë. Por fluksi më i madh i të ardhurve nga Kosova në Gjermani ndodhi në periudhën 1990-1998 për shkak të situatës mjaft të rëndë në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit. Në bazë të statististikave ende jo zyrtare, në Gjermani jetojnë aktualisht rreth 400.000 shqiptarë nga Kosova, shumica e të cilëve në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Të dhënat statistikore në Kosovë tregojnë se diaspora dërgon rreth 600 milionë € në vit (Riinvest, 2012), ku gjysma e remitancave në para janë përdorur për konsum, 18% janë përdorur për ndërtimin e shtëpive dhe për riparime, etjere dhe vetëm 3% përdoret për investime.

Duke u nisur nga këto fakte, Konsullata e Nderit të Shqipërisë me seli në Esen dhe Shoqata Integrative Gjermano-Shqiptare, IDEAL, Presidente e së cilës është zonja Anduena Stephan organizuan javën e kaluar në Prishtinë në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Oden Ekonomike Gjermano Shqiptare me seli ne Prishtine një Tryezë të Rrumbullakët me përfaqësues të bisznesit gjerman dhe kosovar të Landit NRW, të cilën e moderoi Lorik Pustina, Drejtor për Komunikim, Ministria e Diasporës. I pranishëm në punimet e kësaj Tryeze ishte edhe vetë ministri i Diasporës, zoti Valon Murati si dhe përfaqësues të shumë firmave dhe bizneseve gjermane nga Landi NRW, Shqipëria dhe Kosova.

Qëllimi i këtij takimi ishte mbështetja e institucioneve relevante për implementimin e programeve konkrete bilaterale mes Kosovës dhe Landit gjerman NRW, krijimi i sinergjive me strukturat ekzistuese, transferimi i ekspertizës dhe angazhimi i Diasporës, etj.

“Të punojmë që të krijojmë një ambient më të përshtatshëm për Diasporën, që ajo të investojë në Kosovë, por të sjellim edhe partnerë të tjerë të biznesit. Në anën tjetër, duhet të krijohet një pako e lehtësive specifike për investitorët potencialë nga diaspora, që do të shërbente për t’i kanalizuar remitancat në aktivitete produktive”,- theksoi ndër të tjera në fjalën e tij ministri Murati. Ai i njoftoi të pranishmit për rrjetet e krijuara të bizneseve në Evropë e SHBA, si dhe krijimin e Unionit të këtyre rrjeteve, të cilat shërbejnë si mekanizëm për identifikimin e njerëzve të suksesshëm, por edhe për të sjellë partnerë gjermanë e të tjerë për të investuar në Kosovë. “Prioritetet aktuale të ministrisë sonë janë edhe në drejtim të krjimit të kushteve për ushtrimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të krijimit të qendrave kulturore, të krijimit të rrjeteve të bizneseve, të rrjetëzimit të shoqatave dhe të rinjve shqiptarë kudo ku ndodhen, etj“, vuri në dukje ministri i Diasporës së Kosovës.

 

Diaspora  prezanton edhe imazhin e vendit

Ndërsa Konsullja e Nderit të Republikës së Shqipërisë, zonja Anduena Stephan, me përvojë të gjatë në fushën e biznesit u ndal në rolin e Diasporës si urë lidhëse dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, përkatësisht mes Gjermanisë dhe Kosovës. Sipas saj, Diaspora ka një mision të veçantë edhe në prezantimin e imazhit të vendit të origjinës dhe në kontributin e saj në drejtim të afrimit të investitorëve të huaj në atdhe. „Diaspora e Kosovës duhet të jetë më aktive dhe me iniciativa më konkrete për të bashkëpunuar me sipërmarrjet përkatse gjermane, veçanërisht me ato firma që kanë mundësi investimi në Kosovë apo Shqipëri. Do të ishte me shumë vlerë sikur Ministria e Diasporës t’i ofronte më shumë ndihmë diasporës për ta fuqizuar organizimin e saj dhe për të qenë më prezente në Kosovë“, vuri në pah zonja Stephan.

Pjesëmarrësit vunë në pah mundësitë për bashkëpunim në sektorë të veçantë që ofron Kosova dhe që kanë nevojë për investime të huaja siç janë sektori i agrokulturës dhe i teknologjisë informative. Zonja Fitore Pacolli-Dalipi, drejtore kabineti e Kryetarit te Komunës së Prishtinës prezantoi situatën aktuale të kryeqytetit kosovar duke vënë në pah sukseset dhe mangësitë që kjo komunë ka aktualisht. „Ne jemi të hapur për bashkëpunim, aq më shumë me investitorët gjermanë apo me biznesmenët kosovarë që jetojnë në Gjermani, veçanërisht në ato investime që do të krijonin edhe më shumë vende të reja pune, pasi papunësia në këtë komunë ka arritur 45%,- theksoi zonja Pacolli-Dalipi.

 

Prioritet edhe shkollimi profesional i të rinjve

 

Klaus  Dieter Wertmann, Drejtor i Dhomës së Përfaqësuesve të Dortmundit, u ndal në fjalën e tij në  Projektin për Patneritet në fushën e Arsimit Profesional në Kosovë. Në fokus të këtij bashkëpunimi është mbështetja e të rinjve kosovarë për tu shkolluar profesionalisht në Gjermani në degë për: zejtari, elektricist, menaxher, mekanik..etjer. “Kemi arritur që në bashkëpunim mes Dhomës së Tregtisë së Dortmundit dhe Odës Ekonomike të Kosovës të vijnë në në Qendrën e arsimit të Dortmundit „Hansemann“ 25 të rijntë e parë kosovarë për një shkollim profesional në fushën e zejtarisë.  Projekti është një shans pozitiv për të inkurajuar të rinjtë dhe për t’ju hapur  një perspektivë të re punësimi në vendin e tyre, në Kosovë, ku papunësia është shumë e lartë“, theksoi zoti Wertmann.

 

Me interes u prit edhe fjala e Drejtores për Projektin e GIZ-it në Kosovë, Forcimi i Konkurencës në zonat rurale, Veronika Hofinger dhe i Drejtorit të Projektit të Promovimit të Qendrave të Kompetencave në Kuadrin e Arsimit Profesional, GIZ, zotit Christoph Heil. Z. Andreas Stephan, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë SPRINT Energy Consulting në fjalën e tij iu referua rëndësisë që ka bashkëpunimi me Landin e NRW në sektorët e industrisë minerare dhe energjisë për te mundësuar transferimin e njohurive dhe për të rritur aplikimin e teknologjive të fundit në këto sektorë. Ai theksoi me tej se Kosova nuk ka nevoje per shumë, por për këshilltare që bashkëpunojne me autoritetet vendore për të zbatuar programe të qarta pune dhe projektesh.

Në zyrat e sipërmarrjes evroenergie L.L.C në Prishtinë

Një përvojë suksesi solli në këtë tryezë drejtori i sipërmarrjes gjermano-kosovare, evroenergie L.L.C me seli në Prishtinë, zoti Hamdi Malushaj. Sipas tij, firma evroenergie ofron një portfolio të gjërë të shërbimeve mbështetëse me vlerë për ekonominë energjetike dhe më gjërë. “Ne posedojmë ekspertizë të shkëlqyeshme dhe përvojë në implementimin e projekteve duke u bazuar në direktivat dhe standardet evropiane. Po ashtu ofrojmë shërbime me çmime tejet të volitshme në përpunimin e proceseve speciale në lëmin e ekonomisë energjetike me sistemet aktuale të IT-së të tilla si SAP IS-U, SIV kVASy ose KISTERS BelVis, theksoi në fjalën e tij zoti Malushaj. Por ai nuk ngurroi të kritikojë qeverinë dhe disa institucione në Prishtinë që nuk i marrin seriozisht bizneset e vogla dhe të mesme duke u bërë thirrje për më shumë vemendje dhe mbështetje  kërkesave për ndihma financiare të këtyre firmave.

Edhe biznesmeni nga Shqipëria, por që jeton prej gati 25 vitesh në Coburg të Gjermanisë, inxhinjeri Artan Pojani u shpreh për një bashkëpunim të mundshëm në Kosovë. Firma që ai drejton “Powatec“ ka ndërtuar dhe instaluar pishina me një teknologji bashkëkohore në shumë qytete të Gjermanisë, si edhe disa në Rusi, Austri e Shqipëri.

 

Ministri Valon Murati në hapjen e ekspozitës së Eda Zarit

 

Delegacioni nga Gjermania dhe pjesëmarrësit e kësaj Tryeze bashkëpunimi patën rastin të ndjekin në mbrëmjen e së premtes (28.03) një aktivitet të artistes së mirënjohur dhe Ambasadores së Kulturës së Shqipërisë në Gjermani Eda Zari. Me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Shoqatës IDEAL, me seli në Esen, këngëtarja erdhi këtë rradhë në Prishtinë me një tjetër dimension artistik duke hapur një ekspozitë „Urat e Momenteve“me fotografi të çastit që sjellin gjithë jetën, nga fëmijëria deri në pleqëri. Kjo ekspozitë  në katër cikle, ku mbizotëron fotografia bardh e zi, u shoqërua me një koncert t me këngë të zgjedhura nga thesari i muzikës popullore shqiptare,  por që u interpretuan në Jazz ashtu siç di ta sjellë para publikut vetëm e madhja, Eda Zari.

 

Mimoza Kelmendi

Media dhe Komunikacion/Këln

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here