Të martën paralajmërohet grevë nga shërbyesit civilë

0

Nëse Qeveria nuk merr vendim për nivelizimin e pagave për shërbimin civil, në vend do të fillojë edhe një grevë e re. Rreth 22 mijë shërbyes civilë, po paralajmërojnë grevë nga e marta. Në Sindikatën e Shërbyesve Civilë po thonë se nuk do të heqin dorë nga greva deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë, në Qeverinë Haradinaj thonë se rritja e pagave është e pa mundur, pasi kuleta e Shtetit nuk e përballon një gjë të tillë.

Një grevë e re pritet të fillojë nga e marta në Kosovë. Pas mantelbardhëve dhe mësuesve, pakënaqësinë e tyre për paga përmes grevës do ta shprehin edhe rreth 22 mijë shërbyesë civilë në tërë vendin.

Ata po kërkojnë nivelizimin e pagave, pasi që siç thonë kanë mbetur prapa krahasuar me sektorët e tjerë. Derisa thonë se një gjë e tillë iu është premtuar disa herë nga Qeveria gojarisht.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi i ka thënë Gazetës Express se nëse Qeveria nuk reflekton deri të hënën, ditën e martë do të fillojë greva. Deklaron se kjo grevë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Zymberi ka thënë se vetë Qeveria ua kishte premtuar rritjen e pagave për 20 për qind gojarisht, derisa tash kur po ua kërkojnë ofertën me shkrim, ekzekutivi po hesht.

“Ne e kemi pa si datë të mundshme për grevë ditën e martë, pra nëse Qeveria nuk reflekton do të fillojmë grevën të martën. Ne jemi takuar në tri katër raste dhe Qeveria e ka dhënë premtimin veq me gojë, pra ofertën me shkrim nuk e ka dhënë.  Na kanë premtuar që rritja e pagave do të jetë si në arsim, pra 20 për qind”, ka thënë Zymberi.

I pari i Sindikatës së Shërbyesve Civil thotë se ata po kërkojnë nivelizim të pagave me sektorët e tjerë, pasi që kanë mbetur prapa. Fajin për këtë ia lënë edhe Presidentit Thaçi.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë të reflektojë sa më shpejtë, sepse grevën më nuk do të mund ta kontrollojë as sindikata.

“Ne po kërkojmë nivelizim të pagave me sektorë të tjerë. Ne jemi me paga mbrapa arsimit për 20 për qind , sepse kështu kemi mbet që nga koha kur Presidenti Thaçi kishte marrë vendim për rritjen e pagave”, ka thënë ai.

Derisa ka treguar se një shërbyes civil për punën që bën paguhet mesatarisht deri në 340 euro. Thotë se nëse hyjnë në grevë, përveç pagave, do të kenë edhe kërkesa të tjera.

 “Tash është momenti i fundit që të refleklektojë Qeveria. Mllefin që është shfaq nga sindikalistët këtë javë, unë iu them se nuk do të mund ta kontrollojë as sindikata, sepse janë lodhur me degradim total. E kam problem qysh kam me ndërpre grevën, e jo për me fillu, sepse shërbyesit civil po bëjnë presion që të fillojë kjo grevë”.

E për greva, ai indirekt ka thënë se janë nxitur edhe nga deklaratat e disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarët e komisionit parlamentar që kanë punuar në harmonizimin e këtij ligji, kanë shkaktuar huti të madhe, duke dhënë deklarata pompoze, duke thënë se ky sektor po shkon me 40 për qind, ky me 50 për qind e ju mbetët”, shpjegon Zymberi.

Kësaj greve do t’i bashkohen edhe punonjësit e administratës publike.

Përpos nivelizimit të pagave, ata po kërkojnë t’u njihet edhe stazhi i punës.

“Sinqerisht aq shumë jemi injorua, që po e shohim që e vetmja mënyrë për të arritur kërkesat, ashtu si po bëjnë edhe kategoritë tjera janë grevat. Edhe pse ne nuk i preferojmë këto masa”, deklaroi Kryetari i Sindikatës, Ndue Kalaj.

Greva do të përkrahet edhe nga shërbyesit civil nëpër Ministri. Kryetari i Sindikatës së Puntorëve në Ministrinë e Mjedisit Ali Sefaj, tha se nuk do të lëshojnë pe deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Në anën tjetër këshilltari për Ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri ka deklaruar se Kuleta e shtetit nuk ka mjete të bollshme për t’i realizuar kërkesat e grevistëve të sektorëve të ndryshëm.

Megjithatë, Shatri thekson se kërkesat e sindikatave do të analizohen nëse do të mund të përballohet kosto e lartë për paga nga buxheti i Kosovës, e cila sipas tij vetëm për sektorin e arsimit kap vlerën e 45 milionë eurove brenda një viti.

Përveç shërbyesve civil, grevë nga e marta kanë paralajmëruar edhe Universitete Publike. Ndërsa, aktualisht në grevë janë gjithë mësimdhënësit dhe një pjesë e mjekëve.
t

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here