TË JESH MOSBESUES

0

SALAJDIN SALIHU

Këtu janë prodhuar aq shumë gënjeshtra sa më askush s’e beson askënd. Sikur gënjeshtarëve t’u rritej hunda, si në përrallën me Pinokun, kudo do të shihnim hundë të holla, të çuditshme, qesharake, nëpërmjet të cilave do të lexoheshin karaktere njerëzish.

E gjërat nuk ndodhin si në këtë përrallë të bukur. Nuk zgjaten hundët, por zgjatet mosbesimi i njerëzve.

Aty ku gënjehet shumë nuk është keq të jesh mosbesues.

Nuk është keq të jesh mosbesues ndaj gënjeshtarëve dhe “profetëve të rremë”; ndaj atyre që i quajnë të ligë të gjithë kundërshtarët e së “vërtetës” zyrtare; ndaj atyre që flasin për patriotë e tradhtarë, por e duan më shumë qeverinë e Gruevskit se sa të Ismail Qemalit.

Nuk është keq të jesh mosbesues ndaj rrahagjoksave të pështirë – pjesë e shtypjes së programuar, kontrolluar e realizuar nga institucionet e egra shtetërore.

Nuk është keq të jesh mosbesues ndaj gjyqësisë së korruptuar, sepse, në të kundërtën, beson verbërisht se i pafajshmi është hajdut, se hajduti është i ndershëm, se e përdhunuara është lavire, se dhunuesi është viktimë ose hero.

Nuk është keq kur nis ta kuptosh se të duan vetëm për duartrokitje.

Nuk është keq kur nis ta kuptosh se je vetëm një copë mishi për topin e vjetër.

Është shenjë vetëdijësimi kundër mashtruesve.

Zgjatja e hundës, pas çdo gënjeshtre, nuk ndodh si në përrallë, por si në përrallë na shfaqet mbreti lakuriq. Trupi i tij cullak nuk shihet vetëm nga fëmijët, si te përralla e Andersenit, por ka nisur të shihet edhe nga fëmijët në moshë, që besuan në përralla moderne, teksa përkundeshin në djepin e rehatisë.

Drita e së vërtetës së trishtë ka ndriçuar prapaskenën e errët të politikës; ka qartësuar fytyrën e vërtetë të “skenaristëve” të ligësisë njerëzore; ka mundësuar të shihet zgjatja e spirales së turpit dhe marrëzisë së regjimit, për të cilin është armik secili që nuk i bindet verbërisht.

Karshi “spektaklit” tonë do të ishte i kotnasikotshëm “Big Brother”-i televiziv, ky format me muhabete të kota “protagonistësh” mendjecektë, sikur e vërteta të mos ishte tronditëse dhe e ndërlidhur me cenimin e fateve njerëzore.

Provat na flasin për parapolitikë; për vënie të shenjës së barazimit ndërmjet shtetit, pushtetit dhe partisë.

E kemi ditur kaherë, kurse tani janë provat që dëshmojnë se gjithçka është në shërbim të partisë – (pu)shtet, që manipulon me votën e lirë, pa të cilën nuk ka shtet demokratik. Partia – (pu)shtet kontrollon gjyqësinë, që ndan padrejtësi, duke dënuar të pafajshmin e duke e amnistuar keqbërësin. Kontrollon organet e sigurisë, që krijojnë pasiguri te qytetarët. I mbron kabadahinjtë, nëpërmjet të cilëve fiton vota me dhunë. Kontrollon administratën dhe tenton t’i vë qytetarët në shërbim të saj. Kontrollon sferën e kulturës, që duhet të jetë përtej kthetrave të politikës. Institucionet kulturore janë në shërbim të partisë, udhëhiqen nga njerëzit e partisë, që sillen si shkrimtari rus, i cili thoshte se shkruante nën diktatin e zemrës, por ama zemra i rrihte për partinë. Thjesht, ka kontroll ndaj çdo sferë shoqërore dhe çdo dalje nga binarët e paracaktuar çon në humnerë.

E vërteta lakuriqe dëshmon, pra, për sundimin e një kaste prijësash, që për pushtet djegin prona, të marrin bukën e gojës dhe bëjnë prapësi edhe më të mëdha. Atë që e vendos princi e vulosin servilët. Këtu kur kryeministri buzëqesh, ministrat shkrihen së qeshuri. Kur kryeministri sëmuret, ministrat ndjejnë dhembje. Kur kryeministri shqetësohet, ministrat qajnë e përloten. Kur kryeministri feston, ministrat dehen nga gëzimi. Kur kryeministri vë vulën, ministrat arsyetojnë, deputetët bëjnë zhurmë dhe ngjajnë si makina votash.

E vërteta lakuriqe ua merr të drejtën shumë “politikanëve” që të flasin për “demokraci” e “liri”. Dëshmitë e tmerrshme flasin për shpërfytyrimin e njeriut nga pushteti deri në skajshmëri të paimagjinueshme, sa janë në gjendje të bëjnë çdo prapësi kundër atyre që nuk u shkojnë për qejfi. Një dëshmi për fytyrën e vërtetë të kampistëve të dikurshëm, që çirreshin duke kërkuar dhoma gazi.

Një regjim i këtillë do të mbahet gjallë nëse sërish do t’i besohet të ndershmit Jago. Prandaj, është mirë që njerëzit bëhen mosbesues. Pak rëndësi ka që nuk i besojnë autorit të këtyre reshtave. Është e rëndësishme mos t’u besojnë Zeusave të mashtrimit të madh. Ka kohë për të besuar, sepse mosbesimi deri në pakufi është i dëmshëm. Së pari duhet të ikin ata që kanë ardhur me idenë se duhet të mbeten përgjithmonë.

(Portalb.mk.)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here