Të hënën nisë shkolla, Tirana me rregulla të reja të qarkullimit rrugor

0

Duke nisur që nga e hëna, trafiku në Tiranë do të çlirohet dhe kjo më së tepërmi duket se do t’u vijë në ndihmë fëmijëve që do të shkojnë në shkolla e kopshte. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një paketë masash, të cilat konsistojnë në reduktimin e lëvizjes së mjeteve gjatë orarit të mësimit dhe në kufizimin e lëvizjes sipas zonave përkatëse. Po, ashtu në këtë paketë, një rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe masave për transportin e nxënësve dhe korsive ku duhet të lëvizin furgonët e licencuar.

Sipas kryetarit të Bashkisë, këto masa që do të vihen në jetë, nga kjo javë e në vijim, janë ndërmarrë për të shmangur vonesat e fëmijëve në shkolla, e punonjësve në Tiranë dhe për më shumë siguri në raport me aksidentet. Kështu, sipas planit të lëvizjes është bërë edhe skematizimi i hartës së qytetit, i cili përcakton nëpërmjet 4 rrathëve, lëvizjen e mjeteve sipas peshës, ku ato të tonazhit të rëndë do të lejohet të lëvizin vetëm në akset hyrëse të qytetit (rrethi i jashtëm në hartë). Prioritet i bashkisë për kufizimin e trafikut do të jetë edhe kufizimi i orareve për mjetet e transportit të mallrave, të cilat do të duhet të ushtrojnë veprimtarinë, nga e hëna, pas orës 20:00 deri në 06:00 dhe gjatë ditës, në orarin 09:00-16:00.

Masat për transportin shkollor

Kryetari i Bashkisë, në mbledhjen me 24 administratorët e kryeqytetit detajoi paketën e masave, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e transportit të fëmijëve në shkollë. Masat e bëra publike dje nga kryebashkiaku Veliaj konstatojnë në vendosjen e një sinjali rrugor “autobus shkollor”, në të gjitha rrugët e qytetit, buzë trotuareve në afërsi të shkollave. Gjithashtu autobusët që transportojnë nxënësit në shkollë identifikohen me simbolin sinjalistik përkatës, i vendosur në katër anët e autobusit. Ndërkohë, si masë lehtësuese për qarkullimin më të shpejtë është vendosur që çdo mjet shkollor të lejohet të përdorë korsitë e dedikuara për autobusët urban qytetës.

“Transporti i nxënësve me autobus dhe furgon nuk mund të jetë si transport bagëtie ku çfarëdolloj furgoni rras e plas nga 40 kalamaj. Do të vendosim sinjalin rrugor autobus shkollor buzë trotuareve në afërsi të shkollave që të dihet ku është vendi ku lihen fëmijët. Autobusët do të kenë sinjalin dhe logon me të verdhë me portokalli që të dallohen nga furgonët e mallrave”, deklaroi Veliaj, duke shtuar se brenda 30 ditëve, çdo furgon dhe mjet që transporton fëmijët duhet të ketë sinjalistikat e nevojshme. “Pas certifikimit nga Bashkia, mund të përdorë korsitë për autobusët dhe urbanët qytetas, për të kapur në orar mësimin, për të mos bërë akrobaci në rrugët e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Po ashtu, ai u kërkoi administratorëve të njësive administrative që të caktojnë nga dy vullnetarë në secilën shkollë për të mundësuar kalimin e fëmijëve nga njëra anë e rrugës në tjetrën. “Secili nga ju duhet të identifikojë dy vullnetarë që kur fillon e mbaron mësimi me jelek fluoreshent  të ndihmojnë fëmijët të kalojnë rrugën kur hyjnë dhe dalin nga shkolla. Në të gjithë vendet e botës bëhet vullnetarisht, pra jo me rrogë, jam i sigurt që ka persona që marrin ndihmën ekonomike, pensionistët që kanë energji për të dhënë në ndihmë të fëmijëve, nga ora 07:30-08:00 dhe kur mbaron mësimi”, theksoi Veliaj.

Shkollat

Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe në gjendjen e shkollave, të cilat siç theksoi ai, gjenden në gjendje aspak të pranueshme për sa i përket standardit të kërkuar për të zhvilluar një proces mësimor normal. Ndaj, ai kërkoj nga komuniteti i biznesit dhe bordet e prindërve që, ashtu siç u veprua edhe me çerdhet, të mund të vijnë në ndihmë për restaurimin e tyre, në mënyrë që ato të jenë gati në nisjen e sezonit të ri shkollor.

“Besoj se edhe këtu do të duhet të kemi bashkëpunimin e komunitetit të biznesit apo të bordeve të prindërve”, tha Veliaj, duke iu bërë thirrje sipërmarrësve të adoptojnë nga një shkollë. Si objektiv të punës së Bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se është edhe zhvillimi i projektit “shkolla-qendër komunitare”. Për këtë, ai kërkoi nga administratorët që të marrin masa për të hapur shkollat edhe pas orarit mësimor, apo në fundjavë, për çdo aktivitet jashtëshkollor, siç mund të jenë kurset, aktivitet kulturore apo edhe sportive.

Vendimi

Plani i lëvizjes së automjeteve

1. Kufizim 24 orë i mjeteve në brendësi të unazës së vogël përveç veturave, urgjencave, zjarrfikësit dhe autobusëve urban.

2. Nga ora 06.00-09.00 dhe 16.00- 20.00 ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të transportit të mallrave.

3. Nga 6.00-20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton (në Unazën e mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në rrugët Sulejman Delvina, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Elbasanit dhe Blv Bajram Curri).

4. Nga ora 6.00-20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 18 ton (në brendësi të unazës së madhe të qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse në të).

5. Nga ora 6.00-20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme deri në 25 ton (në akset kryesore hyrëse në qytet).

6. Nga ora 20.00 – 06.00 subjektet tregtare mund të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese.

Transporti i nxënësve

1. Të vendoset sinjali rrugor “AUTOBUS SHKOLLOR”, në të gjitha rrugët e qytetit, buzë trotuareve në afërsi të shkollave.

2. Autobusët që transportojnë nxënësit në shkollë identifikohen me simbolin sinjalistik përkatës, i vendosur në katër anët e autobusit, përpara anash dhe pas.

3. Simbolet sinjalistike dhe logoja, të jenë mbi mjetin e lyer tërësisht, me ngjyrë të verdhë në portokalli.

4. Lyerja e mjeteve dhe vendosja e shenjave dalluese, të bëhen brenda 30-ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Urdhri.

5. Çdo mjet shkollor lejohet të përdorë korsitë e dedikuara për Autobusët Urban Qytetës.

Trafiku, fëmijët humbasin orën e parë

“Të gjitha masat që ne prezantojmë sot kanë si qellim që t’i vijmë në ndihmë nxënësve. Që nga e hëna do hyjnë në fuqi këto rregulla. Sipas një studimi, çdo javë secili nxënës humb 5 minuta të orës së parë të mësimit për shkak të trafikut të rënduar. Qyteti ka 100 mijë nxënës dhe për 5 minuta vonesë për secilin kemi 500 mijë minuta të humbura në javë, që bëhen 8,333 orë mësimi të munguara në një javë. Ndërkohë që në një muaj, nxënësit e Tiranës tonë humbasin 32 mijë orë mësimi!”, – tha kryetari i Bashkisë në fjalën e tij.

Kërkesa e prefekturës për shkollat

Prefektura e Tiranës do të krijojë një plan masash që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor. Prefekti Sadi Vorpsi është takuar me institucionet arsimore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2015- 2016. “Kërkoj nga Policia e Shtetit të mobilizohet për shmangien e trafikut. Nga drejtorët e shkollave, gjimnazeve kërkoj shmangien e zënkave të adoleshentëve. Problematikë mungesa e ujit dhe energjisë, janë kushtet minimale që duhen garantuar. Apel komunitetit të prindërve, të bashkëpunojnë me institucionet arsimore”, tha Vorpsi.

Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Arjola Byzyka kërkoj ndihmën e policisë, pasi për shkak të rikonstruksioneve, shkollat do të bashkohen me njëra-tjetrën.  “Kemi një betejë për shkak të rikonstruksionit të mjediseve që standardet të jenë si ato që kërkon BE. Prandaj vëmendja e OSHEE dhe Ujësjellësit duhet maksimale”, është shprehur Byzyka.

Provimi i fundit, A3 plotësohet pas datës 15

Ditën e djeshme, të gjithë maturantët, të cilët rezultuan mbetës në provimet me zgjedhje, i kanë dhënë ato për herë të dytë. Ky provim, ka shënuar dhe mbylljen e procesit të Maturës Shtetërore për këtë kategori, të cilët, me shpalljen e rezultateve nga komisioni i vlerësimit, do të duhet të plotësojnë ose jo formularin A3.

Këta maturantë, edhe pse në fazën e parë nuk kanë mundur t’ia arrijnë qëllimit për të marrë notë pozitive, tashmë kanë shpresë, pasi nga regjistrimet e fazës së parë, të cilat u mbyllën dy ditë më parë, u shpallën rreth 4500 kuota të lira. Së pari, ato do të plotësohen nga maturantët, të cilët ishin poshtë vijës së kuqe. Lista e re e fituesve do të shpallet nga AKP, në datën 14 shtator./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here