Të flasësh në shkretëtirë

0

SALAJDIN SALIHU

Me vite shkruaj për dukuritë që tani shpërthejnë në formë “bombash”. Kam shkruar edhe kur shumica përgjumeshin nën pushtetin e indiferencës, kur të tjerë shtireshin si të verbër, e disa shihnin “parajsa artificiale” në botën si prej ferri.

Më 2009 kam shkruar për “Shtetin ofendues”, që nuk e toleron vetëdijen plurale; që nuk i duron mendjetjetërsat dhe është i përzemërt vetëm me hipokritët e servilët; që kundërshtarin politik e konsideron armik të përbetuar dhe synon ta shmang jo vetëm nga skena politike, ngjashëm si te veprat e Shekspirit; që nuk toleron autonomi sferash shoqërore, ndryshe nga çfarë tha Henry David Thoreau në “Padëgjueshmëria qytetare”, se “qeveria e mirë është ajo që qeveris më pak ose nuk qeveris fare”.

Një vit më vonë, në shkrimin “Reflektimet e fashizmit të përjetshëm”, bëja krahasime të asaj që ndodhte këtu me atë që shkruhej te “Ur-fashizmi”, i Umberto Eco-s, duke parë ngjashmëri të pamohueshme, të frikshme, sikurse janë: propaganda, mungesa e lirisë së fjalës, kulti i Udhëheqësit, politikani i pakontestueshëm, mobilizimi rreth ideve abstrakte, kulti ndaj “traditës”, irracionalizmi, mosbesimi ndaj intelektualit të vërtetë, favorizimi i inteligjencies partiake, shpikja e “armiqve të jashtëm” dhe “të brendshëm”, obsesioni i komplotit, ksenofobia, ndjenja triumfaliste, përçmimi i të dobëtit, populizmi, ngulfatja e individit, “gjuhëreja”.

Kam shkruar për shtetin e mendjerobëruarve. Fola për Murti Bengun – ekzaltimin nga “bukuria” e “Kohës së re” dhe “Besimi i ri”. Fola për ketmanin, që nëpërmjet artit të shtirjes, hipokrizisë, maskës, siguron mbijetesë, sikurse thotë Çesllav Millosh.

Kam shkruar për krijimin e“shoqërisë së frikës”, siç e përshkruan Lash H. Svensen-i në librin “Filozofia e frikës”, ku njerëzit kanë frikë se bota mund t’u kthehet kundër, prandaj çdo hap e hedhin kujdesshëm.

Kam shkruar për projektimin e dominimit kombëtar, kulturor, gjuhësor, religjioz, që këtë shoqëri shumëkulturore e shndërrojnë në vatër antagonizmash e krizash të paparashikueshme. Pastaj për “tjetrin” e ndryshëm që perceptohet si “element i rrezikshëm”, prandaj, sipas kësaj logjike, duhet të mbahet nën kontroll të vazhdueshëm.

Kam shkruar për retorikën e frikshme dhe të rrezikshme për një shoqëri shumëetnike; për fyerjet institucionale të shqiptarëve, si rasti i “Enciklopedisë” së marrëzisë ose i megafonëve medialë, të afërt me pushtetin, që ofenduan në baza etnike, duke thënë zëshëm atë që e mendojnë padronët politikë.

Kam shkruar për kolektivizimin e fajit, për demonizimin e shqiptarëve, për tentimin e deformimit të imazhit të tyre përpara botës.

Kam shkruar për incidentet e kontrolluara ndëretnike, që synonin të shpërqëndronin vëmendjen qytetare përtej aferave dhe problemeve reale në shoqëri; pastaj për demonstrimin e qëllimshëm të forcës për të krijuar frikë e pasiguri, nga njëra anë, dhe për të dëshmuar fuqi shtetërore, nga ana tjetër.

Kam shkruar për deshqiptarizimin apo shpërfytyrimin e Shkupit shqiptar ose më saktësisht “vjedhjen” e këtij Shkupi.

Kam shkruar për mungesën e demokracisë, për komunikimin e munguar politik, për shtetin që udhëhiqet nga Truhinjot – këta politikanë të etur për pushtet dhe Xhoni Abesët – projektuesit e prapaskenave, që i shërbejnë egërsisht pushtetit të egër; kam shkruar edhe për gjenitë e intrigës, të tipit Zhozef Fushe, por edhe për policinë e keqpërdorur nga nëntokat politike, në vend se ajo të ishte në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Kam shkruar për mediat e kontrolluara, klienteliste, si zgjatime autoritetesh politike, ashtu sikurse i përshkruan Noam Chomsky te “Dhjetë mënyrat e manipulimit medial”. Por edhe për shoqërinë e spektaklit, që ofron “bukë e lojëra” (“Panem et circenes”, si te romakët).

Kam shkruar për gjyqësinë e kontrolluar nga politika; për proceset e montuara gjyqësore, për gjykime njerëzish të pafajshëm.

Kam shkruar për zgjedhjet e manipuluara, ku nuk fitojnë votuesit, por numëruesit e votave; për korrupsionin, që hijezohet prej diskurseve folklorike; pazaret e grupimeve politike për interesa meskine.

Kam shkruar për diplomacinë shterpe, shkurtpamëse, cinike, të padobishme për sa u përket integrimeve euroatlantike dhe e udhëhequr nga logjika antieuropiane.

Kam shkruar për privilegjimin e “inteligjencës shtetërore”, shumëfishuese e gënjeshtrave dhe mashtrimeve të pushtetit autoritar.

Kam shkruar për falsifikimin e historisë, për ndryshimet e shpejta në kulturë, që të krijohej identiteti i ri kombëtar maqedonas, gjithnjë duke stigmatizuar “të tjerët”, pra shqiptarët dhe fqinjët.

Kam shkruar për stimulimin e kiçit, veçanërisht atij politik; për instrumentalizimin e patriotizmit, populizmit, nacionalizmit, tradicionalizmit, gjithnjë për qëllime të mbrapshta politike.

Kam shkruar për punësimet partiake, për institucionet jofunksionale e të partizuara skajshmërisht.

Kam shkruar për mungesën e investimeve të jashtme, për pabarazi ekonomike, veçanërisht mbi baza etnike; për varfërimin e skajshëm e të qëllimshëm të popullsisë, me qëllim që kërkesat të tkurreshin te mbijetesa momentale. Pra, “bukën e përditshme falua sot”.

Kam shkruar për qasjen jodashamirëse kundrejt diasporës shqiptare dhe manipulimin e saj, veçanërisht në kohë zgjedhjesh.

Kam shkruar për regjistrimin e manipuluar, pastaj të dështuar, nga frika e numrit real të shqiptarëve në Maqedoni.

Kam shkruar për sistemin e çorganizuar arsimor e shëndetësor, por kam shkruar edhe për partitë politike shqiptare. Kam thënë se nuk kanë strategji politike e kombëtare; se riprodhojnë ide të vjetra dhe kanë mungesë idesh të reja e vizion të qartë politik. Kam shkruar se u mungon demokracia e brendshme; se aktrojnë demokraci; se janë bërë vatra njerëzish jo kompetentë, pa moral politik, që udhëhiqen nga mendjengushtësia provinciale, nga logjikë tribale e klanore, nga logjika e të nënshtruarit, e robit kundrejt padronit dhe se për shkak të kësaj logjike kemi prani të papranishme të shqiptarëve në hapësirën politike, në institucionet shtetërore; se partitë shqiptare shërbejnë vetëm si dekor në pranëqeverisje e jo si faktor në bashkëqeverisje.

Kam shkruar për “trimat” lokal, të programuar nga nëntokat politike maqedonase për të na frikësuar, kërcënuar, gjithnjë duke u thirrur në emër të idealeve të mëdha, që u shërbejnë për t’u pasuruar; duke manipuluar kështu me vlerat e luftës.

Kam shkruar mbi reduktimin e kërkesave tona vetëm në punësimin e të rinjve në administratë shtetërore, duke na pandehur të gjithëve se kemi vetëdije të kolonizuarish.

Kam shkruar për diplomacinë shkurtpamëse e kalkuluese të shteteve shqiptare, Shqipërisë e Kosovës, që e kanë përligjur punën e qeverisë, në emër të dofarë bashkëpunimesh rajonale dhe kanë heshtur si mumje kur shqiptarët terrorizoheshin në pronat e tyre.

Më vjen keq se gjërat ndodhën siç nuk duhej të ndodhnin. Të shpresojmë se do të vijnë kohë më të mira kur secili do të bëjë punën që i pëlqen. Dëshiroj sa më shpejtë të dalim nga kjo shkretëtirë dhe brezi që vjen mos e harxhojë kreativitetin duke u preokupuar me marrëzitë e tanishme. E megjithatë e kam një dyshim gërryes.

(Portalb.mk.)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here