Të enjtën kuvendi në seancë plenare, nuk përmendet specialja si mundësi trajtimi

0

Kuvendi i Republikës së Kosovës të enjten e ardhshme do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e Grupeve Parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.

Në lexim të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen katër projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.

Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here