Të burgosurit e grupit të Kumanovës në burgun e Manastirit ende mbahen si në kushte të mesjetës

0

Avokati Naser Raufi sot sërish ka vizituar të arrestuarit e grupit të Kumanovës që janë dërguar në burgun e Prilepit dhe Manastirit deri në fillimin e procesit gjyqësor.

Me këtë rast ai ka konstatuar përmirësime të kushteve në të cilat gjenden të arresuarit në burgun e Prilepit, mirëpo nuk ka kurrfarë përmirësimi të kushteve në burgun e Manastirit. “Pas alarmimit të opinionit që e bëmë përmes gazetës Lajm, autoritete e burgut në Prilep kanë marrë masa për përmirësim të gjendjes të arrestuarëve në Kumanovë.

Ata tani gjenden në kushte më normale. Mirëpo nuk ka kurrfarë ndryshimi në burgun e Manastirit, ku edhe më tej mbahen në qeli vetmie vetëm dy me dy. Flenë në krevatë të drurit sikur në burgjet e para njëqind viteve.

Buzët ende i kanë të përgjakura, që tregon se mungon edhe kujdesi gjyqësor”, deklaroi për Lajm avokati Naser Raufi. Ai thotë se pas alarmit të bërë, të arrestuarit në Prilep dhe Manastir janë vizituar nga përfaqësues të zyrës së Avokatit të Popullit, mirëpo edhe më tej mungon interesimi për gjendjen e tyre nga ministria e drejtësisë.

Personat e arrestuar që gjenden në burgun e Prilepit janë Demë Shehu, Muhamet Krasniqi – “Malisheva”, Valdet Zekaj dhe Nexhmedin Lika, kurse, në burgun e Manastirit janë  komandant “Sokoli” (Sami Ukshini), Ardijan Bujari dhe Shefqet Hallaqi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here