Tanja Fajon zhgënjen kosovarët: S’ka njëherë liberalizim të vizave

0

Raportuesja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka konfirmuar faktin se votimi i demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës nuk është kushti përfundimtar që BE-ja të liberalizojë vizat për kosovarët.

Fajon në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se Komisioni Evropian do dalë me një raport të progresit për Kosovën, muajin e ardhshëm dhe nëse aty janë rekomandimet pozitive përfshirë edhe luftimin e korrupsionit, mund të nisin procedurat për liberalizim të vizave.

Kësisoj Fajon ka humbur shpresat që votimi i demarkacionit ka qenë kushti i fundit para se BE-ja të nisë procesin e liberalizmit të vizave për kosovarët, një premtim ky që i është thënë kosovarëve nga institucionet e Kosovës por edhe nga ana e disa zyrtarëve të BE-së në Kosovë.

Sipas Fajon, në mënyrë që liberalizimi i vizave për kosovarët mund të hidhet në votim në Parlamentin Evropian vetëm pasi të shihen veprime konkrete në luftimin e korrupsionit.

Por kur mund të ndodhë kjo? Fajon jep një afat jo shpresëdhënës për kosovarët.

“Komisioni Evropian do të marrë një raport të progresit në muajin prill. Nëse aty janë rekomandimet pozitive, unë menjëherë do ta vendos këtë çështje për votim në parlament. Skenari ideal do të ishte që kjo të ndodhë para pushimit vjetor”, ka thënë Fajon për REL.

Por ka edhe tjera pengesa.

“Pas raportit, shtetet anëtare duhet të japin pëlqimin tyre e më pas duhet të punojmë me ministrat në Këshillin e Evropës”, ka thënë Fajon.

Kosova nuk i ka punët mirë me disa vende të BE-së. Pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. Ky do të jetë problem i madh që vendet sikurse Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia të binden për liberalizim të vizave për kosovarët.

Fajon e pranon se është e vështirë të ndikohet në Këshillin e Ministrave të BE-së por premton se do të ushtrojë presion.

“Kam folur me disa vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, dhe më kanë thënë se nuk është se e vënë në pikëpyetje liberalizimin me njohjen e shtetit të Kosovës.

Por a e ka kaluar Kosova testin e luftimit të korrupsionit? Fajon thotë se nuk e di.

“Ministrat në Kosovë thonë se është luftuar korrupsioni dhe se të gjitha kushtet janë plotësuar, por më duhet ta dëgjojë këtë edhe nga Komisioni Evropian. Shpresoj që nëse jo zyrtarisht, së paku të kemi një siguri jo zyrtare që të ecim me këtë proces”, ka thënë Fajon për REL.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here