Tallja e FMN-së dhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës me veteranët e UÇK-së

0

MEHDI KRASNIQI

U tall me ne, sepse e gjeti derën hapur. Qeveria jonë duket e ka interes primar, që të mos e përmirësojë gjendjen ekonomike të çlirimtarëve.Ligjin e ka lënë sakat, Udhëzimin Administrativ në sirtar. Nuk di si nuk flet asnjë nga strukturat e veteranëve me seriozitet e me kembëngulje për këtë çështje.
Sa nga shokët e tyre jetojnë sot në gjendje të mjerueshme dhe sa nga profiteret jetojnë si pashallarë. A duhet dikush të ketë të paktën ndjenjë dhimbjeje, anipse po shihet se nuk mund të ketë pikë të ndërgjegjës.
Në emër të luftës disa janë bërë milionerë,ndërsa disa të tjerë për t’i mbrojtur idealet dhe luftën e UÇK-së, në tërësi, kanë mbetur të varfër dhe jetojnë në varfëri ekstreme.
Disa të tjerë, që nuk janë pak, nuk kanë sot gjymtyrë të trupit, sepse pa to kanë mbetur teksa luftonin nëpër istikame, teksa bartnin armatim, teksa mbronin atdheun, këtë atdhe që sot po e nëpërkëmbin kaq poshtrueshëm, disa që ironizonin me luftën dhe me nocionin Liri.
Kushdo prej jush, dilni dhe shikoni në çfarë rrethana jetojnë sot veteranët dhe invalidët e luftës, nuk besoj so do të mund të jetoni ashtu, më shumë se 24 orë. E po vika puna, që të ndrydhet e të shtrydhet edhe kjo pak rrogë për ta. A deri në këtë masë, pranon shteti t’i shkel e t’i shtyp njerëzit që lirinë e sollën me gjak, me gjymtyrë trupi e sakrificë njerëzore?! Unë e di, që ka plotë popuj që nuk kanë heronj dhe për ta pasuruar historinë e vetë, krijojnë heronj mitik. Ne kemi heronj, veteranë, por i njollosim e i nëpërkembim. Anipse dimë mirë t’i qajmë e t’i vajtojmë në përvjetore, dhe t’i përdorim për qëllime politike në fushata zgjedhore. E dhimbshme është kjo!
Nuk ka faj i huaji, ka faj i joni! Ka plot raste, që më me nder kanë punuar disa të hauj për vendin tonë se sa disa nga tanët.
Bëhet shumë zhurmë për një rrogë, s’bëhet zhurmë për funksionarët politikë që janë shndërruar në milionerë, në fajdexhinj!
Pse kurrë Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ngreh shqetësim për ministrat e zv.ministrat që i marrin nga dy-tre rroga, të cilët punojnë në ministri, në universitete e kolegje private, por shqetësohet për rrogat e veteranëve?
Pse asnjë nga ministrat e zv.ministrat, nuk thotë u ngopa?! Madje fëmijët e tyre shkollohen në universitete me renome, kanë vetura luksoze të tipit mbretëror. A është mirë me ato makina të çojnë pluhur para këmbëve të invalidëve e të veteranëve, të cilëve po ua kontestojka dikush statusin e dikush tjetër shumën e rrogës!!! A është mirë dhe e ndershme, që veteranët dhe fëmijët e tyre të mbledhin lemenka për të siguruar një kafshatë buke?!
FMN, le ta detyrojë qeverinë, që ministrat dhe zv.ministrat të mos marrin më shumë se një rrogë, të mos punojnë në më shumë se në një vend pune, atëherë, ka mjete të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes sociale të të gjithë qytetarëve.
Pse heshti FMN, ku mori vesh se një ministër ka dy e më shumë zv.ministra, që marrin rroga kot? Heshti sepse, ata nuk e duan sa do të duhej ta donim ne këtë vend. Ata kurrë nuk mund të kenë as ndjenjën e kujdesit, e as të dhimbjes sikur do të duhej ta kishim ne për vendin tonë. Si duket FMN ka hangër do thelba të hudhrës!

Jam bindur që idiotizmi nuk është studiuar sa duhet. Studimin e tij duket që e kanë bërë vetëm idiotët dhe jo njerëzit që kanë ndërgjegje, dhe nuk marrin gjë më shumë se sa iu takon.

Veteranët duhet të ngrihen në këmbë dhe të protestojnë fuqishëm për ta mbrojtur identitetin kombëtar dhe të drejtat që iu takojnë. Nuk ka rëndësi nëse bjen qeveria, gajle e madhe! Populli do mirëqenie dhe pikë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here