Takimi në Bruksel po vazhdon,prononcohet shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq

0

Në takimin në Bruksel është duke i biseduar në lidhje me atë se çfarë është realizuar nga marrëveshjet e arritura deri më tani mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Ivica Daçiq, shef i diplomacisë serbe, ka thënë se në takim po bisedohet edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa ka theksuar se asociacioni është çështje e rëndësishme për serbët e Kosovës dhe se kjo ka qenë edhe vet arsyeja e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit.

“Ky nuk mund të jetë veprim i njëanshëm nga asnjëra palë, për këtë duhet të diskutohet”, ka thënë Daçiq kur u pyet nga gazetarët nëse AKS do të jetë temë e takimit.

Ndërkaq, për sa i përket çështjes së pronës, Daçiq ka thënë se kjo patjetër se do të jetë temë e dialogut, dhe ka theksuar se nuk është Serbia ajo që ka imponuar këtë çështje, por është Prishtina përmes përpjekjeve për privatizimin e disa ndërmarrjeve në Kosovë.

“Nuk është reale që çdo çështje të zgjidhet sot, por takimi është shenjë e mirë dhe ne mendojmë se është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve të hapura. Do të kemi qasje konstruktive dhe do të mbrojmë interesat tona kombëtare”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

Për sa i përket çështjes së “Trepçës”, Daçiq ka shprehur bindjen e tij se edhe kjo çështje do të hapet, por ka theksuar se nuk e di nëse kjo do të ndodh sonte.

Në insistimin e gazetarëve se a do të bisedohet për “Trepçën” ani pse pala kosovare thotë se nuk ka arsye për t’u diskutuar kjo çështje pasi që bëhet fjalë për pronën e saj, Daçiq ka thënë se edhe ai vet mund të thotë të njëjtën gjë për shumë tema.

“Ky dialog po bëhet për shkak se Beogradi dhe Prishtina nuk pajtohen. Sikur të pajtoheshin, ne do të bisedonim direkt”, ka thënë Daçiq, ndërsa ka shtuar se secili duhet ta kuptojë rolin e vet dhe se Prishtina “sigurisht që nuk është ajo që vendos për temat”.

Në pyetjen se çfarë atmosfere po mbretëron mes delegacioneve, ai ka thënë: “Në takimin e parë, temë ka qenë nëse delegacionet i kanë shtrënguar dorën njëri-tjetrit, ndërsa sot ky nuk përbën më lajm”, duke shtuar se “kjo përbën normalizim të marrëdhënieve”.

“Sot atmosfera është shumë më ndryshe, dhe për këtë meritor është Beogradi, e jo Prishtina, sepse Beogradi ka qenë konstruktiv dhe për këtë fakt duhet të vlerësohet më shumë”, ka shtuar Daçiq./ KOHA.net/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here