“Syri i Popullit”, dëshmitë e krerëve të shtetit u përshkuan me tensione dhe fyerje në Gjykatë

0

Dëshmitë e krerëve shtetëror sot në Gjykatë për anëtarët e organizatës “Syri i Popullit” kanë bërë bujë të madhe në gjithë vendin. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Hajredin Kuçi dhe Faton Topalli janë emrat që dëshmuan sot për gjithçka që dinë ndaj anëtarëve të organizatës, vetë organizatës dhe atyre që fshihen prapa saj.

ëshmitë e dëshmitarëve të rastit “Syri i Popullit” sot në seancë gjyqësore shkaktuan tensione të shumta.

Liderët shtetëror, por në gjykatë si dëshmitarë dhe të dëmtuar, folën për këtë organizatë terroriste, anëtarët e saj, organizimet terroriste të tyre dhe personat që fshihen prapa kësaj organizate.

Gazeta Express ka përcjell këtë seancë që ka nisur nga ora 9:30, dhe ka vazhduar deri pas orës 16:00. Aty u la presidenti duke dëshmuar, duke treguar “sekretet e shtetit” siç tha Presidenti Hashim Thaçi.

Akuza se kush fshihet prapa kësaj organizate patën pothuajse të gjithë dëshmitarët. Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Sadri Ramabaja është krahu i armatosur i Vetëvendosjes, që ka bërë këtë organizatë. E Presidenti Hashim Thaçi akuzoi drejtpërdrejtë Albin Kurtin, Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën si udhëheqës të kësaj organizate.

“Prapa planeve të organizatës jam informuar nga autoritetet e sigurisë së shtetit se qëndrojnë Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja”, deklaroi Thaçi.

Kurse, për atentatorin Murat Jashari, i cili shkrepi plumb ndaj avokatit Azem Vllassi që e la edhe të plagosur, secili nga dëshmitarët thanë se ai ishte manipuluar nga dikush.

“Mua më ka ardhë gjynah prej Muratit, sepse e kanë përdorë si kobure. Ai ato pyetje nuk besoj se i ka shkru vet”, tha Xhavit Haliti, që ishte i pari që dha dëshmi.

Pas tij, për dëshmi u paraqit kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Për shkrimet e Murat Jasharit, Veseli tha se ia ka shkruar Sadri Ramabaja, pasi “Murati s’din me shkru”.

“Sadri Ramabaja ia ka shkru shkrimet Murat Jasharit, se Murati s’din me shkru. Sadri Ramabaja është pjesë u vërtetu se ishte pjese e Vetevendosjes, krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, tha Veseli.

Për këtë deklaratë të Veselit, reagoi avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Kranisiq, i cili paralajmëroi se do të ngre kallëzim penal ndaj “shpifjeve të Kadri Veselit”.

Objekt diskutimi sot në gjykatë u bënë edhe gratë e të akuzuarve dhe dëshmitarëve.

Në një përplasje në mes të Sadri Ramabajës dhe Xhavit Haliti, situata kaloi deri tek emrat e grave të tyre.

Ajo që e acaroi Sadri Ramabajën ishte se Xhavit Haliti tha se atë e kishin përjashtuar LPK’ja, dhe pastaj pas luftës, Ramabaja ka shfaq propaganda. Këtu u përmend nga Xhavit Haliti edhe një konflikt në mes të Ramabajës dhe Emrush Xhemailin në kohën e LPK’së.

Haliti tha se bashkë me Avni Deharin, si pleqnarë në atë kohë, i kanë ndihmuar Sadri Ramabajës që të dalë nga ai konflikt. Madje, Haliti tha “ke qajtë para meje edhe Avni Deharit kur e ke pas konfliktin”.

E pikërisht pas kësaj pjese, Sadri Ramabaja i tha Xhavit Halitit se “tash mundesh me ia harru emrin edhe gruas tënde”, duke aluduar se Haliti i ka harruar disa gjëra të pas luftës.

Mirëpo reagimi i nënkryetarit, sot në cilësi të dëshmitarit ishte i shpejtë.

“Gruas tënde nuk ia kam harru emrin”, i tha Xhavit Haliti Sadri Ramabajës.

Pasi Xhavit Haliti e kreu dëshminë e tij, u ftua kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli për të dëshmuar lidhur me rastin e Syrit të Popullit. E Haliti, kërkoi që të qëndrojë në sallë edhe gjatë dhënies së dëshmisë së kryetarit të partisë së tij.

Me sa u pa, Kadri Veseli nuk i njihte se si dukeshin dhe kush ishin të akuzuarit lidhur me këtë rast, edhe pse ata emrin e tij e kishin vënë në listën e ekzekutimeve dhe e kishin shpallë si tradhtar të kombit.

Kadri Veseli, derisa u pyet për secilin nga të akuzuarit se a i njeh, ai dëshironte që të kthehej mbrapa ku qëndronin të akuzuarit dhe t’i shikojë se kush janë.

Kur u pyet se a e njeh Rexhep Topolanën, Veseli u kthye, e shikoi dhe i tha “alamet mashkull koke”.

E Topolana reagoi duke i thënë se nuk është pjesë e Syrit të Popullit, madje as nuk i njeh këta njerëz që janë të ulur në bankën e të akuzuarve.

“Syri i Popullit është plahu i Kombit”, reagoi Kadri Veseli.

Si dëshmitar, Kadri Veseli tha se para se të ndodhte atentati për vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi, Agjencia Kosovare e Inteligjencës e kishte njoftuar atë 2-3 ditë përpara se i rrezikohet edhe jeta e tij.

“AKI’ja më ka paralajmëru 2-3 ditë para se me ndodhë atentati ndaj Azem Vllasit. Më kanë thënë se rrezikohet jeta ime. Nuk iu kam besu që mundet dikush të bëjë diçka të tillë”, tha Veseli.

Si duket dëshmia e Veselit nuk i pëlqeu Avni Llumnicës, të akuzuarit tjetër në rastin e Syrit të Popullit, i cili dyshohet se ishte anëtar i saj.

“Nuk të njohim ne ty si kryetar i Kuvendit”, i tha Llumnica Veselit, por reagimi i kryeparlamentarit ishte i shpejtë, “Nuk ni që janë gjallë këta pisa”.

Po në këto momente u tentua që Veseli dhe Llumnica të kenë përplasje fizike, por kjo nuk ndodhi pasi policia që gjendjeshin brenda seancës gjyqësore e parandaluan një gjë të tillë.

Avni Llumnicës iu vunë prangat në duar dhe seanca vazhdoi e qetë me dëgjimin e dëshmitarit të tretë, Hajredin Kuçit.

Anëtari i kryesisë së PDK’së, dëshmoi se nuk e njeh asnjë nga të akuzuarit për këtë rast, përveç Sadri Ramabajës, edhe pse ishte në listë të ekzekutimeve të tyre.

Për Ramabajën, Kuçi tha se ka pasur respekt dhe ka ende, dhe se nuk po arrin ta kuptojë se si ka mundësi që ai gjendjet në listën e të akuzuarve, pasi nuk besonte se i ka bërë diçka të keqe këtij të akuzuari, në mënyrë që ai të ishte pjesë e planit për ekzekutimin e tij.

“Ramabajën e kam pas student në magjistraturë. Kemi pas miqësi dhe nuk e di kur paska përfundu kjo miqësi që të ndodhë kjo”, tha Kuçi.

Dëshmi jo shumë e zgjatur nga ana e anëtarit të PDK’së dhe e qetë ishte sot në gjykatë. Pas tij, u thirr të dëgjohet edhe deputeti i VV’së Faton Topalli.

Kur u pyet se ku ka dëgjuar për herë të parë për organizatën “Syri i Popullit”, Topalli tha se ka dëgjuar nga Kadri Veseli.

“Kadri Veseli ka ardhë m’ka thanë ‘çka jeni kah boni kështu ju Vetëvendosja’. Unë i thash që s’po e kuptoj. Ai pastaj ma përmendi Syrin e Popullit, e unë prapë nuk e dija se për çfarë po flet, mendoja se e ka fjalën për ndonjë organizatë për sigurime diçka, por nuk e dija se ishte diçka tjetër”, tha Topalli.

Pas një pauze një orëshe, e më pastaj edhe pas një pritjeje 40 minutëshe, u shfaq edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky, kishte kërkuar nga Gjykata që seanca të jetë e mbyllur për publikun, por me qenë se kjo nuk ndodhi fillimisht, gjykata mori vendim që vetëm incizimet dhe fotografimet të ndalohen,

Me të hyrë presidenti në sallë të gjyqit, u shtuan edhe forcat e sigurisë: policë e truprojet e Presidentit.

Edhe Presidenti tha se për rrezikun e kësaj organizate ishte njoftuar nga autoritetet shtetërore të sigurisë disa javë më herët, para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasit.

Ai tha se autoritetet e sigurisë e kishin informuar se prapa kësaj organizate kriminale qëndrojnë Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja.

“Prapa kësaj organizate kriminale, jam informuar se qëndrojnë Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca. Unë e mbështes ndjekjen dhe dënimin maksimal të këtyre njerëzve kërcënues dhe vrasës të njerëzve të pafajshëm”, tha Thaçi.

Kur u pyet për pyetjet që ia kishte parashtruar Murat Jashari presidentit, por jo vetëm presidentit, por të gjithë liderëve shtetëror e figurave publike, Thaçi tha se pyetjet dhe shkrimet e Murat Jasharit kanë qenë të orkestruara nga Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja.

Por, presidenti gjatë dhënies së dëshmisë disa herë potencoi se dëshiron që seanca të mbyllet për shkak se ai nuk po mundet t’i tregojë disa “sekrete shtetërore” që ai i di për organizatën “Syri i Popullit”.

“Sikur të ishte seanca e mbyllur do t’i përmendja edhe disa emra të tjerë që qëndrojnë prapa kësaj organizate”, tha Thaçi.

Reagim ndaj kësaj deklarate pati Sadri Ramabaja, i cili tha se “ky gjyq politik është tipik stalinist”.

Pak minuta më pas, Thaçi kërkoi që seanca të mbyllet për publikun, dhe kjo ndodhi.

Seanca u mbyll për publikun me vendim të trupit gjykues dhe “sekretet shtetërore” Thaçi nisi t’ia tregojë Gjykatës.

Seanca e ardhshme për këtë rast, u caktua të mbahet më 25 janar të 2019’s.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritë aktakuzë ndaj Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Ragip Sallova, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, Behxhet Topolana, Avni Llumnica dhe Murat Jashari dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “dhunim”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”.

Organizata “Syri i Popullit”, e cila pati marrë përsipër atentatin kundër avokatit Azem Vllasi. Por, ata kishin formuluar lista të personave që e kishin në plan t’i ekzekutonin./M.K/GazetaExpress/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here