Sulm i armatosur në një spital të Çikagos, tre të vrarë

0

Policia ka deklaruar se një mjeke, një farmaciste e sapodiplomuar dhe një polic janë vrarë në një sulm të armatosur që ndodhi në një spital të Çikagos. Sulmuesi ishte parë duke u grindur me mjeken Tamara O’Neal, me të cilën kishte qenë në lidhje, para se ta qëllonte atë dhe të tjerët.

Sulmuesi është identifikuar nga policia. Ai është 32-vjeçari Juan Lopez, i cili gjithashtu është i vdekur, por ende nuk dihet nëse është vrarë nga policia apo ka bërë vetëvrasje. Kryetari i qytetit, Rahm Emanuel, tha se ky sulm e ka pikëlluar shpirtin e qytetit. “Ky sulm është fytyra dhe pasoja e djallit. Të tri viktimat ishin duke e jetuar një ditë të jetës së tyre, duke bërë atë që e donin me zemër”, tha ai.

Policia e Çikagos deklaroi se të shtënat kishin filluar dje rreth orës 15:00, kur sulmuesi po grindej me mjeken e ndjerë. Kur një shoqe e mjekes kishte provuar të ndërhynte, sulmuesi e kishte nxjerrë armën. Një dëshmitar tha se sulmuesi e kishte qëlluar viktimën edhe tri herë, pasi ajo ishte rrëzuar në tokë. Kur arriti policia, sulmuesi kishte hyrë në spital dhe e kishte vrarë një farmaciste, e cila ishte duke dalë nga ashensori. Më vonë, gjatë shkëmbimeve të zjarrit u vra edhe një polic.

Pacientët e spitalit ishin munduar të fshihen nën tavolina, ndërsa njësia speciale e policisë i kishte bllokuar të gjitha dyert e spitalit. Mjekja e vrarë punonte në emergjencën e spitalit dhe nga drejtori i saj u cilësua si një mjeke e shkëlqyeshme. Ndërkaq, polici i vrarë ishte një i ri 28 vjeçar, i cili ishte baba i tre fëmijëve, shkruan “BBC”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here