STUDENTËT E RRËZUAN OPOZITËN, TANI PRITET RAMA!

0

Spartak NGJELA

Protesta e studentëve, pas 26 vjetësh abuzim qeveritar në Shqipëri, krijon impaktin e parë pozitiv, në një kohë të karakterizuar nga banditizmi dhe korrupsioni. Kjo kohë ka sjellë një gënjeshtër qeveritare dhe degradim të Shqipërisë.

I. Te kjo protestë sot është drejtuar vëmendja e të gjithë shqiptarëve që kanë kërkuar t’iu rikthehet atdheu i tyre. Shqiptarëve ua ka grabitur atdheun një aradhë gangsterësh që po i qeveris në 26 vjet. Po studentët? Këta e kapën degradimin e gjendjes me instiktin e rinisë që kërkon të ardhmen, duke shkelmuar tërësisht të tashmen. A do të shkojë deri në fund ky shkelmim? Jam i bindur se po. Cilat janë përparësitë e studentëve?

E para: frika e korrupsionit qeveritar në të dy krahët e politikës shqiptare. E dyta: qartësia që iu ka dhënë koha për kërkesat e tyre të paraqitura çdo ditë në rritje. E treta: kapja e situatës nga i gjithë studentati i universiteteve publike që, shtrëngimi i tyre financiar, është pasojë e korrupsionit të qeverisë aktuale, dhe e të gjitha qeverive që kanë kaluar në 26 vjet.

II. Çfarë janë në thelb kërkesat e studentëve?

Ato kuptohet se kanë qëndrim të hapur Antikorrupsion. Studentët si trupë gjigande e kuptuan që po vidheshin nga politika ministritrore dhe kryeministrore, e bashkuar në vjedhje me rektoratet. E kuptuan që mësimdhënia ishte biznes për fitime dhe jo instrument për të dhënë dije dhe profesion.

Nga i vjen studentatit shqiptar ky kthjellim që duket si i studiuar në kohë? Ua ka dhënë vetë koha. Cila kohë? Çdo brez rinor ka kohën e vet. Nëse brezi i ri nuk di ta sundojë kohën e tij, humbet të ardhmen, sepse këtë të ardhme ia grabit brezi abuziv që e drejton. Studentati i sotëm shqiptar po kërkon të dominojë kohën e vet. Dhe duhet të dini një gjë: kur rinia e kap kohën e vet, dhe e sundon atë, nuk e mposht dot asnjë lloj force.

Po qeveria aktuale? Tani që studentati publik shqiptar me mbi 40 mijë studentë e di dhe është kundër të vërtetës abuzive qeveritare, i vetmi akt që ka në favor kjo qeveri, është dorëheqja e kryeministrit, sepse studentati e ka kapur në vjedhje dhe në abuzim kundër tyre. Studentët e protestës masive kanë forcë të madhe potenciale të cilën po e hedhin në akt me mençuri.

Po gjendja politike? Socialistët kanë vetëm një rrugë: qeveria aktuale është kapur në korrupsion nga masivi studentor i universiteteve publike, prandaj ata duhet të paraqesin në Parlament qeverinë që do të pranojë të gjitha kushtet e studentëve, dhe të bëhet nga anëtarë qeverie dhe një kryeministër që nuk kanë asnjë përfolje për korrupsion.

Po, nisur nga formimi psikik problematik që ka, a mund ta japë Rama dorëheqjen? Do ta kuptojë, sepse deri tani ai mendoi që me komisione të blera të studentëve, me to, do ta shuante protestën masive studentore duke përdorur gënjeshtra nga pozita e forcës. Por studentët e kapën, dhe ia hodhën turinjve. Rama tani është i trembur.

Kurse opozita e korruptuar që u afrua, u izolua me përbuzje. Studentët ndërkohë e kanë rrëzuar opozitën. Tani po pritet rrëzimi i Ramës. Nëse Rama do të vijojë në jerm të mendojë me autosugjestionim se do të gënjejë studentët, thjesht do të përfundojë si përcaktimi që ka bërë shkrimtari Henry Miller: like a ghost moving about in a vacuum – si një fantazëm që lëviz nëpër boshllëk. Të shohim!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here