Stoltenberg zotohet se NATO do të vazhdojë të kontribuojë për sigurinë në Kosovë

0

PRISHTINË, 23 JANAR – Sekretari gjeneral i NATO-së Jens Stoltenberg sot ka qëndruar në Republikën e Kosovës. Ai pas takimit që ka patur me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se me knaqësi po i shihte ndryshimet pozitive që sipas tij kishin ndodhur nga vizita e tij e fundit që e kishte patur në Kosovë pak vite pas luftës. “Së bashku po ecim përpara dhe në mandatin e fuqishëm të OKB-së, misioni ynë e ka ndihmuar Kosovën që të transformohet në një vend më të sigurt, dhe ka ndihmuar që ta bëjmë Ballkanin Perëndimor më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”, ka thënë Stoltenberg duke u zotuar se ndihma e KFOR-it do të vazhdojë “në mënyrë të paanshme”. “Po shoh progres të madh në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai duke përcjellë përgëzime për përpjekjet e politikës kosovare për t’u ofruar me komunitetin serb. “Unë llogaris në lidershipin tuaj, që ta shtyni Kosovën përpara, drejt paqes dhe prosperitetit dhe të ardhmes në komunitetin evroatlantik”, është shprehur ai. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ka shfaqur interesim para sekretarit Stoltenberg për stabilitet në rajon dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në bashkëpunim me të gjitha vendet, dhe veçmas me NATO-n, për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe në luftën kundër terrorizimit dhe për paqen në përgjithësi. Sekretari i NATO-së sot është takuar edhe me komandantin e KFOR-it Francesco Paolo Figliuolo. Stoltenberg ka tërhequr vëmendjen se çështja e transformimit të FSK-së dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i saj është çështje e autoriteteve kosovare. Ai e ka theksuar edhe vendosmërinë e NATO-së për ta luftuar në një front të përbahskët terrorizmin kudo që paraqitet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here