Stoltenberg përshëndet institucionet për pengimin e kosovarëve që t’u bashkohen kauzave terroriste

0

PRISHTINË, 23 JANAR – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një pritje që i ka bërë sot Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg ka tërhequr vëmendjen se “institucionet e Kosovës dhe NATO-ja duhet të punojnë në partneritet të plotë drejt synimit strategjik që Kosova të zhvillojë forcat e saj në përputhje me standardet e NATO-s dhe vizionin që Kosova të anëtarësohet në aleancë, si vlerë e shtuar për sigurinë rajonale dhe globale, dhe nevojën që ky partneritet të shndërrohet në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-së”. Presidentja sipas një njoftimi nga Presidenca, e ka njoftuar sekretarin Stoltenberg me konkluzat e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe vendimin e institucioneve të Kosovës për të filluar transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, si një forcë mbrojtëse, dizajni i së cilës është përcaktuar në përputhje me interesat strategjike, sigurinë kombëtare, nevojat dhe resurset e Republikës së Kosovës. Jahjaga e ka njoftuar sekretarin Stoltenberg edhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar dialogun me Republikën e Serbisë dhe për angazhimin e vazhdueshëm të mekanizmave të sigurisë së Republikës së Kosovës që të përballen me kërcënimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në vend. Sekretari Stoltenberg ka theksuar se NATO mbetet e përkushtuar të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se prania e forcave paqeruajtëse në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka shtuar se NATO-ja do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e kapacitetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ka përshëndetur angazhimin institucional në Kosovë në aspektin e sigurisë dhe atë ligjor për të parandaluar individë nga Kosova që t’u bashkëngjiten kauzave terroriste në Siri dhe Irak.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here