SP e RTK-së e rifillon aktivitetin e saj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve

0

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së e ka lëshuar sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve një komunikatë ku ka përkujtuar se sot po i vazhdon aktivitetet e saj pas ndërprerjes më shumë se një muajëshe “për shkak të një vendimi tëpashembullt në botën demokratike të drejtorit general të RTK-së Mentor Shala ndaj drejtuesëve të RTK-së”. Sindikata ka tërhequr vëmendjen se ajo do të vazhdojë të angazhohet për të drejtat e punëtorëve në mediumin publik, për kushte më të mira të punës, si dhe kundër censurës.

 

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të SP të RTK-së:

 

KOMUNIKATË PËR MEDIE
Sindikata e Pavarur e RTK-së
Kryesia e SPRTK-së
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, më 1 Maj, Sindikata e Pavarur e RTK-së, vazhdoi me aktivitetet e saj të cilat i kishte ndërprerë për më shumë se një muaj, për shkak të një vendimi të pashembullt në botën demokratike, të drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala, ndaj drejtuesve të sindikatës.
Dita e 1 Majit na kujton ngjarjen në Çikago të SHBA-së, të viti 1867, ku vala represive kishte goditur ashpër organizatat sindikaliste të punëtorëve, duke ua mbyllur selitë dhe arrestuar drejtuesit e tyre.
148 vjet pas kësaj ngjarjeje, kryetari dhe nënkryetari i Sindikatës së RTK-së, u dëbuan nga puna dhe u shpallen persona të rrezikshëm për institucionin.
Ky akt jodemokratik ndodhi në kohën kur e drejta për organizime sindikale pothuajse në mbarë botën ka avancuar dukshëm dhe është e garantuar me ligj të veçantë dhe me konventa ndërkombëtare.
Reagimet që pasuan në kundërshtim të këtij vendimi, si brenda RTK-së ashtu edhe jashtë saj, bënë që ky vendim të shfuqizohet dhe kryetari e nënkryetari i sindikatës, prej sot, të kthehen në vendet e tyre të punës.
Për Sindikatën, do të jetë e papranueshme që punëtorëve të RTK-së të vazhdojnë të u shkelen të drejtat elementare të punës, si mungesa e kontratave të punës, për tash e sa vjet, të dhjetëra të të punësuarve, censura, mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime etj.
Gjithashtu, e papranueshme është edhe gjendja financiare me të cilën përballet RTK, përfshirë borxhin e jashtëm të saj në vlerë prej rreth 4.3 milionë eurove, tanimë të publikuar nga auditori i jashtëm.
Sindikata do të angazhohet që punëtorët e RTK-së të bëjnë punë dinjitoze në shërbim të informimit të drejtë të publikut, dhe të drejtat e tyre të garantuara me ligj, të zbatohen në praktikë.
Duke e konsideruar 1 Majin, si ditë të solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve, Sindikata do të vazhdojë që këtë vlerë ta kultivojë edhe në të ardhmen.
Me respekt,
Fadil B.Hoxha Prishtinë
Kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së 01.05.2015

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here