Sot heshtje elektorale në Shqipëri, nesër zgjedhësit para kutive të votimit

0

Partitë politike në Shqipëri sot janë në heshtje zyrtare elektorale, ndërkohë që nesër zgjedhësit do të jenë para kutive të votimit në zgjedhjet vendore. Dy blloqet kryesore politike e kanë përmbyllur kampanjën elektorale me zotime për fitore e akuza kah rivalët politik. E djathta zhvilloi mitingun e saj në sheshin Nënë Tereza në Tiranë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha, ashtu sikundër ka bërë gjatë gjithë fushatës, ka vënë theksin te fakti se sipas tij, e majta që erdhi në pushtet nuk mbajti premtimet, por përkundrazi i braktisi shqiptarët . “Dy vite më parë dyshja Rama-Meta mori pushtetin se premtuan se do ishte në krahun e qytetarëve. Kur premtuan 300 mijë vende pune për të marrë vota, shkatërruan mijëra të tjera. Premtuan uljen e çmimit të energjisë dhe naftës po i rritën ato. Tani që ora e të vërtetës arriti, kërkojnë t’u mbyllin gojën qytetarëve dhe kandidatëve tanë”, tha zoti Basha sipas të cilit e djathta ka ofertën e zgjidhjes dhe të shpëtimit.

Kreu i opozitës, nuk la pa përmendur akuzat për lidhjet e shumicës me njerëz të krimit dhe me korrupsionin. “Rama-Meta kanë kandiduar njerëz të zhytur në krim e korrupsion. Më 21 qershor do të krahasojmë kandidatët.  Nuk ka krahasim. Oligarkia e di mirë, prandaj sheh si rrugëzgjidhje vetëm kërcënimet e shantazhet. Për ne këto zgjedhje janë kushtrimi që demokratët e kanë ndjerë që nga ditët e para kur qytetarët rrëzuan murin e bllokut”.

Një hapësirë e vecantë në mitingun përmbyllës të së djathtës zuri dhe fjala e kandidatit të saj për Bashkinë e kryeqytetit Halim Kosova, sipas të cilit “qytetarët nuk kanë arësye t’i japin pushtet një politikani si ai i qeverisë që kërkon të bëjë karrierë dhe ka vetëm këtë ambicje në garë. U kam folur drejtpërdrejt qytetarëve të Tiranës. Nuk jam politikan tipik dhe nuk shpërndaj iluzione apo hije mashtrimi për 1 milionë banorët e Tiranës. Nuk po kërkoj pushtet. Po kërkoj që qytetarët të vijnë në pushtet dhe ta bëjnë bashkinë të vetën, një zyrë që harmonizon kërkesat, zgjidh hallet, investon aty ku e lyp nevoja” – tha zoti Kosova.

Nga ana e saj, e majta zhvilloi mitingun e saj të fundit në Durrës. Kryeministri Edi Rama deklaroi se pushteti 8 vjecar i së djathtës ka sjellë dëme të mëdha. “Ai pushtet nuk ishte thjesht ajo qeveria që kishim në Tiranë, por ishte një verbëri në marrëdhëniet me trupin e vendjetesës tonë, një shurdhëri në marrëdhëniet me nevojat e shpirtit të njerëzve që jetojnë trupin e qytetit…ishte pushteti i varfërisë së aspiratave, që mjaftohej me asfaltin e hedhur nëpër rrugët pa standarde, në shkollat e rindërtuara pa cilësi, në ujësjellësit dhe kanalizimet e investuara pa plan dhe krenohej me riparime pa asnjë shije të re të një Shqipërie që zhvillohej në vite duke u rrënuar. Humbëm kohë të artë mundësish përgjatë të cilës, në vend që ta çonin zhvillimin e qytetit shqiptar në drejtimin e duhur, duke filluar nga qendrat drejt periferive dhe duke ruajtur kurorat e gjelbra, u gjendëm nën bombardimin e një zhvillimi kanceroz, që shpërtheu ku mundi nëpër trupin e Shqipërisë, çibanët e një shëmtimi të turpshëm”, u shpreh zoti Rama.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here